SAID NAJDENI ARKITETKT I DIJES SHQIPTARE

eugen-shehu12Nga : Eugen  SHEHU

Ende sot,në kujtesën e gurëve të sokaqeve,në lagjen e pazarit të Dibës,ruhen gjurmët e një djaloshi të pashëm e të heshtur që kthehej nga shkolla fillore e qytetit.Ende sot,ata gurë e drurë, ruajnë zërin e ëmbël dhe vështrimin e menduar të birit të tyre,Said Najdenit.Kujtesa e gurëve është e çuditshme.Sado e ftohtë ajo gjithsesi ruan nën një simetri mahnitëse,dallgët plot tallaz të jetës së atyre që ecin e rrinë mbi ta.Në fundvitin 1864,kur lindi Said Najdeni (Hoxh Voka).Nga i ati,Islami dhe ëma Esma,Dibra e Madhe,padyshim ishte një prej qëndrave ku po ngritej një lëvizje madhore edhe kulturore.Në pamje të pare,qyteti me ato shtëpi të pastra e të bukura,me ato dyqane të pasura,me ato prodhime të bollshme të luginës së Drinit të Zi,të ngjante se ishte në rrjedhën e vet normale.Por së thelli,qyteti dhe dibranët që e popullonin ate,ndjenin një peshë të rëndë në supe.Sundimiet e një pas njëshme, sido të ishin,në çfardo forme të butë të shfaqej,ajo mbetej në mungesë lirie.Ndaj dibranët me ate zgjuarsinë dhe trimërinë që i pat karakterizuar,kishin nisur të mblidheshin nëpër shtëpitë e sho-shoqit,të bisedonin fshehurazi,të mendonin se si do të mund të flaknin prej supeve barën e sundimtarëve.Për këdo dibran të mençur,ishte e qartë lakmia e fqinjëve të lashtë të cilët për të kënaqur orekset e veta do të bënin ç’ish e mundur që pas rënies së Perandorisë Osmane,t’u vërsuleshin kufijve natyrorë shqiptare.Parë në këtë prizëm,Dibra sigurisht do të ishte kafshata e pare e tyre,sidomos prej pozicionit gjeografik.Po ndërsa serbët,grekët,bullgarët llogarisnin si të tillë,vetë dibranët e mendonin padyshim veten e tyre në radhët e para të bastioneve,aty ku trimëria shqiptare do të shfaqte vehten e saj.“Duke u nisur nga viti 1877 dhe mbas dështimit të Lidhjes së Prizërenit,për të arirtur autonominë,kombi shqiptar, përqendroi përpjekjet e veta në fushën intelektuale dhe morale.Shoqata letrare dhe patriotike u shtuan së tepërmi,ndërgjegjja kombëtare u orjentua drejt një ideali të ri dhe ky nacionalizëm bëri që të zhduken të gjitha dallimet klasore ose fetare.Ndjenja fetare,në çdo kohë është tërhequr para ndjenjës së races dhe shqiptarët myslimanë në fakt ishin të parët që treguan se nuk e duronin dot zgjedhën osmane”.(Mit’hat Frashëri,”Shqipëria” botuar në “La Revue de Geneve” më 1922).

