Adami iku vetë nga parajsa

adami-evaNga : Arjan  BEJKO

Thuhet se Adamin e përzunë nga parajsa, por e vërteta është krejt ndryshe. Ai iku vetë dhe ia mbathi nga sytë këmbët, natën, pa kthyer kokën pas. Iku pa këpucë, si thonë shkodranët. Parajsa ishte e shkëlqyer, parajsë hesapi, e mbushur me lule, zogj dhe ujvara si kristali. Kafshëve nuk iu ndihej zëri.
Hijenat ishin të urta dhe çdo gjë e bënin me qetësi dhe dashuri. Luanët ishin si dele. Adami i gjuante me shpullë syve, e luanti e shikonte me mallëngjim, si lopa kur sheh lëndinën e gjelbër. Tigri i bëhej jastëk kur Adami donte të dremiste, kurse gjarpëri i lidhej si rrip në mes kur ai dilte i vetëm në shëtitoren midis palmave. Problem për Damen(kështu i thërrisnin shkurt) ishin njerëzit ose më saktë dy gratë e tija dhe shoqëruesi i tyre, sepse parajsa kishte vetëm katër njerëz gjith e gjith: ai, Eva, Rebeka dhe Leva. Rebeka brune dhe Eva bjonde ishin dy femra të bukura, po t’i krahasoje me Levën. Leva nuk ishte as grua as burrë, as mish as peshk. Leva ishe hermafrodite, tre të pestat grua dhe dy të pestat burrë. Mirëpo Leva ishte faktor kyç në jetën erotike të parajsës, edhe pse në kokën e tij-saj leshi kishte peshën më të madhe. Çdo gjashtë muaj në parajsë zhvilloheshin zgjedhje erotike. Subjekti i këtyre zgjedhjeve ishin gratë. Kjo ishte shkruar në kushtetutën e parajsës, të firmosur nga kapiteni i anijes«Sexpression» K. Kandari, i cili kishte ardhur nga 10 vjet-dritë larg, bashkë me ngarkesën e tij njerëzore, katër banorët e parë të parajsës. Jashtë parajsës kishte qënie gjysëm-njerëzore sa të hante dreqi, por ata ishin primitivë të shëmtuar dhe flisnin vetëm me gishta, kurse gojën e kishin vetëm për të ngrënë. Një ditë më parë, para se Adami t’ia mbathte në drejtim të panjohur, ishin zhvilluar zgjedhjet erotike, ku do caktohej gruaja gjashtëmujore e Adamit. Ai kishte shpresuar të rizgjidhej Rebeka brune si grua e tij, e cila kishte qeverisur jo keq në gjashtë muajt e fundit . Mirpo zgjedhjet vareshin nga Leva pushti-pushtja. Eva votonte veten, Rebeka gjithashtu. Leva e kishte të ndaluar të votonte veten. Pra Leva përcaktonte qeverinë erotike të parajsës. Kjo i kishte dhënë Levës shumë pushtet, të cilin ai-ajo e shfrytëzonte për privatizimin e parajsës. Para gjashtë muajsh votoi për Rebekën, e cila i hodhi firmën për lumin e parajsës. Tani votoi për Evën, se ajo i hodhi firmën për shetitoren e Prarajsës. Sipas kushtetutës qiellore të kapiten K.Kandarit Adami nuk pyetej për pronat. Pronë e Adamit ishin vetëm hallatet e tij – Mos! – bërtiti Adami, kur pa se Leva kishte votuar Evën këtë radhë. Mirë pa toka, mirë pa prona, mirë që vetëm dy gra me numërim, por edhe ta zgjedh vetë gruan time nuk lejohem, por varem nga Leva që kupton vetëm pronësinë dhe nuk njeh fare dashurinë. Kështu Adami iku nga parajsa në xhungël, ku majmunet e adhuronin si perëndi. Nga dashuria me majmunet lindi një racë e re njerzore midis xhunglës me kafshë të egra, kurse parajsa i mbeti me tapi Levës, i cili i përzuri më pas prej andej edhe Evën bashkë Rebekën, të cilat morrën rrugën për Janinë.

Shkruani nje pergjigje