Piramida- parabola e tiranisë dhe lirisë

piramida-kadareseNga : Entela  SAFETI – KASI

Shpesh nga kritikë vendas, por edhe të huaj sillet në vëmendjen e studiuesve pyetja; nëse Kadare ishte apo jo disident? Madje në disa raste është ndërtuar teza për mungesën e disidencës në veprën e Kadaresë. Të ishe disident në Shqipërinë totalitare do të thoshte vdekje e sigurt. Nëse disidencën ne e kuptojmë si shmangie nga rryma dhe nga parimet politike të kohës në të cilën janë shkruar romanet, në rastin e Kadaresë kemi sjelljen e çështjes së sundimit të pushtetit politik përmes kodesh të fshehta, ku liria e njeriut asgjësohet. Studiuesi Peter Morgan, për romanin ‘Piramida’ shprehet se; Figura e faraonit të ri në librin “Piramida” (1992), është ndoshta portreti më i mprehtë i diktatorit, i përshkruar njëkohësisht si modernizues dhe si tiran. Keopsi tek ‘Piramida’, kërkon të ndërtojë një piramidë më jetëgjatë se të tjerat, dhe më të madhe. Ngjarjet vendosen në Egjiptin antik. Limiti dhe kufiri i vdekjes, sosjes së jetës fizike të pushtetmbajtësit sundues, kur gjithçka ndryshon formë dhe i takon së panjohurës krijon lidhjen me nevojën për përjetësimin e tij. Kjo duket të ketë qenë dhe të ketë mbetur e vetmja sfidë e pamundur e sundimtarëve dhe diktatorëve nga antikiteti në kohët moderne. Ashtu si e thotë Sofokliu tek ‘Antigona’, vetëm përballë vdekjes njeriu nuk mund të ketë fuqi , edhe tek ‘Epi i Gilgameshit’, kërkimi i barit, ilaçit të përjetësisë duket të ketë qenë dhimbja antike e njerëzimit, e cila mbetet dhimbja e përhershme e tij në evoluimin historik. Në këtë rast, përjetësimi i një sundimtari, shënjon dhe ndërtimin e piramidave, ku faraoni duke u shndërruar në mumie, do të jetë përgjithmonë atje i ngrirë, duke mos lejuar dekompozimin e lëndës së tij të vdekur. Lënda fizike e qenies së cilës i ka ikur fuqia e lëndës psikike dhe shpirtërore, bëhet prioritet i ekspansionizmit njerëzor, ku materializmi si udhëheqës projekton identifikimin me vetveten. Kjo vetvete e cila nuk pranon fundin, synon përjetësinë e qenies të paktën në formën materiale të ngurtësuar. Ky përjetësim i mangët në aspektin e sfidës duket se mbetet jo vetëm tronditja e njeriut por tronditje për krejt njerëzimin! Kështu janë ndërtuar piramidat, sikur piramidat e Faraonëve në Egjiptin e lashtë, por edhe ato moderne si rasti i Piramidës në Shqipërinë diktatoriale pas vdekjes së Enver Hoxhës.

Piramidat, me përsosmërinë e tyre arkitekturore, si ngrehina të përhershme, kanë mbajtur brenda tyre, jo vetëm mumie, por edhe trauma njerëzore. Mumiet nuk ishin të zakonshme, sepse zotët e tyre ishin faraonët. Faraonët si hierarkia më e lartë e pushtetit ndër njerëz, për pavdekësinë e tyre kishin përdorur qindra mijëra skllevër për ndërtimin e përjetësisë së vet. Përjetësimi i vetvetes i sunduesit, ishte njëkohësisht edhe proces i tmerrshëm. Legjendat flasin për sfinksin, dhe sfinksi në mit është roja i piramidës, simboli i një lloj bishe pa gojë, por besnik ndaj anës më të errët të njeriut. Sfinksi si krye-rojtar i piramidës, njëkohësisht është garantuesi i paprekshmërisë së hierarkisë më të lartë të pushtetit në ekzistencën post-mortum, të lëndës njerëzore. Piramida,do të bëhej një prej gjetjeve më brilante të veprës së Kadaresë e sjellë në romanin e tij. Kjo piramidë për të cilën Keopsi kishte një projekt të ndryshëm nga pararendësi,t do të ndërtonte pikëpyetjet e pafundme. Çdo të mbetej pas tij? Piramida në qendër të Tiranës, një monument i arkitekturës në Shqipërinë diktatoriale, mbajti deri në ndryshimet politike monumentin e E.H. Nëse në kohët moderne, busti i diktatorit i skalitur brenda hapësirës së një piramide prej mermeri rikrijonte ekzistencën e tij në post- mortumin e udhëheqësit të lartë të shtetit komunist, mumiet e piramidave të lashta, mbetën përgjithmonë të përjetshme dhe të pacenuara nga asnjë ndryshim i politikave dhe kurseve të historisë. Piramidat ende e kësaj dite kanë mbetur atraktive për turistët nga e gjithë bota, por njëkohësisht ato janë edhe dëshmi të historisë së qytetërimit antik. Shqipëria ashtu si shumë vende të tjera të izoluara do të thyente monumentet e saj të frikshme të cilat i dëshmonin izolimin dhe mungesën e lirisë, ndërsa Piramida mbeti përgjithmonë atje. Pas thyerjes, qindra mijëra bunkerë mbetën në hapësirën territoriale të Shqipërisë, si dëshmi e izolimit dhe tru-shpëlarjes kur shpikeshin armiq dhe shtete armike fantazmë, të cilat do të pushtonin një vend tashmë të pushtuar nga vetvetja. Ky pushtim i Shqipërisë nga vetvetja në izolim absolut dhe mungesë totale të lirisë dhe të drejtave themelore të njeriut, do të shënjonte dhe absurdin më të madh në Evropën e shekullit të Lirisë. Ismail Kadare, me romanin ‘Piramida’, për të cilin kritika botërore do të fliste aq shumë duket sikur ti ketë kumtuar kodet e fatit të mëtejshëm të hierarkisë dhe sundimit politik. Ismail Kadare me këtë vepër, i largohet Perandorisë otomane dhe shkon në antikitetin e qytetërimit të Egjiptit të lashtë, si për të na dëshmuar se mungesa e lirisë dhe dhuna ndaj njerëzimit, nuk është diçka që ka ndodhur në një periudhë ta caktuar disa qindra vjeçare, por ajo është mijëra vjet e vjetër, dhe jeton së bashku me ne, duke na vendosur vazhdimisht në rrezikun e humbjes së lirisë. Kjo humbje e dimensionit të lirisë pavarësisht mjedisit, origjinës, kohës, është një dhimbje universale.

