Njerëzit e vegjël, të “politikës së madhe” e të mëdhenjtë e politikave të vogla


Nga:Besi BEKTESHI

Kanë kaluar tashmë 17 vite të një jete në “demokraci”, edhe pse e vendosur si fjalë në thonjëza, ia vlen të përmendet si kohëzgjatje.Janë 11 vite që ish-Mbreti Zog kaloi derisa fashizmi pushtoi vendin e Shqipeve. Janë rreth 45 vite regjim komunist deri sa ‘90-ta konfiguroi pluralizmin dhe i dha të drejtën të gjithëve të mos jenë anëtarë të një partie. Nuk duhet të harrojmë se 17 vite nuk janë pak. Në asnjë mënyrë në jetën e një njeriu nuk janë pak.

Mund të jenë pak në jetën e një kombi apo shteti, por në jetën e njerëzve të thjeshtë është një periudhë kohe e gjatë dhe e lodhshme, e cila i transformon, jo vetëm fizikisht. Ne vazhdojmë ta quajmë “tranzicion” kohën kur jetojmë. Të tashmen vazhdojmë ta quajmë tranzicion. Nuk mund të ketë fjalë më idiote apo të paskrupullt se sa kjo. Me anën e kësaj fjale “arsyetojnë” të gjithë ata që kanë pasur fatin që të kenë në dorë nga një apo më shumë butona të këtij pushteti të ri mbas ‘90-tës. Në këtë periudhë tranzicioni Shqipëria nuk arriti të kishte, por mund të thuhet me plot gojën, nuk arriti të krijonte jo vetëm “lëkurën” demokratike të shtetit, por nuk arriti të krijonte një, së paku vetëm një figurë kaq të madhe politike, pas së cilës për disa vite me radhë, jo vetëm shoqëria, por edhe njerëzit e ekzaltuar të saj politikisht, të binin dakord. Shqipëria nuk arriti të kishte një AtaTurk, një De Gasper, një De Gualle, një Havel. Ky vend i shumë vuajtur nuk ka pasur as edhe një Ibrahim Rrugova që mblodhi në fundin e tij të gjithë, në fund të fundit, të gjithë. Problemi është se nuk arritëm të krijojmë dhe mbajmë një figurë politike krejtësisht përfaqësuese dhe në mënyrë determinuese jo të kundërshtuar, e cila të kalonte mbi të gjithë zakonin e poshtër, famëkeq dhe regresist të shkatërrimit të pamëshirshëm, jo vetëm figurave, por edhe të të gjithë historisë dhe trashëgimisë tonë politike. Gati njëzet vite në “tranzicion”, fjalë që zgjatet për t’i shërbyer vetëm hajdutëve dhe përfituesve politikë e nuk janë pak. Janë gati gjysma e kohës së kaluar nën diktaturë të vërtetë dhe të ashpër. Cila është ajo figurë politike e madhe që gjatë këtij “tranzicioni” nuk kundërshtohet ashpërsisht dhe që i ka ndodhur të jetë edhe në krye apo në ballë të shtetit???? Cila? Askush, sepse të gjitha figurat madhore të politikës shqiptare të këtij “tranzicioni” janë dashur apo gjysmë dashur nga njëra anë, por janë urryer nga ana tjetër. Ne vazhdojmë të krenohemi apo të paraqesim përpara botës njerëz të pa diskutueshëm të historisë. Paraqitnin dje me forcë Gjergj Kastriotin dhe sot paraqesim Nënë Terezën dhe kjo sipas një farë leverdie aktuale të prezantimit tonë perëndimor. I ulin dhe çojmë vlerat e rilindësve sipas interesave imediate të aty për atyshme dhe diskutojmë në erë mbi rëndësinë kaq më shumë dhe kaq më pak të figurave. Ne kemi dështuar plotësisht këta 17 vite në nxjerrjen e një figure të madhe të politikës së re properëndimore dhe jashtë tranzicionit idiot dhe problematik tonin. Po pse? Sepse nga partia “mëmë” e dikurshme, nga ku kanë dalë pothuaj të gjithë “yjet” e politikës shqiptare ka pasur një rregull ku “njerëzit e vegjël” duhej të bënin politikë të madhe. Diktatori dhe sistemi i tij i ndërtuar me aq përpikmëri nuk duronte “njerëz të mëdhenj” sepse pastaj jetëgjatësia e sistemit do të ishte shumë e shkurtër. Me “njerëzit e vegjël” në krye të politikës së madhe ka tranzicion të gjatë dhe siguri që ky tranzicion të ketë akoma dhe në vazhdim, jetë të gjatë.