Koalicioni i djathtë

Nga : Brendon  KOTORRI

Në zgjedhjet për kandidatin për president brenda Partisë Republikane në SHBA vumë re shumëllojshmërinë e vizioneve që u paraqitën. Vizionet e paraqitura prej secilit kandidat bartnin në vete edhe pretendimin se platforma e tyre përfaqësonte më së miri të djathtën. Ndryshe nga sa u mendua në fillim të fushatës brenda partisë, nuk ia doli të fitonte as Jeb Bush, i cili përfaqësonte të djathtët kapitalistë, as Ted Cruz i cili përfaqësonte të djathtët besimtarë, as Marco Rubio që përfaqësonte pak nga të gjitha, dhe as John Kasich që përfaqësonte të djathtët e moderuar. Zgjedhjet i fitoi Donald Trump i cili përfaqësonte në fjalë nacionalistët e djathtë dhe në vepra pragmatistët e majtë. Në zgjedhjet brenda Partisë Republikane në Francë, që zhvilloheshin për herë të parë në një garë të hapur, u paraqitën shtatë kandidatë. Jean-François Copé, ish ministër i financave që përfaqësonte burokratët e partisë. Kandioi Nathalie Morizet, si e vetmja femër, e cila përfaqësonte ekologjistët dhe socialët e partisë, si ish-ministre e mjedisit. Bruno Le Maire, ish ministër i bujqësisë që mori vetëm 2.4% të votive në raundin e parë, dhe bashke me Jean-Frédéric Poisson, mbyllin katërshen e kandidatëve të cilët nuk arritën asnjëri të merrnin një rezultat dyshifror në përqindjen e votave.

Nicolas Sarkozy, si ish president i suksesshëm pretendoi një rikthim të padiskutueshëm në krye të shtetit, Sarkozy përfaqëson të djathtët tipikë konservatorë dhe besimtarë. Ai ka advokuar për një ndarje më të vogël të kishës me shtetin, ka subvencionuar integrimin e muslimanëve në shoqëri, dhe ka shkruar se të rinjte nuk duhen edukuar në një mjedis vetëm laik, por duhet paraqitur edhe besimi si dimension i jetës. Alain Juppe, nxënës i Jacques Chirac, ish-kryeministër, përfaqësonte të djathtët pro-europeistë. François Fillon i cili përfaqëson krahun liberal të së djathtës duke mos u interesuar shumë për çështjet e moralit por duke pretenduar të shkurtojë me 500 000 punonjës administratën dhe duke ulur taksën mbi të ardhurat në 50% nga 80% që është aktualisht nën presidentin Hollande. Tre kandidatët e fundit morën më shumë vota, dhe dy të fundit (duke e larguar përfundimisht Sarkozinë nga politika active), shkuan në balotazh të cilin e fitoi Fillon. Në Britaninë e Madhe, kryeministri David Cameron, në një referendum kombëtar për të ndenjur ose jo brenda BE-së, humbi jo vetëm referendumin por edhe garën brenda partisë përballë Boris Johnsonit i cili kërkonte daljen, Brexit. Secili prej tyre përfaqësonin segmente të ndryshme të të djathtës, Cameron më i moderuar, më europeist dhe më i hapur ndaj çështjeve morale si aborti dhe martesat gay. Johnson më nacionalist dhe më i ashpër ndaj emigrantëve, jo vetëm prej influencës së UKIP. Në Britani ende nuk është paraqitur vitet e fundit një figurë e djathtë konservatore dhe besimtare që të marrë kryesimin e partisë.

Në Spanjë, Mariano Rajoy, i cili përfaqëson të djathtët konservatorë rojalistë, e pati të nevojshme që të bënte aleancë me partinë e re Ciudadanos të cilët përfaqësojnë një brez të ri, më pak të lidhur me besimin dhe më të shqetësuar për ekonominë.

Në Shqipëri, elektorati i djathtë është përbërë kryesisht prej disa grupeve shoqërore. Së pari, familjet pronare të tokave të konfiskuara nga shteti komunist. Së dyti, prej të persekutuarve për arsye politike prej partisë komuniste. Së treti, prej të joshurve nga karizma e lidershipit (votues të lokalizuar kryesisht në gjysmën veriore të Shqipërisë). Së katërti (shumë pak), votues ideologjikë.

Nëse Partia Demokratike, si njësia politike më e madhe dhe e fuqishme brenda spektrit të djathtë shqiptar, do ta ruajë emërtimin ideologjik, vetëm si fasadë estetike, dhe në zgjedhje do të sillet konkretisht si një parti pragmatiste (të kapim ç’ të mundemi), atëhere kjo parti mund të bëjë ç’ të dojë me ndërtimin e koalicionit para dhe pas zgjedhor. Mund të përdorë mjetet më efikase dhe mund të gjykojë utilitarisht. Nëse kjo parti dëshiron të meritojë emërtimin ideologjik si parti e djathtë, duhet të realizojë disa procese konkrete: a) duhet të propozojë një platform të djathtë ekonomike dhe shoqërore si vision për qeverisjen e vendit; b) duhet të ndërtojë një strategji elektorale; c) duhet të propozojë përfaqësuesit më të ndershëm dhe të besueshëm prej popullit.

