Frika e Edi Ramës nga vota e lirë

Nga : Luljeta  PROGNI

Kur i humbi zgjedhjet e 28 qershorit 2009, Edi Rama u gjend në një pozitë shumë të vështirë për të ardhmen e tij në krye të Partisë Socialiste. Bazuar në statutin e partisë, pas humbjes së zgjedhjeve, i duhej të linte postin e kryetarit. Por, nuk e bëri. Edi Rama i mbështetur fort nga Gramoz Ruçi, nuk i pranoi rezultatet e zgjedhjeve, pasi e konsideroi procesin të manipuluar. Këtu nis edhe fushata e famshme e tij “hap kutitë ose largohu!”. Ishte koha kur kryeministri i sotshëm përbetohej thuajse çdo ditë që me të ardhur në pushtet, të parën reformë që do të kryente ishte ajo për garantimin e votës së lirë. Rama e ka deklaruar dhjetra herë se kur të vinte në pushtet, abuzuesit me votën do të përballeshin rreptë me ligjin. Ja çfarë thoshte në shtator 2010, kur i kërkonte  Berishës të hapte kutitë e 28 qershorit e kur përbetohej për reformë për votën e lirë.

Nuk do të kemi më në sistemin e administrimit të zgjedhjeve shqiptare me qindra komisionerë, të cilët pasi marrin nën dorë paratë për manipulimin e rezultatit, i kryejnë gjithë ato shkelje kriminale të ligjit, njësoj si në Ruzhdie, me vetëdijen e përbuzshme se çfarëdo paudhësie të bëjnë me fletët e votimit, me identitetet e zgjedhësve apo me kutitë, ku zë fill jeta demokratike, asgjë nuk mund t’i gjejë, përderisa krimi i tyre kyçet përgjithmonë në terrin e kutive të pahapshme.”

Prej asaj kohe rrodhën shumë ngjarje. Rama është sot në pushtet bashkë me Ilir Metën, të cilin e quajti gjithashtu fajtor për dhunimin e votës së 29 qershorit. Po mbyllet mandati katër-vjeçar i qeverisjes Rama-Meta dhe askush nuk ka shkuar në burg për votën e vjedhur qoftë para 23 qershorit 2013 e qoftë pas kësaj date. Ndërkohë që në proceset zgjedhore të zhvilluara këto tri vite, ka pasur prova të shumta të dhunimit të votës, por askush nuk është përballur me ligjin.

Ndërsa reforma zgjedhore as që është prekur. Jemi vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve, Kodi Elektoral e ndalon ndryshimin në sistemin zgjedhor, gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve, ndërsa njerëzit e Ramës, të Metës e të Bashës kanë nisur debatin falsë për reformën zgjedhore. Është një melodi që e kemi dëgjuar mijëra herë në këto 26 vjet. Njësoj si atëherë, kur ishte bashkëkryetar Jemin Gjana apo Ilir Rusmajli nga PD dhe Kastriot Islami apo Damian Gjiknuri nga PS; edhe sot, kur është Taulant Balla nga PS e Oerd Bylykbashi nga PD. Dy palët bashkohen në sallën e Kuvendit për të deklaruar atje, atë çfarë iu thotë kryetari e për të dhënë shfaqjen e shëmtuar të mashtrimit 26-vjeçar me reformën zgjedhore dhe garantimin e votës së lirë. Kompromisi për dhunimin e zgjedhjeve është gjetur gjithmonë mes partive të mëdha. Asgjë nuk ka ndryshuar.

Edi Rama është njësoj si dikur Sali Berisha, madje edhe më i fortë në këmbënguljen për të mos lejuar në asnjë mënyrë kurrfarë rruge që të çon te vota e lirë. I urdhëruar nga Rama, bashkëkryetari socialist i komisionit të Reformës Zgjedhore, Taulant Balla, ka vendosur veton në komisionin e Reformës Zgjedhore, kundër votimit e numërimit elektronik. Çka do të thotë vendim kundër transparencës së zgjedhjeve në Shqipëri.  Nga ana tjetër, Partia Demokratike nuk është shqetësuar aq shumë për votën e lirë këto tri vjet. Nuk ka asnjë aksion të opozitës që të detyronte mazhorancën për të nisur reformën elektorale. Qëndrimet e sotme të opozitës janë shumë të vonuara, sepse zgedhjet vijnë pas gjashtë muajsh dhe nuk ka më kohë për të kryer reformën që garanton votën e lirë. Askush nuk shqetësohet për votën e lirë, sepse iu duhet e kundërta. Me rotacion ata gëzojnë gjithë “të mirat” që iu sjell manipulimi i votës, ndërkohë që lënë Shqipërinë në të njëjtin batak që ishte 26 vite më parë, kur sapo kishte dalë nga sistemi komunist.

Vota e lirë është garanti kryesor dhe kushti i panegociueshëm për funksionimin e demokracisë. Ndërsa e kundërta, vota e dhunuar, e blerë, e shitur apo e vjedhur është burimi i pushtetit të kësaj elite që mban peng Shqipërinë prej 26 vitesh.

Shkruani nje pergjigje