Dosja ODESSA

astrit_lulushiNga : Astrit  LULUSHI

The Odessa File (Dosja Odessa) është një roman nga Frederick Forsyth, botuar në vitin 1972. Libri tregon historinë e një gazetari gjerman pas Luftës së Dytë Botërore, i cili përpiqet të zbulojë vendndodhjen e një ish-komandanti SS nazist të një kampi përqëndrimi. Emri Odessa nuk i përket qytetit në Ukrainë, por është akronim gjermanisht për “Organizata der Ehemaligen SS-Angehörigen”, që përkthehet si “Organizata e ish-anëtarëve SS apo të Sigurimit të Shtetit”. 

Romani pretendon se ODESSA është një organizatë ndërkombëtare naziste e krijuar para kapitullimit të Gjermanisë me qëllim të mbrojtjes së ish-anëtarëve  të sigurimit te shtetit nazist, duke i strehuar ata në vende të ndryshme për tiu shpëtuar gjyqeve për krimet e tyre gjatë luftës së dytë botërore. Ata që kanë kryer kërkime thonë se organizata të ngjashme si Konsul, Scharnhorst, Sechsgestirn, Leibwache dhe Lustige Bruder kanë ekzistuar, dhe se ODESSA  është krijim shkrimtari. Guy Walters, në librin “Hunting Evils”, thotë se nuk ishte në gjendje të gjente ndonjë dëshmi të ekzistencës së rrjetit, edhe pse organizata të tjera të shumta kanë ekzistuar, duke përfshirë Die Spinne, drejtuar pjesërisht nga shefi i komandove të Hitlerit, Otto Skorzeny. Historiani Daniel Stahl në esenë e tij të vitit 2011 thotë se konsensusi mes historianëve është se ODESSA nuk ka ekzistuar. 

Megjithatë, libra nga TH Tetens dhe Joseph Wechsberg pretendojnë se kanë verifikuar ekzistencën e organizatës dhe japin detajet e operacioneve të saj. Wechsberg ka studiuar kujtimet e Simon Wiesenthalit mbi ODESSA-n dhe i lidh ato me përvojat e tij në librin “The Murderers Among Us“.  Sipas “britanica.com“, ODESSA ka ekzistuar, dhe në vitin 1952 u zëvendësua nga një organizatë e quajtur “Kameradenwerke”, që vazhdoi punën e ODESSA-s duke ndihmuar ish-nazistët për t’u fshehur apo emigruar duke i pajisur me dokumente të rreme. Ndërsa puna e ODESSA-s u përqëndrua në Gjermani, operacionet e Kameradenwerke kryheshin jashtë, sidomos në Argjentinë, Paraguaj dhe Kili. Pyetja që shtrohet është nëse, nën shembullin nazist, një ODESSA e ngashme u krijua kur udhëheqja komuniste kuptoi se po i vinte fundi? Me rrugën që kanë marrë zhvillimet në Shqipëri, e cila 25 vjet pas komunizmit ende nuk ka mundur të kalojë periudhën e tranzicionit, hamendje krijohen. 

Shumë nga ish-SS e ish-funksionarë të PPSH-së dhe fëmijët e tyre (sot jo më fëmijë) janë shpërndarë nëpër botë dhe herë pas here kthehen me mburrje për të pushuar në vendin e tyre. Ata janë jo pak, jo pa shkollë dhe në punë jo të këqia. Gjithashtu, teknologjia e informacionit sot është ndryshe nga ajo e kohës menjëherë pas luftës së dytë botërore. Komunikimi është lehtësuar. Me lirinë dhe anonimitetin që ofrojnë mediat sociale, këta njerëz mbizotërojnë rrjedhën e komenteve pro ose kundër një teme të duke krijuar prirje opinionesh false; apo “miqësohen” me cdo njeri në ‘facebook’ për t’u bërë përsëri “figura publike”. Dhe të tjerët, nga bijtë e bijat a të afërm të ish-elitës së Sigurimit të Shtetit e PPSH -së, dihet që sot janë në krye të vendit në cdo aspekt të politikës, diplomacisë, biznesit dhe krimit të organizuar. Prandaj edhe pëgjigja e pyetjes nëse ODESSA komuniste ekziston është – me hamëndje – Po!

Shkruani nje pergjigje