Platforma ekonomike duhet të bazohet mbi parimet klasike të së djathtës, si liberalizimi i tregut, derregullimi, incentivimi i sipërmarrjes së lirë, tërheqja sa më shumë nga tregu. Platforma shoqërore duhet të sigurojë një qeveri sa më të vogël dhe që ndërhyn sa më pak në punët midis njerëzve. Një shtet që ndërhyn me ligje vetëm për të mbrojtur moralin e përbashkët shoqëror dhe për të mbajtur neutrale hapsirën publike. Strategjia elektorale mund të ndërtohet në dy mënyra: ose një koalicion solid i djathtë i cili fuqizon partitë e vogla, ose një Parti Demokratike e fortë e cila i përfshin segmented e së djathtës brenda vetes. Rasti i parë, ka ndodhur gjithnjë në vitet e zgjedhjeve demokratike. Aq sa në vitin 2013, Berisha si kryetar i asokohshëm i PD-së, i mbajti gjallë kryetarët e partive aleate duke i bërë vend secilit në listat e hamendësuara fituese të partisë. Rasti i dytë, është edhe modeli i paraqitur në gjysmën e parë të këtij shkrimi. PD, duhet të fuqizohet dhe udhëhiqet drejt një partie ezauruese për elektoratin e djathtë. Partia Republikane, nuk ka më ish-pronarë për të vjelë, ata i ka zhgënjyer çdo mandat. LZHK dhe PLL nuk mund të evokojnë më kohën e mbretit tani që princi është tërhequr plotësisht prej jetës politike. PAA, përtej kongreseve të denja nuk mund të tërheqë votues ideologjikë, dhe ata votues të cilët ajo mund t’i tërheqë nuk janë veçse mercenarë të shumë zotërinjve njëkohësisht. Demokristjanët që firmosin ligjin e abortit nuk përbëjnë më tërheqje për asnjë besimtar të krishterë. Kësisoj, mbetet vetëm një rrugë, përfaqësimi i segmenteve të të djathtës, brenda një partie, si republikanët në Francë, në SHBA, si popullorët në Spanjë apo konservatorët në Britani.

Si rrjedhojë e sipërmarrjes së kësaj strategjie, PD-së do t’i duhet një fytyrë e re. Por jo si ajo që bëri Sarkozi në Francë duke ndërruar emërtimin, apo Trump në SHBA në një aventurë populiste, por duke përfaqësuar tri tipologji ideologjike të votuesit të djathtë. Të djathtin prej parasë, të djathtin prej moralit dhe të djathtin prej traditës. Për ta realizuar këtë, duhen njerëz të rinj që mendojnë qartë mbi një ekonomi të djathtë dhe u japin zgjidhje të tilla, problemeve më mbytëse të shqiptarëve, papunësisë, të ardhurave të ulta, emigracionit në rritje. Duhen leximtarët më të aftë të mendimit të djathtë klasik e bashkëkohorë, që të indikojnë hartën dhe drejtimin e shoqërisë. Duhen edhe figura karizmatike që u kujotjnë njerëzve se jeta nuk bëhet as në individualitet dhe as në kolektivitet por në komunitet. Nëse Lulzim Basha, ia del ta propozojë këtë fytyrë të re brenda muajve të mbetur para zgjedhjeve, atëhere do të fitojë e djathta pavarësisht se kush vjen në qeveri. Nëse vjen PD e re, edhe më mirë. Do të realizohet një model i suksesshëm i aplikuar sikurse kemi sqaruar, me shumë sukses. Nëse kandidatët në listën time ditën e votimit do të vahzdojnë të jenë ministra e ish ministra që kanë dështuar në gjithçka tjetër jashtë karrierës partiake, atëhere vota e protestës, vota e bardhë, nuk do të përfshijë vetëm elektoratin gri, por edhe atë ideologjik. Koha e votës anti-komuniste ka shkuar. Koha e votës populiste ka shkuar. Koha e votës hallexhie duhet të mbyllet në 2017. Është koha për qeverisje ideore.

Nje koment

  1. armand rrudha says:

    Autori i ketij shkrimi,nuk ma mer mendja qe te jete aq naiv,sa ben paralelizma krahasuese te vendeve me te zhvilluara demokratike te botes,me Shqiperine.Mendoj se eshte nje tentative demagogjike per te na mbushur mendjen ne ish te djathteve,(realisht ne jemi shtresa me e varfer e shoqerise shqiptare) se duhet te vazhdojme te votojme per PD.Vertete,ne e organizuam dhe i dhame shpirt,PD-se,por gabuam qe pranuam,qe ne krye te ishin ish komunistet.Tashme dihet,degjenerimi kriminal,i paramenduar dhe i organizuar i PD.Natyrisht,faje kane edhe ish antikomunistet qe ishin ne komitetin drejtues te saj. Tashme kane kaluar 26 vjete,dhe eshte e provuar qe PD ashtu si edhe PS ,si edhe LSI e Komandantit te pionereve te Enverit jane pjella te PPSH dhe sigurimit te shtetit.Ashtu si PPSH ishte nje bande kriminale terroriste edhe bijat e saj,jane banda.Kuptohet,qe bandat,aq me keq kur jane ne pushtet,vjedhin,vrasin,terrorizojne dhe i bejne te gjitha,ne sherbim te kryebanditeve te tyre dhe anetareve te bandes.Shqiperise i duhet nje Parti e vertete,qe te riktheje drejtesine ne vend,duke ndeshkuar kriminelet,pamvaresisht nese kane bere krime ne emer te pushtetit,apo per interesa te klaneve,apo personale.Ti riktheje pasurine e grabitur,te gjithe shqiptareve. pasurine e grabitur,ne kohen e PPSH,apo bijave te saj.Te veje ne krye te puneve njerezit e ditur dhe te largoje,nga zyrat e shtetit,horrat dhe morrat.Pikerisht,bandat,jane te mbushura me horra e morra.Horrat,bejne krime nga me monstruozet,per te qene me pushtet dhe morrat,nuk jane te afte per asnje pune,por jane te afte tu pine gjakun te tjereve,ne pisllikun,qe sajojne horrat.

Shkruani nje pergjigje