Në konturet e këtyre viteve,u rrit dhe u shkollua Said Najdeni.Në shkollën fillore por sidomos në ate Ruzhdije,të Dibrës,ky kish nisur të dallohej nga moshatarët e tij për nga mënyra e seriozitetit me të cilin trokiste në dyert e diturisë.Babai i tij Islami,përkujdesej vazhdimisht që i biri i tij të mësonte sa ma shumë.Edhe pse vetë,Islami s’ish,pos një tregëtar i zakonshëm por i nderuar,ai i desh fëmijët e tij të urtë e të kulturuar.Ka qenë kjo arsyeja që pas mbarimit të shkollës Ruzhdije,ai e dëron të birin në Stamboll për të vazhduar studimet e mëtejme.Në vitin 1884,Said Najdeni rregjistrohet në shkollën e lartë teologjike në mederesenë e Hajdar Fatihut.Kurjoz për nga natyra dhe me një vullnet të madh,ky bir i Dibrës së Madhe,shumë shpejt do të hynte në misteret e fesë islame.Por të mos harrojmë se në Stambollin e viteve të fundit të shekullit të kaluar,ishte një plejadë e tërë e patriotëve shqiptarë të cilët me shpirt e vepra,tregonin,dashurinë e shenjtë të tyre për atdheun.Kësisoj,përveç miqësisë me dibranët,Said Najdeni do të kishte fatin e madh të njihej nga afër me dy kolosët e patriotizmit shqiptar,vëllezërit Naim e Sami Frashëri.Prej të parit,djaloshi i menduar i mederesesë do të mësonte përmendësh dhjetra poezi-perla,ndërsa prej Samiut do të mësonte historinë e të parëvet të tij,vlerat e atyre kohërave dhe të ardhmen e Shqipërisë.Shumë shpejt,nën ndikimin e drejtëpërsëdrejtë të vëllezërve Frashëri por edhe të mendimit të kristalizuar të dhjetra patriotëve të tjerë shqiptarë,Said Najdeni futet vendosmërisht në Shoqërinë e Shkronjave Shqipe të Stambollit, dihet tashmë se kjo shoqëri e atdhetarëve të vërtetë shqiptarë,mbronte në gjirin e saj jo vetëm vizionet e të nesërmes shqiptare,por sidomos,energjitë e mëdha të pashteruara e të pa friguara prej asnjë kërcënimi.Natyrisht të merrje pjesë aktive në këtë shoqëri nuk ishte e lehtë edhe për faktin se rreth saj silleshin disa shqiptarë të shitur tek Perandoria,të cilët bënin gjithshka për të shkatëruar veprimtarinë e saj.Said Najdeni do të burgoset dhe do të vuaj dënimin në burgun e Edrenesë ku do të njihej me shumë atdhetarë e mezin e tyre dhe me Hafiz Ibrahim Mitrovicën.

Në vitin 1888,teologu Said Najdeni,dallohet në krejt medresenë për njohuritë e fituara me ç’rast,i afrohen edhe disa vende ku mund të predikoje brenda Stambollit.Por ky preferon Dibrën e Madhe. Dhe këtu,jo thjesht për t’u mësuar dibranëve të vegjël se si të falen në xhami,por,për diçka edhe më të thellë,edhe humane e të përgjegjshme për fatet e Shqipërisë.Me nismën e vet,Said Najdeni me t’u kthyer nga Stambolli,çel në Dibër të Madhe shkollën e parë për mësimin e gjuhës shqipe.Me parat e tij,ai ka blerë fshehurazi në Sofje disa abetare në gjuhën amtare dhe këto ua fal nxënësve të vet,duke menduar se janë pikërisht ata që do të marrin dikur në duar fatin e mjerë të Shqipërisë. Shkolla e çelur prej Said Najdenit,ndiqej fshehurazi nga dibranët e vegjël.Ata shkonin e në shtëpinë e patriotit të madh një nga një që të mos binin në sy të autoriteteve policore pasi kjo përbënte rrezik të madh për ato kohë.Aty mësonin jo vetëm të shkruanin gjuhën shqipe por merrnin edhe mësime historie e gjeografie.Në ndonjë rast Said Najdeni ndalej duke spjeguar me ate gjuhën e tij popullore dhe të ëmbël edhe teologji por kurdoherë duke ndezur përmes predikimeve të fesë,dashurinë e shenjtë të nxënësve të tij për Shqipërinë.E pandashme prej këtij misioni do të ishte krejt veprimtaria e tij në ato vite.Atdhetar i dimensioneve të mëdha,Said Najdeni kurrsesi nuk do të mjaftohej me çeljen e shkollës shqipe në Dibër të Madhe.Ai tashmë bashkëpunon ngushtë me Dervish Himën,Hamdi Ohrin dhe Iljaz Pashë Dibrën,mbledh fonde prej patriotëve dhe nis të çelë shkolla në trevat e Dibrës së Madhe duke i paisur këto me tekste shqipe.Arkitekt i këtyre shkollave shqipe,arkitekt i dijes shqiptare në krejt horizontet e saj,Said Najdeni,deri në çastet e mbrame të tij,do të kontribonte në iden e madhe të një civilizimi të bashkëkombasve.”Atdhetari i shquem dibran,Hoxhë Voka,kishte marëdhënie me shoqërin kombëtare të Sofjes,nëpërmjet Josif Bagerit prej Rekës së Epërme të Dibrës,prej kah i merrte të gjitha librat e fletoret shqipe që shtypeshin në atë kohë dhe i transmetonte nëpër degët e tjera të komiteteve kombëtare.Këto libra dhe fletore mbritshin deri në Shkup me anë të postave të Austris e prej aty vijshin në Dibër me qiraxhi besnikë” (J.Starzimiri , “Lëvizja kombëtare në qarkun e Dibrës”,kujtime, Tiranë 1978, faqe 142 ).

