Një Pulari me vezë aty përballë Kuvendit

1-PULARITENga : Ilir  LEVONJA

Në fakt duhet një Pulari aty, përballë Kuvendit. Një Pulari plot me transportierë vezësh. Eshtë shanci më i madh për shqiptarët. Kjo kohë e dyzuar e politikës, karshi dhunës ndaj njëri-tjetrit. Kjo politikë e dështuar. E mosbashkëpunimit, por e lojës së demaskimit treçerekshekullor. Lojë gjoja në emër të dhimbshurisë së madhe për popullin. E ulërimave të antinjerëzve me titujt më të lartë nga hirarkia akademike e një vendi. E britmave prej egërsirash të antiintelektualëve të asaj shoqërie të shtrydhur nervash. E të drejtës butaforike duke injoruar, përdoruar, masakruar, tallur, shurrosur, groposur, menderosur … sipas oreksit të gruas, djalit, vëllait, gocës , kunatit, kunatës, nipit e mbesës etj…, ligjet apo Kushtetunën e një populli. Kjo politikë prej dimrash të përjetshëm, që ka lënë përjetësisht në baltë, në përmbytje, në krim, në hasmëri, në papunësi, në ikje…, një vend të tërë. Kjo politikë e moratoriumeve…, që për treçerekshekulli e zhveshi. Nuk la mal, kodër, bregore, luginë lumi…, pa rjepur, pa prerë, pa zhveshur e zhvatur. Pa ia zbathur krejt me të pasme e të përparme. Pa ia hequr brekët faunës dhe florës etj. Dhe nga ana tjetër i lavdërohen popullit me prangat e moratoriumeve. Eshtë shanci i madh për shqiptarët. Ndaj dilni… Kjo politikë e moratoriumeve nuk la det zbuluar, ashtu qesim për tu mbytur, zhdukur, degdisur, tregtuar njeriun nga njeriu. Nuk la gomone pa futur, ashtu qesim dhe me shumicë. Nuk la kufijë pa shqyer, rrëzuar e rrënuar. Nuk la ditë pa u thënë shqiptarëve mbathjani. Nga ana tjetër i krenohet popullit për moratoriumet e jetës në det dhe asaj alpine nëpër male. Kjo politikë nuk la minierë pa e shitur shtatëqind herë. I ktheu në arena të vdekjes së gjallë. Të vrasjeve horror. Nuk la laguna pa shitur nga shtatëqind e kusur herë. I ktheu në prona herë të një socialisti të fortë, herë të një demokrati të tillë. Nuk la soje e varietete drogash pa futur. Nuk la soj e sorollop teknologjie kultivimi, përpunimi, paketimi, transportimi. Pa investim e sponsorizim deri duke hapur vende pune me paga marramendëse për ekspertë nga pyjet tropikale të Kolumbisë së ashpër. Aq sa e ktheu me mburrje popullin e vet nga kultivues të grurit, misrit, egjrës…, mallit, që e mban vitale jetën. Në mallin që e çmend, shkallon, çnderon e shthurë atë. Nga ana tjetër i krenohet popullit që e vrau. Se po lutfton ashpër mbjelljen dhe kultivimin e bimëve narkotike. Një politikë që e ka kthyer vendin një Afganistan, Irak, Siri etj… Nga ana tjetër dergon ushtarë në këto vende me paratë e aleatëve. Një politikë që i tha predikuesve radikalë ejani e frymëzoni, shkolloni, ndërtoni kulturën fetare. Nga na tjetër mburret me bashkëjetësen e të parëve të saj. Kur bulevardet i ka mbushur me çallma dhe mjekrra. Me soje që vetëm në bashkëjetesë nuk janë. Me sekte që gjithçka mund t’i konsiderosh. Por vetëm jo shqiptarë. Dërgon ushtarë dhe i mburret popullit që po mbron demokracinë në botë. Dërgon misionarë, u jep fronin misionarëve, duke i lënë varrosur përjetësisht të vetët. Edhe pse mburret me ta. Dhe rasti më ulëritës është Noli. Një politikë që sapo vjen në pushtet…, zhbën në zero gjithçka nga paraardhësi. Dhe në krye të disa muajve rehabiliton, shpik, riprodhon pikërisht ato akte, ligje, moratoriume të zeruara me zell fushatash, fyerje, shpifje, akuza nga më monostruozet ndaj njëri-tjetrit. Rasti më i shkëlqyer…, ligji i plehrave. Jo më larg se dy ditë ministri i jo Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi, pohoi përpara një paneli diskutuesish, përpara një populli se do si qeveri, do rishikonin listën e plehrave. Por tashmë ai nuk do quhet ligji i plehrave, por ligji i mbeturinave. Do ta rishikojnë pasi ky biznes nuk mund të funizohet dot me lëndë të parë vetëm nga degradimet brenda vendit. Nëse keni memorie, akti i parë i qeverisë Rama në prag vjeshtën e vitit 2013-të, qe pikërisht zhvlerësimi i ligjit të ricklimeve. Madje e bëri me pompozitetin e një milion votave.

Duhet pra një Pulari me vezë, pasi kjo politikë e dyzuar, e leshrangjyer. E çirrmave për armiq e tradhtarë. Për kriminelë, xhelatë, bashkëpunëtorë të sigurimit, e demaskimit të pseudonimeve. Bash aty në Kuvendin e një populli, përpara popullit me votën e tij…, bash me kriminelët, me bashkëpunëtorët e sigurimit, me pseudonimxhinjtë trokasin gotat e shampanjës në darkë. Karshi një rrezatimi dritash, batutash, ofiqesh dhe orgjish. Ndërkohë që populli ha darkën me shumicë hormonesh dhe konserva të skaduara nga imformaliteti doganor i dorovitjes…, nën dritën e qirinjëve me mbetje toksike nga Kina e largët. Duhet një Pulari edhe për demagogjinë e përjetshme ndaj diskriminimit, burgosjeve, vrasjeve, torturave, denigrimit nga lufta e klasave. Për faktin e thjesht se martirët e vërtetë vetëm sa janë shembuj ilustrues, në hollet e deklarateve për shtyp. Kur nga ana tjetër investohet në emër të martirizimit pikërisht për xhelatët dhe jo viktimat. Dhe demagogjia më e madhe është pahapja akoma e dosjeve të krimit dhe bashkëpunëtorëve të saj. Ka kaluar treçerekshekulli dhe turp e faqja zezë për një vend në zemër të Europës. Duhet pra një Pulari me vezë edhe për ata intelektualë që janë radhitur në parti. Dhe flasin me mburrje… Për të dhjerat e shefit, për dështimet e tij.

Shkruani nje pergjigje