“Njerëz të vegjël”, sepse për të arritur deri në ditët e demokracisë janë detyruar të “zvarriten, servilosen dhe për më tepër të aprovojnë apo marrin vendime ku dënoheshin njerëz që kishin tendencën të ishin njerëz të mëdhenj”. Aq më keq kur njerëz të kohës më vonë dhe të baballarëve komunistë me pushtet profesional të pakufizuar po tentojnë po të njëjtën strategji “tranzicioni” dhe rithemelimi të vlerave “lulekuqiste”, medemek për të larguar nga shpina e shqiptarëve “Nano-Berishën”. “Heroi i shtetit demokratik” natyrisht që mungoi në Shqipëri sepse shqiptarët nuk kishin as më të voglin dyshim për lirinë e tyre dhe dëshirën e madhe për të. Menduan se mjaftonte të ishin të lirë dhe se çdo gjë pastaj do të shkonte për mrekulli. Tani pas 17 viteve të ardhjes së pluralizmit shqiptarët nuk kanë një figurë të lartë politike, e cila t’i bashkojë rreth shtetit dhe kombit, e cila të ketë referenca demokracie dhe të ishte formuar si e tillë në demokraci. Natyrisht që nuk kemi nevojë për heronj tashmë, apo për supernjerëzit e politikës që të lëvizin me të gjithë format që dinë, frenat dhe kapistallët e politikës. Kemi humbur shansin për të pasur “njerëz të mëdhenj” të politikës së madhe dhe si pasojë do të vonohemi akoma edhe pak në demokraci, duke thënë se po vazhdojmë rrugën në “tranzicionin” demokratik tonin. Përpara është pranimi në NATO dhe përpara është vazhdimi në spiralen tonë demokratike e cila vazhdon të jetë tepër e pjerrët. Por kjo spirale do të ishte e mira të kishte një ndryshim në politikëqasjen tonë. Ne kemi bërë me njerëz të vegjël një politikë të madhe, e cila doli nga komunizmi, shpëtoi nga lufta civile ku e futi veten në ‘97, krijoi shtetin e dobët demokratik dhe po ashtu edhe institucionet e tij. Mbase ka ardhur koha që të kemi njerëz të mëdhenj për të bërë politikë të vogël. Mbase ka ardhur koha të kemi njerëz në krye të politikës për të zgjidhur problemet e ditës. Kemi nevojë të kemi “heronj” që të sigurojnë drita, dhe ujë. Kemi nevojë për njerëz të mëdhenj që të sigurojnë “gjera të vogla politike dhe ekonomike” si integrimi në Evropë dhe avancimi në drejtim të sistemeve arsim, shëndetësi dhe kulturë. Kemi nevojë për njerëz të lartë në profilin e tyre që sigurojnë infrastrukturë, e cila nuk vidhet në tender dhe nuk shkon vetëm atje ku interesi i militantizmit politik urdhëron. Kemi nevojë për njerëz të mëdhenj që nuk janë “zvarritësh turmash”, por respektues të tyre. Kemi nevojë për njerëz të mëdhenj që nuk tallen me ndershmërinë dhe sinqeritetin. Deri më sot këto që janë, jo vetëm tallen me virtytet, por kanë punuar kaq shumë që hajdutëria të duket si cilësi pozitive, kurse ndershmëria si një diçka që duhet zhdukur nga faqja a dheut. Për më tepër duhen njerëz të profilit të lartë që atë që e thonë e mendojnë dhe për më tepër e realizojnë. Tashmë janë bërë patetikë njerëzit e politikave të mëdha, ku del gjithmonë shantazhi dhe kërcënimi. Njerëzit e vegjël, të cilët kanë pasur në dorë politikat e mëdha të vendit. Me sigurimin e futjes së Shqipërisë në NATO mbaron dhe profili i politikave të mëdha të vendit dhe duhet të fillojë profili i politikave të vogla, por zgjidhëse të problemeve të popullit dhe vendit në veçanti. Ne vërtetuam se nuk kemi njerëz dhe ekipe apo edhe klasë të tillë politike që nis disa beteja të mëdha për të fituar shumicën dhe humbur ndonjë. Ne kemi eksperiencën e trishtuar të nisjes së disa reformave dhe mos përfundimit të njërës prej tyre në mënyrë normale. Mosbesimi dhe kriza si në identitet demokratik dhe atë politik është kudo dhe në çdo segment. Për të ndrequr këtë nuk mjaftojnë njerëzit e vegjël të trashëgimisë komuniste dhe “tranzicionaliste” të vendit tonë. Duhen njerëzit e mëdhenj të cilësive perëndimore që zgjidhin problemet e vogla dhe të shumta, duke përfunduar reformat e nisura me qëllimin pikërisht për ti përfunduar dhe jo për të shitur mënd, apo për të gënjyer zyrat jashtë vendit, se ne e kemi “përnjëmend”. Për këtë qëllim duhen vendosur përballë njëri tjetrit dy grupime. Përballë duhen vendosur njerëzit e vegjël të politikave të mëdha me njerëzit e mëdhenj të politikave të vogla. Natyrisht që të dytët do të sabotohen dhe në të shumtën e rasteve do të kërcënohen, por përfundimisht do të fitojnë, sepse edhe ky popull i zhgënjyer nga politikat e “mëdha” ka kuptuar se demokracia nuk është një margaritar për të cilin si hajduti dhe i ndershmi kujdesen njësoj.

Shkruani nje pergjigje