Në vitin 1900,Said Najdeni boton në shtypshkronjën “Mbrothësia” të Luarasit librin “Fe-rrëfenjësja e myslimanëve”.Në çdo pasazh të këtij libri,rri zgjuar ideja se pa marrë dituri,pa mësuar gjuhën e vet,çdo komb mund të shuhet.”Fe-rrëfenjësa” e Said Najdenit,u shpërnda falas nëpër krejt Dibrën dhe sidomos ndër nxënësit e shkollave.Gjithashtu,në po këtë vit,në “mbrothësia”,Najdeni boton abetaren e gjuhës shqipe,frut i përpjekjeve disa vjeçare në këtë fushë.Megjithëse patën kushtuar shumë,të dy këto tekste u shperndan falas duke u pritur me interes të madh në rrethet e djelmërisë dibrane.Mandej këto dy tekste të tij do të shpërndaheshin fshehurazi deri në Kosovë nga ku lidhjet e Said Najdenit ishin të mëdha.Ndikim të madh do të kishte Saidi edhe në rastin e luftës greko-turke,në Kretë.Disa dibran të gënjyer nga propaganda e Portës së Lartë,vrapuan të marrin pjesë në këtë luftë,në këtë rast,qëndrimi i Saidit ishte mjaft i prerë, “Në vend që të luftojmë e të vritemi për të tjerë,u thosh ai miqve të vet,ne duhet të mendojmë se ç’duhet të bëjmë për Shqipërinë.Ne duhet të zgjohemi e të bashkohemi pse rreziku po na troket tek porta”.”Komiteti Shqiptar “ i Stambollit,ndërkaq kish filluar të punoje për krijimin e një organizate qendrore e cila do të mund t’i ngjaje asaj të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit.Duke qenë se,në krye të këtij Komitetit në Stamboll,ishte Sami Frashëri,Said Najdeni shkon shpesh aty prej nga merr detyra e përgjegjsi të reja mbi supe.Ai niset prej Stambolli për të marrë pjesë në Lidhjen e Pejës,ideator i të cilës ishte Haxhi Zeka.Nga Stambolli ky patriot i Dibrës së Madhe,së pari shkon në Kosovë.Aty e presim karhëhapur disa miq të tij dhe kur e marin vesh se cilat ishin idetë,nuk i ndahen për asnjë çast Saidit.Janë të njohura sidomos takimet e këtij atdhetari në Mitrovicë e rrethinat e saj.Ulur këmbëkryq në odat e burrave,Said Njadeni bënte thirrje të hapura që të linin menjanë,gjakmarjet dhe përçarjet të bashkoheshin rreth burrave të mençur të Kosovës që s’u patën munguar asnjëhrë për të mbrojtur nderin e Shqipërisë. Natyrisht në rradhët e tyre dëgjonin fjalën e urtë të Said Najdenit,pati edhe të shitur tek Porta e Lartë,të cilët informonin rregullisht këta lidhur me propagandën që bënte biri i Dibrës së Madhe.Kështu në vitin 1899,një ferman i ardhur prej Stambolli,porosiste kajmekanin e Veleshtit(Strugë):