Kjo dhimbje universale e cila dëshmohet nga cepa të caktuar gjeografikë të globit është rreziku më i madh për njerëzimin. Ky rrezik është i barabartë me vdekjen e njerëzimit, me dramën e tij të përjetshme. Ky asgjësim i tmerrshëm i lirisë, i komanduar prej superegos së diktatorëve, është më i dhimbshëm se sosja e jetës fizike njerëzore për shkak të vdekjes natyrale të njeriut. Kjo lloj vdekje e caktuar prej njeriut për njeriun, është fundi i humanitetit, dhe tragjedia më e madhe e qenies humane. Ky bosht qendror i ideve, për çështjen e lirisë bëhet njëkohësisht arkitrau mbi të cilin qëndrojnë vepra të mrekullueshme të letërsisë botërore. Ismail Kadare i përshkruan rrathët e hierarkisë në mënyrë të përsosur. Diktatorët nuk mbijetojnë thjesht falë ndonjë fuqie të jashtëzakonshme të tyre, por edhe falë një pamundësie që njerëzit kanë për ti kufizuar atyre pushtetin. Njerëzit, në rastin e burokratëve, shërbëtorëve, rojtarëve, sigurueseve, lakenjve, spiunëve, janë një ushtri më vete që kanë nevojë për tu shërbyer në këtë lloj ngrehine të hierarkisë, sepse duke u pozicionuar ata mund të sundojnë përmes të parit, të tretët poshtë tyre, e këta të tretët poshtë tyre, janë njerëz të thjeshtë, janë popull, popuj. Ky mesi ku ata vendosen, është ‘mesi i artë’, i greminës dhe gjëmës së mungesës lirisë, e kjo është industri unike, e cila duke qenë e tillë, është vetë ingranazhi i makinerisë që shkakton vdekje dhe krime mbi racën njerëzore. Faraoni, apo i pari në rendin hierarkik, është sa lideri aq dhe kukulla e tyre. Në këtë rast të duket sikur çështjet e pushteteve që degjenerojnë në dhunë, apo edhe e rasteve më të mira të rendeve që garantojnë demokraci dhe të drejta, ta kenë humbur fuqinë e njëshit. Nëse humbja e fuqisë absolute të njëshit është e tillë, atëherë lind mendimi se pikërisht rrethi i mesit të artë, nën majën e hierarkisë është ingranazhi i vërtetë që drejton pushtetin. Si i tillë, as Keopsi dhe as E. H, krimet nuk mund ti kenë kryer vetëm. Një ide e tillë, mbetet një e vërtetë e tmerrshme për denoncimin e krimeve të diktaturave ndaj njerëzimit. Stabiliteti dhe pajtimi i shoqërisë njerëzore në post-diktaturë, nuk mund të kryhet nëse xhelatët dhe viktimat e tyre barazohen në kohën e lirisë. Duket sikur romani ‘Piramida’ të jetë një ftues për pastrimin e shoqërive post-diktatoriale, e cila që të shërohet ka nevojë për hapjen e së vërtetës, dhe e vërteta e saj janë dosjet, arkivat e mbyllura me kode të fshehta. Romani ‘Piramida’ mbetet një dëshmi tronditëse e hierarkisë së krimeve, të ingranazhit dhe aparatit shtetëror, që prodhoi mungesën e lirisë dhe skllavërimin e popujve prej një grupi i cili në krye kishte ‘hirearkun’ apo ‘kukullën’ e vet! Duket se me romanin ‘Piramida’, Ismail Kadare të ketë ndërtuar një ftesë për gjykim të historisë kriminale të aparatit shtetëror të diktaturave, dhe të ketë vendosur para gjyqit të historisë, jo vetëm kreun e piramidës, por krejt aparatin kriminal shtetëror. Pavarësisht rajonit gjeografik dhe kohës, Keopsi dhe koha janë thjesht simbole, dhe nga aspekti i mesazheve që kjo vepër e rëndësishme e letërsisë përcjell, koha në vetvete bëhet universale, dhe mjedisi tretet, pasi tema qendrore, liria dhe humbja e lirisë janë tragjike për njerëzimin, kudo qofshin individët e tij, nga veriu në jug të botës, nga lindja në perëndim të saj, nga antikiteti në kohët moderne.

Shkruani nje pergjigje