Triumfon Shqipëria, shpreson në kualifikim

shqipni-2Kombëtarja shqiptare në futboll e ka regjistruar fitoren e parë historike në një Kampionat Evropian duke  e mposhtur Rumaninë me rezultat 1-0, në ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit A. Pas një fillimi paksa më të mirë të kundërshtarit, skuadra kuqezi e mori kontrollin e lojës dhe filloi me rastet e njëpasnjëshme.

Një nga momentet fantastike në gjysmëlojën e parë e pati Ermir Lenjani. Pas një kundërsulmi të Kuqezinjve, Sadiku e gjeti për mrekulli Memushajn, i cili pasoi në zonë te anësori shqiptar që e pati portën e zbrazët, por goditi mbi të. Në vazhdim një tjetër rast të mirë e pati Migjen Basha, mirëpo edhe goditja e tij përfundoi mbi portë. Dhe momenti historik erdhi në minutën e 43-të. Ledian Memushaj tregoi teknikë të mrekullueshme dhe dërgoi një harkim të bukur në zonë, ku e priti Armando Sadiku dhe realizoi me kokë (43’). Ky ishte goli i parë i Shqipërisë në një Kampionat Evropian dhe në këtë mënyrë emri i sulmuesit shqiptar ka hyrë në analet e historisë.

Kombëtarja jonë shkoi në pushim me epërsi prej një goli, ndërsa në pjesën e dytë zhvilloi një lojë më të qetë dhe më defensive. Zëvendësimi i Sadikut me Bekim Balajn e uli paksa tempin e lojës së shqiptarëve, të cilët u angazhuan për ta mbrojtur rezultatin. Dhe kjo u dha zemër rumunëve për të tentuar të shënojnë. Një nga rastet më të mira e pati Florin Andone në minutën e 77-të duke e goditur shtyllën. Inkuadrimi i kapitenit Lorik Cana në minutat e fundit (83’, në vend të Bashës), i inkurajoi Kuqezinjtë që ta kërkonin edhe golin e dytë, por përkundër rasteve të krijuara, nuk u treguan efektivë. Me këtë triumf, Kombëtarja Shqiptare është e treta në Grupin A, me tri pikë dhe do të shpresojë për kualifikim të mëtutjeshëm, gjë që e meritojnë tifozët shqiptarë. Por, kjo do të varet nga renditja e skuadrave në grupet tjera të ‘Euro 2016’.

Shkruani nje pergjigje