”Lajmërohemi nga burime të sigurta se Said Hoxha,i veshur me petkun fetar asht nisë në direksion të Kosovës,me qëllim që opinionin e atij populli të kulluet,ta përlyej me ndjenja revullucionare e të poshtra të idesë kombëtare shqiptare.Prandaj me shumë rëndësi ju porosisim që të merrni masat e shpejta për ta ba ndjekjet e rrepta që të shtihen në dorë medoemos”.(“Djelmëria dibrane”, dorëshkrimi,ruhet në arkivin e muzeut historik të Dibrës,Peshkopi). Por nëse arrestimin e tij nuk arriti ta bëjë kajmekami i Veleshtit këtë akt e kreu Valiu i Shkupit i cili kishte të dhëna të plota të veprimtarisë atdhetare të Said Najdenit.Por edhe Valiu i Shkupit,pas disa ditësh e liroi Saidin.Si shkak ishte presioni i madh i personaliteteve shqiptare në Stamboll të cilët shihnin në veprimtarinë e Najdenit të ri dhe energjik,shembëlltyrën e një fatosi në rrafsh të shqiptarizmës.Dhe u deshën vetëm dy javë nga dita kur birit të Dibrës së Madhe i hiqen prangat,që ai të ngrerë këtu,në vendlindjen e vet,komitetin organizator në përgjigje të “Lidhjes së Pejës” me ç’rast u quajt “Besëlidhja e Dibrës”.Këtu fjala e ngrohtë e Saidit jo vetëm do të fitonte zemrat e bashkëkombasve të tij por do t’i ftonte ata të mendonin se si duhej punuar për ardhmërinë e Dibrës dhe krejt Shqipërisë.Lidhur me këtë eveniment të jetës politike e sociale të Dibrës,konsulli austriak,me 11 maj 1899 i shkruan ministrisë së punëve të jashtme në Vjenë se ;”Një pjesë e konsiderueshme e bisedimit ka qenë diskutimi mbi bashkimin e të gjithë elementëve pa dallim feje,të cilët gjithashtu flasin shqip,mbi trajtimin krejtësisht të barabartë të shqiptarëve të krishterë,mbi të folurën dhe të shkruarën e gjuhës së vet,si dhe domosdoshmërinë e çeljes së shkollave shqipe”.(Haus – Hof und ,stats – archiv ). Për tu kujdesur për gjuhën shqipe,sidomos në aspektin leksikor të saj,Said Najdeni nuk rresht së punuari.ky ishte deri në fund shqetsimi i atdhetarit i cili donte të dëgjonte sa ma pak fjalë turke apo greke të futura në shqipen tonë të lashtë e të bukur.Edhe në biseda e takime me ptriotë të tjerë ai e shfaq natyrshëm këtë shqetsim.Madje deri larg,në rrethinat e Selanikut,më 1900,bisedon me Nexhip Dragën rreth këtij fenomeni me të cilin ka pak a shumë mendime të njejta.Natyrisht tërë kjo

veprimtari nuk mund të kalojë pa rënë në sy të autoriteteve osmane.Pasi e kanë burgosur njëherë,tani ata e kërcënojnë birin e Dibrës së Madhe me internim në Anadoll.Pos kësaj,edhe pse është një student erudit,atij nuk i jepet mundësia të studijoi në Stamboll në fakulltetin e drejtësisë me pretendimin absurd se “ka hapur telashe i veshur me petkun fetar”.Natyrisht pas fjalës turke telash,duhet nënkuptuar krejt ajo veprimtari atdhetare në kahje të civilizimit të bashkëkombasve të Saidit,nëpërmjet udhëve të shumta të diturisë.Por edhe pse është kurdoherë nën kërcënimin fizik të