Demagogjitë nuk votohen

Nga : Klodian  TOMORRI

Opozita është vënë ditët e fundit në qendër të kritikave të forta publike për shkak se nuk u mobilizua të enjten e shkuar në Parlament për të votuar nismën e Lëvizjes Socialiste për Integrim për Konçesionin e laboratoreve. Gishti i përgjegjësisë është drejtuar veçanërisht mbi Lulzim Bashën, cili madje është akuzuar se ka bërë pakt me Partinë Socialiste kundër LSI dhe tolerimi i konçesionit të laboratorëve është çmimi i pazarit mes tij dhe Ramës.

Mendimi se opozita nuk është mjaftueshëm aktive në parlament për të denoncuar aferat korruptive apo dështimet e qeverisë aktuale mund ta ndajë një pjesë e madhe e opinionit publik. Por në këtë rast akuzat ndaj Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës janë të padrejta. Amendamenti i propozuar nga kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, në rastin më të mirë ishte një “null and void”, ndërsa në skenarin më realist ai është një akt, që do të prodhonte pasoja thellësisht negative për shërbimin laboratorik publik.
Së pari, konçesioni i laboratorëve nuk ekziston. Një ligj, kontratë apo konçesion, që nuk ekziston nuk mund të amendohet. Dhe kjo e bën amendamentin Vasili nul juridik.

Së dyti, mënyra se si ishte formuluar amendamenti ishte e gabuar. Formulimi ishte qe fondet publike të parashikura për shërbimin e laboratorëve alokohen në programe të tjera. Ky formulim praktikisht definanconte tërësisht shërbimin laboratorik në vend edhe sikur ai të mos jepej me konçesion. Pra ai i hiqte fondet laboratorëve edhe po të mbeteshin në administrim shtetëror siç janë sot dhe nga 1 janari laborantët nuk do të kishin rroga, ndërsa qytetarët nuk do të mund të kryenin më analiza në laboratorët publikë. Dhe formulimi i amendamentit të LSI në këtë formë mund të mos ketë qenë i rastësishëm.  Deputetët e Partisë Demokratike, që ishin në sallë, rreth 25 në total, e votuan amendamentin. Por edhe ata ishin plotësisht të vetëdijshëm se kanë votuar një nonsens.

Nëse LSI do të donte me të vertetë të bllokonte transferimin tek privatët të shërbimit shtetëror laboratorik ka një rrugë tjetër. Ajo është avancimi në Parlament i një moratoriumi, që bllokon cdo konçesion për një periudhë një vjeçare, ose të pakten deri pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm dhe formimit të qeverisë së re.  Dhe LSI e ka mundësine që t’i imponohet aleatit të saj në qeveri, Partisë Socialistë për këtë çështje. Nëse PS nuk do e pranonte nismën, atehere kjo do të duhej të shoqërohej me pasoja më të mëdha. Ne thelb, konçesionet janë një element i politikës fiskale. Kur partitë, që bashkëqeverisin kanë mosmarrëveshje për politikën fiskale, atëhere bashkëqeverisja nuk ka më kuptim. Një koalicion mund të ketë ndasi për një shumë çështje. Por kur ka divergjenca për politikat fiskale dhe buxhetore, nuk ka më maxhorancë. Qeveria bie. Kjo është rruga për të bllokur konçesionin e laboratorëve apo çdo konçesion tjetër, që transferon para publike në llogari bankare private. Çdo veprim tjetër është thjesht demagogji elektorale. Dhe demagogjitë nuk mund të votohen. Aq më tepër nga një opozite.

Shkruani nje pergjigje