Pikë e artë, askush s’e mund këtë skuadër

kombetarja-danimarkeKombëtarja jonë, Shqipëria, ka arritur që të nxjerrë një barazim të artë pa gola në udhëtim te Danimarka, sfidë kjo e zhvilluar në Kopenhagen dhe e vlefshme për kualifkimin në Euro 2016.

Media ka raportuar qysh nga mëngjesi në kohë reale për ndeshjen, teksa të konfirmuar sipas informacioneve tona janë mbi 3 mijë shqiptarë në stadium në Kopenhagen. E këta tifozë ishin të zëshëm, na bënë të drithërohemi, por jo vetëm. Pasi performanca e lojtarëve të Shqipërisë ishte tepër pozitive, duke u shfaqur më rrezikshëm se sa vendasit e Danimarkës. Cana startoi në mbrojtje krahas Ajetit, teksa debutoi në krah Xhemshiti. Sulmi ultra i rrezikshëm përbëhet nga Gashi – Cikalleshi dhe Lenjani, që kishin mundësitë e veta.

Pas një dominimi në posedim në start, Danimarka nuk arriti asgjë më shumë. Ishin djemt tanë që rrezikuan shumë kur pas një harkimi të Lenjanit, ishte Cikalleshi ai që me kokë për pak sa nuk e befasoi portierin Schmeichel. Në vazhdim ishte sërish Shqipëria që rrezikoi. Së pari Gashi me një gjuajtje nga distanca dhe më pas një superakcion sërish i filluar nga Gashi, e gjeti Lenjanin i cili për pak nuk e kaloi në epërsi Shqipërinë. Fillimi i pjesës së dytë i takoi plotësisht Danimarkës, që e dominoi lojën dhe kishte raste me anë të Bendtner. Sensacional u tregua Berisha i cili ndali tri raste të pastra të danezëve, duke u bërë edhe hero. Krejt në fund të takimit Odise Roshi depërtoi në krah për të krijuar një super mundësi, por pasi vendosi të mos pasonte, edhe goditjen e tij e ndali portieri Schmeichel. Me këtë barazim Shqipëria ka të gjitha gjasat për kualifikim, pasi ka 11 pikë në vendin e tretë, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar se Danimarka. Të hënën Shqipëria e pret Portugalinë, ku secili rezultat pozitiv, do të bënte hapin e parë të madh drejt kualifikimit. E rëndësishme është – jemi të pamposhtur. Të vetmit në grup. Dhe jemi shumë pranë Euro 2016.

Shkruani nje pergjigje