jetës,aktivitetit i tij do synojë kurdoherë nivele të lartë e të rinj.Tashmë ai ka fituar një simpati në rrethet atdhetare.Me paratë e veta ai blen libra shqipe duke i shpërndarë këto fshehurazi dhe ndërmerr udhëtime të largëta,në Rumani,Bullgari e deri në Itali pranë arbëreshëve duke u përpjekur të ndërtojë ura të sinqerta komunikimi mes atdhetarësh të vërtetë.Edhe pse në mjaft raste,në biseda të hapura me popullin,ai shkonte i veshur me petkun fetar,kjo s’e pengoi aspak Said Najdenin të kërkonte që ndjenjat fetare të vireshin natyrshëm në shërbim të ndejnjës madhore,asaj të rilindjes së Shqipërisë dhe përparimit të saj.Madje në këto kontekste,me dy-tri rreshta ai gati të befason në ate çka nënkupton me dashurinë për atdheun.Më tepër se një dashuri eterike,ai ka parasysh një forcë të brendëshme vepruese e të dukshme kur shkruan se ; “Dashuni e mëmëdheut nuk bahet me të dhën fjalën se e due mëmëdhenë.Kjo dashuri ka nyjet e rranjët e veta.Për mëmëdhenë duhet me qenë gjithnjë shërbetorë”.(Said Najdeni(hoxhë Voka)”Fe-rrëfenjësja e myslimanëvet”,faqe 6). Është fakt i pamohueshëm se në vitet e para të këtij shekulli malina e madhe e dhunës së Portës së Lartë,iu vërsul mizorisht synimeve të atdhetarëve shqiptarë që kërkonin zgjim të vetëdijes kombëtare.Kështu në vitin 1902,autoritetet osmane bënë çështë e mundur për çeljen e shkollave turke.Me anë të kësaj nisme ata donin të goditnin drejtpërsëdrejti dinjitetin e etnisë shqiptare duke paraparë me ç’rast një taktikë të re që mund t’i mbante ende në këmbë rrënojat e Perandorisë së madhe.Numëri i shkollave turke,të paramenduara për tu çelur në Dibër ishte 100 por ai askurrë nuk u arit pse atdhetarët si Said Najdeni,bënë ç’ishte e mundur të qytetëronin kombin me gjuhën,historinë dhe gjeografinë e vet.Aq dukshëm ishte kjo lëvizje përparimtare në Dibër,sa po këtë vit,Sulltan Hamiti i II-të dërgoi aty,Nuri Beun,ndër më të besuarit e oborrit.Por ky,dy javë pasi kishte ardhur në Dibër të Madhe ngase filloi të ndjekë bijtë e shqiptarizmës,ngase kërkonte të vendoste terror ushtarak,u vra një ditë me diell,në mes të pazarit të qytetit,prej patriotëve trima të Dibrës.Për të kundërshtuar turqizmën e rrezikshme që mund të mbillej aso kohe,Said Najdeni u mbështet jo vetëm në atdhetarët e vendosur por edhe tek klerikët e çdo religioni.Në mënyrë të veçantë,Hoxhë Voka,mbajti lidhje me baballarët e teqeve në Dibër,të cilët gëzonin respekt të madh ndër njerëzit e atyre anëve.Mbase nuk duhet të harrojmë se edhe në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit,ishin këto teqe që u shëndruan në vatra të pashuara të nacionalizmit shqiptar.

