74 vjetori i lindjes së poetit eremit Piro Kuqi

piro-kuqiNga : Agim  HAMITI

Piro Kuqi u lind më 25 maj 1942 në Tiranë, ku kreu shkollën e mesme të përgjithshme dhe një kurs të lartë për gjuhën frënge. Megjithëse ai nuk kishte “njolla në biografi”, shkrimtarët e lastuar të “nënës parti” (që sot hiqen si “disidentë” të djeshëm) e vunë në dijeni Sigurimin se «krijimtaria letrare e Piro Kuqit është ajo e një njeriu të pakënaqur nga realiteti ynë shoqëror, sepse poezive dhe tregimeve të tij u mungon krejt partishmëria dhe fryma klasore». Kjo u bë shkak që Piro Kuqi të burgosej qysh në moshën 18 vjeçare (1960) për “agjitacion e propagandë”. Pas kryerjes së dënimit, Piros iu hoq e drejta e botimit dhe u trajtua vazhdimisht si “njeri i dyshimtë” prej Sigurimit.
Izolimi, që i bënte regjimi i dhunës Piros, i përshtatej më së miri temperamentit të poetit shijehollë, i cili preferonte të jetonte si eremit në mes të shoqërisë së fandaksur të “njerëzve të rinj”. Ai i ngryste i vetmuar ditët “revolucionare”, ndërsa netët e ftohta të mjerimit të kuq i kalonte në krahët e muzës poetike. Kështu i qëndruan besnikë ata të dy njëri-tjetrit deri në vdekje: Pirua pa e përlyer me llumin e ndotur të soc-realizmit të dashurën e tij të vetme, Muzën, ndërsa Ajo nuk e braktisi poetin eremit as në pikun e dëshpërimit. Kur një natë dy dashnorët misteriozë po dëgjonin fëshfërimën e një gjetheje, të cilën po e përplaste era pas derës së ndryshkur të kolibes së mjerimit, Muza e nxiti Piron të hidhte në letër këta vargje të mrekullueshëm:

Ik moj fletë nëpër natë,
Të lutem, mos trokit tek dera,
Se dimri ishte kaq i gjatë,
Sa frikë kam dhe nga pranvera…
[dimri = diktatura; pranvera = palodemokracia]

Po në “demokraci” si jetoi poeti eremit, i cili u shua në vitin 2006? Më mirë e shikoni me sytë tuaj në materialin filmik pesëminutësh të përgatitur nga gazetari Edison Ypi, në videon e mëposhtme. Aty shfaqet me gjithë shëmtinë e saj rrëqethëse vazhdimësia e krimeve të diktaturës në “demokracinë” hipokrite neokomuniste. Rivrasja e shpresës u bë shkak që poeti eremit të shkruante shumë vargje të dhimbshëm, si këta:

Përse kam ardhur unë në botë,
Përse, pra, nesër unë do vdes?
Përse kam derdhur kaq lotë,
Përse kam pasur ndonjë shpresë?

Përse askush nuk mund të thotë,
Përse askush s’mund të përgjigjet,
Përse kam ardhur unë në botë,
Përse zemra në vetmi të digjet?

Shkruani nje pergjigje