Ishte koha kur në Shqipëri dënoheshin shkrimtarët…

entela-queen-safetiNga : Entela  SAFETI – KASI

“Don Kishoti e ka të pranishëm tragjizmin e brendshëm që na bën ta duam. Secili nga ne, në një mënyrë,pjesërisht është edhe Don Kishot” – Lasgush Poradeci

Francine Prose, shkrimtare Amerikane dhe gazetare e ‘The New York Times’, Presidente e PEN Qendrës Amerikane, kishte nisur një udhëtim drejt Shqipërisë në pranverën e vitit 2009. Shkrimtarja amerikane e cila e njihte botën shqiptare të letrave prej leximeve të Kadaresë dhe shtypit ndërkombëtar me çështjen e Kosovës që ende trondiste botën intelektuale përtej Atlantikut, u shpreh: ‘Unë e lexoj Shqipërinë si shkrimtare, dhe kështu lexoj edhe mjedisin në të cilin gjej vazhdimisht fantazma, ku në tryezën e darkës janë ulur njëkohësisht xhelatët dhe viktimat e tyre, por në art, në letërsi kjo ulje më trishton, më dhemb! Këtë nuk mundem ta kuptoj.’  E solla këtë parantezë nga kujtesa e një kohe jo të largët, për të ndaluar pikërisht tek ajo që do të më rikthente edhe një herë tek leximi i Migjenit, Lasgushit, Markos, Kadaresë, disa vite më pas.  Migjenit dhe Lasgushit të skajuar në mënyra të ndryshme sa herë, në vitet 90 i kthehesha duke shfletuar ‘Veprën Letrare 5, të Mitrush Kutelit, e cila sapo kishte dalë nga shtypi në Dhjetor të viti 1990 nga Shtëpia Botuese ‘Naim Frashëri’. Ndërkohë I. Kadare, në të njëjtën periudhë kishte artikuluar refleksionin e tij si shkrimtar për Lasgushin dhe kishte botuar, ‘Ardhja e Migjenit në letrat Shqipe’. ‘Vallja e Yjeve’, botimi i vitit 1933, një prej 500 kopjeve të botuara në Rumani prej Shoqërisë së shqiptarëve të Bukureshtit, ishin një dhuratë e çmuar e cila mbahej në raftin e librave të familjes. Po ashtu i çmuar ishte edhe një prej 500 kopjeve të para të Migjenit, ‘Vargjet e Lira’, botuar për herë të parë në vitin 1936, kur autori i veprës ishte mësues në Pukë, dhe kishte financuar vetë botimin e librit, pasi kishte bërë të gjitha procedurat përfshi edhe korrektimin e tekstit letrar, pasi Komisioni për shqyrtimin e librave në Ministrinë e Kulturës Popullore kishte dhënë pëlqimin për qarkullimin e vargjeve të Lira të Migjenit. Në parathënien për L. Poradecin, në tekstin që Kadare shkruan me rastin e botimit të Lasgushit nga Onufri në vitin 1998, mes të tjerash Kadare shkruan: ‘vajtja e Lasgushit në shtëpinë e tij në Pogradec, në të njëjtën kohë ishte ‘daljeje e tij nga vendi’, ishte dalje jashtë kohës, jashtë sistemit të rëndomtë të të menduarit’  . Kadare shkruan se: ‘këtij poeti të mallkuar shqiptar i duhet vetëm edhe një hap që të mbërrijë dhe kalojë kufijtë e jetës, që të shkelë në shkretëtirën danteske’ ( Don Kishoti tek Shqiptarët, Ali Aliu) . Në bisedat me të I. Kadare kujton ‘më pas e pyeta se vërtet kishte harruar në ç’regjim jetonim, apo ishte një trill? Ai më vështroi gjithë zemërim: e kisha harruar vërtet’ –tha, ‘poetit i lejohet çdo gjë’. Lasgushi kishte vetëdijen e thellë, dhe njëkohësisht do të sakrifikohej deri në fund në emër të artit, e kështu ai nuk pranoi asnjë kompromis tjetër. Në këtë vetëdije ai kishte bindjen e tij se:’ një poet i cili arrin të shkruajë dhjetë poezi të mira, me të vërtetë është gjeni. Mbase edhe një poezi e vetme, në qoftë se e shënon shekullin, mjafton për një autor’
Ishte koha kur në Shqipëri dënoheshin shkrimtarët , kur librat zhdukeshin nga qarkullimi sikur ti kishte përpirë lubia e një zjarri të përbindshëm, gjuha e së cilës ishte e gjitha helm. Për partinë shtet raca e shkrimtarëve ishte e rrezikshme. Për dështakët dhe të patalentuarit, ndëshkimi i shkrimtarëve ishte një gjellë e preferuar për të kënaqur grykësinë e injorancës duke i siguruar vetes një rrugë ku mund të gjallonin pa hijen e rëndë të së talentuarve. Për xhelozët ishte një mundësi rehabilitimi e egos.

Shkruani nje pergjigje