Ne nuk e duam ndryshimin

Faik-KrasniqiNga : Faik  KRASNIQI
Për t’i analizuar shqiptarët, nevojitet një studim i thellë. Shqiptarët në përgjithësi janë një popull i çuditshëm dhe tragjikomik. Shqiptarit nuk i zihet besë për asgjë, sepse është njeri jo i fjalës dhe i pabesë. Shqiptarët jo që nuk dinë të bëjnë shtet, por nuk duan të bëjnë shtet. Sepse u pëlqen anarkia, u pëlqen të vjedhin, u pëlqen jeta pa ligje dhe rregulla. Prandaj, shqiptarët të gjithë janë njësoj, hajna dhe njerëz që më së paku ose fare nuk e duan atdheun e tyre. Një popull që e do atdheun e vet, nuk e vjedh dhe nuk e plaçkit, kurse ne e kemi gojën plot atdhedashuri dhe si të na jepet rasti bëhemi edhe ne pjesë e vjedhjeve dhe plaçkitjes së shtetit, bashkë me këtë klasë politike, të cilët tash e 17 vite janë Alfa dhe Omega e krimit ekonomik dhe politik të Kosovës. Shikojeni Shqipërinë, që 25 vite nga rrëzimi i komunizmit, akoma shtet jofunksional dhe në vazhdimësi duke u udhëhequr nga një tufë e hajnave, kriminelëve e banditëve.
Komunikimi me njerëzit!
Shikojeni Kosovën, që 17 vite nga çlirimi i saj, shtet jofunksional, duke u udhëhequr po ashtu nga një tufë e hajnave, kriminelëve dhe banditëve, të cilët vetëm e duan pushtetin dhe jo popullin e shtetin. Edhe sot e 100 vite këto dy shtete do të udhëhiqen po nga hajnat e kriminelët, sa do të largohen nga pushteti njëra palë, do të zëvendësohen me palën tjetër që nuk dallon fare me palën që ishte në pushtet. E kjo e gjitha për shkak se kemi patriotizëm fals, nuk e duam atdheun dhe e kemi në gjen hajninë dhe krimin. Ne jemi një popull që në mundësinë e parë që na jepet, edhe ne bëhemi pjesë e hajnisë, vjedhjes dhe shkatërrimit të shtetit. Këtë e has çdo ditë në komunikim me njerëzit, të cilët çdo sekondë e minutë, e shajnë dhe kritikojnë ashpër këtë sistem kriminal të krijuar në Kosovën e pasluftës.
Nuk jemi për një shtet ligjor dhe shtetndërtim!
Por, sapo kapin ndonjë post të lartë ose ndonjë punë të thjeshtë shtetërore, me fanatizëm e mbrojnë këtë sistem kriminal dhe thonë se nuk bën ndryshe, por duhet t’i përshtatemi dhe pajtohemi me këtë sistem, edhe pse është sistem i kriminal, mafioz dhe shkatërrues. Prandaj, ky popull nuk më bind fare që mund ta ndryshojë këtë gjendje të krijuar në Kosovë, sepse pjesa dërrmuese e këtij populli nuk janë për ndryshime, nuk janë për ekonomi më të mirë, arsim dhe shëndetësi më cilësore. Nuk janë për një shtet ligjor dhe shtetndërtim, por e duan dhe e pëlqejnë këtë sistem. Një popull i vetëdijesuar, një popull që e do atdheun e tij, nuk do të lejonte që 17 vite fatin e tij në dorën e një grushti politikanësh mafiozë, kriminelë dhe injorantë. Me një fjalë, ky popull nuk dallon fare me këta që i kemi në politikë, se tekefundit këta nuk kanë ardhur nga qielli, por janë pjellë e këtij populli.

Shkruani nje pergjigje