Keshtu ka ndodhur….

queen-safetiShkruan : Entela  SAFETI – KASI

Vdekje, vrasje, krime, viktima dhe heronj prisnin rikthimin drejt tyre. Koka më rëndonte plumb, po ashtu edhe trupi. Isha e dërrmuar. Mes lodhjes dhe trishtimit më kishte kapur gjumi. Në ëndërr më shqetësuan vazhdimisht sytë e zinj e të akullt të Kasandrës. Dëgjoja krisma armësh. Shikoja njerëz që bashkoheshin me njëri-tjetrin në një turmë të madhe, njerëz që grindeshin, shaheshin, e, ndaheshin në dy kampe. Dikush ndërtonte, dikush rrëzonte një monument. Atyre që e rrëzonin, u binte monumenti mbi kokë, mbi gjymtyrë e mbi trup. I zhdukte. Tashmë, kishte më shumë njerëz, të panjohur, të njohur, e midis të njohurve, persona publikë që i kishte kapur rënia e monumentit. Krisma armësh, gjak, piskama grash, e ulërima bebesh. Diku më tutje ndërtohej monumenti i atyre që i vriste monumenti i rrëzuar. Përsëri gjak, ulërima bebesh, e kuje grash të veshura në zi. Funeral, kortezh i pafund, diku Adrian Konica, as i gjallë e as i vdekur, klithma e Deas… larg, shumë larg dukej Ezopi i veshur me zhele skllavi. Duart e këmbët i kishte të lidhura me zinxhir telash me gjemba. “Ku shkoni”? – e pyeta.“Drejt shkëmbit, Klea”! – Ushtoi zëri i tij. Pastaj vështrimi i Kasandrës, i zi, i akullt. “Mos m’u kthe kurrë më, nëse edhe ti më shkon në pakthim”! Kisha bërtitur. Isha zgjuar prej zërit tim. Përjashta kishte nisur të zbardhte drita e një dite të vështirë. Mendova se ëndrrat janë shkarkesa e trurit të lodhur. Por ëndrrat kanë qenë vazhdimisht parathënie e asaj që ka ndodhur më vonë, sidomos kur ato kanë qenë të jashtëzakonshme. Kështu ka ndodhur edhe në mite, edhe në shkrimet e shenjta. Në historinë e njerëzimit ato shpesh kanë qenë profetike.

Shkruani nje pergjigje