Raporti sekret i OSBE: Rama, pasuri 200 mln euro. Meta, Zëra se porositi dy vrasje. Berisha thashetheme për Fazlliçin

osbeOSBE-ja ka përgatitur një raport sekret për politikanët shqiptarë, ndaj të cilëve janë ngritur akuza të rënda. Për OSBE-në, kryeministri i tanishëm, Edi Rama ka një pasuri prej 200 milionë eurosh. Më e rëndë është akuza për kreun e LSI-së, Ilir Meta. Në këtë raport thuhet se “Meta ka porositur 2 vrasje në kohën kur ishte zv/kryeministër”, por nuk jepen vitet se kur. Të dhënat u referohen informacioneve konfidenciale, ato të publikuara në media apo kabllogramet e ambasadës amerikane, të publikuara nga Wikileaks. Në dokumentit konfidencial, që OSBE e ka shpërndarë edhe në selitë diplomatike të BE-së dhe SHBA-së thuhet se janë kryesisht 31 deputetë të parlamentit shqiptar, të konsideruar si biznesmenë, anëtarë të të gjitha partive politike, shumica e të cilëve të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Për herë të parë një raport ndërkombëtar përmend shifra mbi pasurinë e kryeministrit Edi Rama, fshehjen e saj në SHBA përmes të vëllait, Olsi Ramës dhe akuzat për ryshfet me lejet e ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. Për Ilir Metën raporti evidenton interesat e tij në biznese si ndërtimi, turizmi, materialet e ndërtimit dhe në fushën e energjetikës dhe flet të lidhjeve të tij me aktorë të mafias. Për Sali Berishën, raporti konfidencial i OSBE përmend investigimin e BIRN mbi lidhjet e tij me Damir Fazlliç dhe dyshimet për përdorimin e influencës së tij nga i biri dhe e bija,  për të bërë biznes në shuma marramendëse .

“Edi Rama (PS): Kryetar i PS, Kryetar i Bashkisë së Tiranës 2000 – 2011 dhe tani Kryeministër. Është folur shumë në lidhje me dyshimet për përfitimin e një tarife për lejet e ndërtimit, me rreth 10 – 20 % të vlerës së ndërtesave. Shumë i kujdesshëm për të operuar nëpërmjet personave të tretë, ai ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në korrupsion apo krime. Pasuria e tij përflitet të jetë rreth 200 milionë euro, të investuara në kompani “offshore” përmes vëllait të tij, Olsit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2009 Berisha i ofroi medias një dosje voluminoze të lejeve të ndërtimit të dhëna nga Rama për disa figura kyçe të PS dhe aleatëve (Fidel Ylli, Koço kokëdhima, Valentina Leskaj, Tom Doshi, Nard Ndoka, Sadri Abazi etj janë përmendur në këtë kontekst), në kundërshtim me ligjin dhe shpesh duke u mohuar të pronësinë e ligjshme pronarëve të mëparshmë. Berisha deklaronte se në total shuma e këtyre prapësive ishte rreth 750 milionë euro”.

Meta, Ilir (LSI): Kryetar i LSI, ish Kryeministër dhe Zëvendëskryeministër, aktualisht Kryetar i Parlamentit. Interesa në ndërtim, turizëm, materialet e ndërtimit dhe energjitikë. I dyshuar për lidhje të forta me aktorë të mafias, kryesisht nga Jugu i Shqipërisë. Ka zëra se urdhëroi të paktën dy vrasje ndërsa ishte Zëvendëskryeministër. Halit Shahini, ortak dhe korrier i Metës, dyshohet të ketë lidhje të forta me grupe kriminale në Shijak, të përfshira kryesisht në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Berisha, Sali (PD): Ka thashetheme të përhapura rreth përfshirjes së familjes Berisha në biznese dhe aktiviteteve të paligjshme. Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, (BIRN) publikoi një investigim të zgjeruar mbi atë se si rrethin i ngushtë i Berishës kishte përfituar kontrata toke disa miliona euroshe në bashkëpunim me Damir Fazliç – një biznesmen i përfolur nga Bosnje – Hercegovina dhe mik i Berishës.

Dokumenti flet edhe për lidhjet disa deputetëve nga të gjitha partitë politike me aktivitete të paligjshme, trafik droge e lidhje me krimin e organizuar. Ky raport me siguri përbën një dokument tepër të rëndësishëm, pasi në fund të tij ai përmend faktin se këto lidhje të politikës me krimin janë pengesa kryesore e integrimit të Shqipërisë në BE. Ky fakt e bën edhe më jetike betejën e fundit që ka nisur me dekriminalizimin. Javës që vjen OBSE do ta bëjë publik qëndrimin e saj zyrtar për këtë çështje, në Vjenë .

Shkruani nje pergjigje