Udhekryqet e Petro Markos

petro-markoNga : Entela  SAFETI – KASI

Ishte koha kur në Shqipëri dënoheshin shkrimtarët , kur librat zhdukeshin nga qarkullimi sikur ti kishte përpirë lubia e një zjarri të përbindshëm, gjuha e së cilës ishte e gjitha helm. Ishte koha kur shkrimtarët dërgoheshin në qeli, në burgje të ndërtuar enkas për ata, kur drynat e portave të rënda mbylleshin për të mos u hapur kurrë më!
Për partinë shtet raca e shkrimtarëve ishte e rrezikshme,sepse sipas nomenklaturës, ekzistenca e autorëve rrezikonte pushtetin e tyre. Për dështakët dhe të patalentuarit, ndëshkimi i shkrimtarëve ishte një gjellë e preferuar për të kënaqur grykësinë e injorancës duke i siguruar vetes një rrugë ku mund të gjallonin pa hijen e rëndë të së talentuarve. Për xhelozët ishte një mundësi rehabilitimi e egos. Petro Marko, do të shpallej në vazhdën e reprezaljeve një armik i radhës! Vepra e tij do të dënohej si autori i saj. Ai nuk do të kishte më asnjë libër, emri i tij do të shuhej me vijën e kuqe. Në histori nuk do të kishte vend për të, e aq më tepër në Letërsi! Marko, i cili shenjoi një nga kthesat e mëdha të letërsisë shqipe drejt romanit modern, do të dënohej politikisht në Shqipërinë e absurdit! Dikur në periudhën e luftës, në Valenca Petro Marko kishte qenë në të njëjtin takim Ndërkombëtar shkrimtarësh ku ishte Heminguej dhe Neruda. Por ndryshe prej tyre me kthimin në Shqipëri ai do i takonte ‘brezit të humbur’, duke u ndaluar përfundimisht. Markon nuk mundi ta shpëtojë as miqësia me M. Shehun dhe as talenti i tij. Ai do të jetonte në ndëshkim, izolim, survejim dhe do të ishte i ndaluar deri në fund të jetës! Romanet e tij, ‘Nata e Ustikës’, ‘Qyteti i fundit’, ‘Hasta la vista’, dhe ‘Një emër në katër rrugë’, do të dilnin nga qarkullimi.

Shkrimtari nuk do të botonte më asnjë vepër letrare, dhe do të dërgohej andej këndej shkollave si arsimtar. Në çdo rast burokratë meskinë do të shënonin sjelljet e tij në kartën e perfomancës, një lloj karakteristike ku të bie në sy zelli për ta denigruar, fyer, shpallur të paaftë, deri sa partia shtet dhe drejtuesit e lartë kërkonin një shnjerëzim të tij deri sa jeta e shkrimtarit modern të letrave shqipe të shndërrohej në një varrosje për së gjalli për shkrimtarin. Në vitin 1937, Petro Marko kishte takuar Migjenin para se të ikte prej Shqipërie. Koliqi kishte qenë mësues i tij. Në periudhën e monarkisë arrestohet në vitin 1935. Në vitin 1941, dënohet me burgim në Bari. Pastaj burgoset në Romë. Përndjekja vazhdon në Shqipëri kur arrestohet në vitin 1947 dhe dënohet me burg deri në vitet 1950. Rreth 15 vite jetë të shkrimtarit janë një kalvar përndjekjesh dhe burgosjesh të njëpasnjëshme. Ai ishte gjendur në mes të viteve 30 në qendër të debatit intelektual, debat ky që u transferua bashkë me ngjarjet e luftës së dytë botërore në të famshmin shekull të lirisë, ku edhe Petro Marko, do të përballej me gjyqin! ‘Unë nuk e kam tradhtuar luftën Spanjolle, por e quaj për nder luftën që kam bërë. Në qoftë se më cilësoni spiun, mos më dënoni me tre vite, por më jepni dënimin me vdekje! Akuzohem për gjëra që i kam urryer dhe luftuar!”  Në vitin 1975, pas arrestimit të Jamarbër Marko, djalit të shkrimtarit, gjithçka për Petron bëhet e pashpresë. Petro, në kohën e tij së gjalli për shumëkënd mund të ishte një i vdekur që kishte ardhur me leje mbi tokë, dhe nga çasti në çast ai mund të dërgohej nëntokës, aty ku ishin dërguar shumica e shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë të kohës. Padyshim që Petro Marko i takoi brezit të tradhtuar, idealistëve të cilët ishin tepër të rrallë, dhe si shkrimtar ishte apolitik. Marko na ka lënë një nga dëshmitë më të rralla që mund të lenë shkrimtarët; ‘Retë dhe gurët- Intervistë me vetveten’ të cilën e shkroi ndër vite dhe që doli në dritën e botimit nga OMSCA në vitin 2000 nën kujdesin e bashkëshortes së tij dhe vajzës. ‘Një shkrimtar kurrë nuk arrin të shkruajë më shumë se pesëdhjetë për qind të veprave që ka ëndërruar ose planifikuar. Unë ende nuk kam shkruar as pesë për qind’- shkruan Marko tek libri, Intervistë me vetveten.
Dallan Shapllo gjatë mbledhjes për Petro Markos do të shprehej, ‘ Qyteti i fundit’ i pari roman modern shqiptar!’

