Djalli dhe diktatorët

kutia-djallNga : Arjan  BEJKO

Pasi i studjoi dosjet e gjithë diktatorëve, prej Gilgameshit e deri tek Millosheviçi djalli caktoi katër prej tyre si pretendentë kryesorë për çmimin«Zifti». Fituesi i këtij çmimi do të futej përjetësisht në një fuçi zifti të vendosur mbi zjarrin e përjetshëm.
Katër pretendentët për çmim ishin Hitleri, Stalini, Enveri dhe perandori romak, Neroni i çmëndur. Tre të parët shpresonin që t’i shpëtonin çmimit «Zifti», sepse mendonin që Neroni kishte më shumë krime mbi supe. Neroni kishte urdhëruar të vrisnin nënën e tij Agripina, bashkëshorten Oktavia, vëllain-thjeshtër Britanikus, por kryesorja ai kishte përndjekur e masakruar të krishterët, pa llogaritur zjarrin që i vuri Romës, për të hapur vëndin ku do të ndërtonte një Pallat gjigand për vete.  Djalli gati po bindej se Neroni ishte më i poshtri nga të katër diktatorët dhe dha urdhër të sillej fuçia me serë Selenice. Mirpo djalli, edhe pse djall, nuk dënonte asnjë pa dëgjuar edhe argumentat mbrojtëse të të pandehurit.
– Zoti Djall, po më dënoni padrejtësisht dhe po i dilni zot tre diktatorëve që janë shumë më barbarë se unë. – tha Neroni me bindje.
– Ku bazohesh që ti je më pak kriminel se ata?- ndërhyri djalli.
-Unë vrisja, prisja, digj’ja dhe masakroja, por pasi vdiste viktima, unë ia dorëzoja kufomat ose të paktën kockat, familjarëve që t’i varrosnin si njerëz. – u mbrojt Neroni.
– Kjo nuk ishte merita jote, por e ligjit romak, që nuk lejonte keqtrajtimin e të vdekurve. – folën në kor tre diktatorët, që e nuhatën menjëherë rrezikun e çmimit «Zifti».
– Po, ashtu është! – pranoi Neroni. Ligji romak nuk e lejonte keqtrajtimin e të vdekurve, por kush më pengonte dot mua, ta shpërfillja ligjin e vendit tim, ashtu si vepruat ju të tre tërë kohën e sundimit tuaj.
– E di ç’keni ju të tre? – iu drejtua djalli i bindur tre diktatorëve. Merreni e hidheni në short çmimin«Zifti». Secili prej jush është më i përbindshëm se Neroni.

Shkruani nje pergjigje