Ndërkohë mbi Perandorinë Osmane,po binte një muzg dyshues.lavdia e saj sa vinte dhe po rrudhej,madje në horizontet e largme shfaqej sëmundja e pasherueshme e coptimit të trojeve shqiptare.Ballkani më tepër se kushdo prej territoreve të kësaj perandorie,parandjente të ardhmen shpërthyese.por ashtu siç ishin mpleksur interesat,etnitë,të vërtetat dhe legjendat ballkanike,vështirë se do të gjendej një orakull për të përcaktuar fatin e këtyre trojeve.Ndër ata shqiptarë që parandjenë rrjedhat befasuese të ngjarjeve ishte padyshim edhe Said Najdeni.Ai përgaditet për t’u nisur nga vilajetet e Manastirit e Kosovës (Duke patur mandatin e “Besëlidhjes së Dibrës”) të shkojë në Itali ku e priste Ismali Qemali për një organizim mbarëkombëtar,në ate mbledhje Hoxhë Said Najdeni përfaqsonte Dibrën dhe Kosovën,Refik bej Toptani Shkodrën dhe Ismail Qemali Janinën mbledhja kryesohej nga Xhemajl Pasha.Por nga Porta e Lartë,tashmë ka ardhur urdhëri i arrestimit të tij.Këtu fillon edhe odiseja e gjatë dhe plot mundime e rrugës.Në ilegalitet të plotë,i rrethuar prej miqve që i kish gjithkund,pas dy jave peripecish ai mundi të shkojë në Itali.”Një nga miqtë e mij të vjetër,Said Efendiu,erdhi të më shohë në Romë,për të shkuar më pas në Tripoli”.(Ismail Qemali,Kujtime,faqe 209 ). Pas bisedave me Ismail Qemalin,Said Najdeni i drejtohet Tripolit ku takon gjeneralin Rexhep Matin. Natyrisht,në bisedat e këtyre burrave ka qenë i parnishëm meraku se si mund të organizohej e mbrohej Shqipëria e vogël,përballë lakmive të mëdha të monarkive të krishtera ballkanike,e në të njejtën kohë si mund të hidhej tutje të kalohej sa ma butë nga sundimi osman.Por në Tripoli,Said Najdeni do të sëmurej rëndë.Mesa duket vitet e vështirë që pat kaluar,të ftohtit dhe bora e dimërave,rrugët e largëta herë me bukë dhe herë pa bukë,burgosja disa mujore,kishin bërë të vetën.Ndërsa kthehej për në shtëpi, në vendlindje,ligej çdo ditë si një lis që synojnë t’i presin rrënjët.Aty e presin krahëhapur.Madje autoritetet vendase duke parë shëndetin e tij nuk rrendin ta arrestojnë duke menduar se mund të hapnin shumë telashe.Njerëzit e shtëpisë e rrethojnë me një dashuri madhore por pa mundur t’i kthenin birit të tyre të shtrenjtë,shëndetin dhe bukurinë trupërore.Në një çast ligështimi të tyre ndofta,në dhomën ku dergjej shtrirë,zëri i Said Najdenit kumtoi,ngadalë nën një butësi engjëllore ; “Edhe në vdeksha,ju të mos u vije keq,sepse po vdes me dashurinë e atdheut në zemër.Qëllimit,për të cilit u mundova,s’mund me ma kalb as toka.Në vorrin tem mos me veni gurë deri sa të lirohet Shqipëria dhe kur të fitohet liria,më veni gurrë,t’ue mi shkrue shqip.Në këto gurrë të ngrini edhe flamurin e kombit,të cilin une për fat të keq,s’un po e shof për së gjalli,po mund barem ta kem afër” . Më 21 nëntor të vitit 1903,kur ishte vetëm 39 vjeç,Said Najdeni ky pishtar i pashuar i dritës dhe shqiptarizmës,mbylli sytë.Mbaronte kësisoj një jetë e cila deri në çastin e mbramë u jetua e tillë,respekti i krejt shqiptarëve për te ishte mjaft i madh.Kështu në korrikun e vitit 1909,të gjithë delegatët nga të gjithë krahinat dhe religjionet,vajtën me lule në duar tek varri i thjeshtë i Said Najdenit.Ata u betuan aty për vazhdimin e asaj udhe të gjatë,plot sakrifica,të shqiptarizmës. Dhe nëse në vitin 1948,komunistët jugosllav rrënuan nga themelet shtëpin ku Saidi lindi dhe çeli më pas shkollën e parë shqipe në Dibër,kjo nuk do të thotë aspak se vepra e tij u harrua.Me qindra nxënës të tij e ruajtën të gjallë kujtimin siç ruhet ende sot në kujtesën e kombit dhe atyre gurrëve të theshtë që mbuluan fillimisht varrin e tij.

Shkruani nje pergjigje