Shkrimtari i cili në vitet 30 ishte vetëm 17 vjeç, dhe që ishte gjendur mes autorëve të letrave shqipe, si Migjeni e Koliqi, nxënës i këtij të fundit, do të niste golgotën e tij në kapërcyell të luftës së dytë botërore dhe në epokën që bota e shënjoi si ‘age of liberation’ dhe do të ishte një prej të humburve të mëdhenj, në mos humbësi i madh i tradhtuar dhe i përndjekur prej rendit të ri, ku idealet e lirisë dhe të drejtave të njeriut për të cilat ai kishte luftuar dhe vetë, do të shndërroheshin në akuzë dhe bumerang për shkrimtarin.Diktatura e vendosur në Shqipëri, e cila po asgjësonte të vjetrit, në vazhdën e asgjësimeve dënoi edhe Petro Markon. Dosjet e mbyllura në arkiva duhet të mbajnë edhe planin për dënimin dhe ndalimin e Petro Markos. Ai nuk ishte një shkrimtar i zakonshëm, përkundrazi ai ishte pararendësi i romanit modern shqiptar. ‘Hasta la vista’, i takoi vitit 1959 dhe ‘Qyteti i fundit’, vitit 1960. Në 1970 doli pas rishikimit, romani ‘Nata e Ustikës’. Por romani që do ta rëndonte gjendjen e tij ishte, ‘Një emër në katër rrugë’. Romanet e tij do të klasifikoheshin si të rrezikshëm dhe anti- historikë, madje debati do të arrinte kulmin kur Marko do të akuzohej për pornografi në veprën letrare! Denigrimi i Petro Markos, duhej të kishte qenë hartuar në ndonjë plan masash të nomenklaturës së lartë. Në dëshminë jetësore të jetëshkrimit të tij, Marko rrëfen për marrëdhënie të komplikuara me njerëz të pushtetit në Shqipërinë e kohës. Atë e vendosin në qendër të ciklonit, jo vetëm për ta ndaluar por për ta përmbysur plotësisht. Ai ndërron jetë në 27 Dhjetor të 1991 dhe përcillet në banesën e fundit pa ceremoni.  ‘Qyteti i fundit’ dhe ‘Një emër në katër rrugë’, dy vepra të tij duket sikur të kenë shenjuar edhe dënimin, ndaj heronjve dhe krejt brezit të Markos. Ai kishte guxuar të shkruante për luftën si asnjë autor tjetër i epokës së tij. I drejtpërdrejtë dhe i larguar nga politika e sistemit imponues, heronjtë e Petro Markos udhëhiqen nga parime universale sikur liria dhe dashuria, e në të dyja rastet ai nuk bën kompromis. Ai është i vetëdijshëm për fatin e tij në një sistem ku vlera e lirisë dhe dashurisë mund të ktheheshin në bumerang për fatin e tij si njeri, ndërkohë që si shkrimtar do të ndalohej përgjithmonë!

Shkruani nje pergjigje