Politikanët, morali dhe narcisizmi

Skorrupsioni-modelhkruan : Fitim  ZEKTHI

Në dekadat  e fundit të shekullit të kaluar, studiues të shumtë të shkencave sociale  nisën të përdorin dendur togfjalëshin ‘luftë kulturore’ për të përshkruar debatin apo konfliktin e madh mes vlerave që mbroheshin nga tradicionalistët apo konservatorët dhe progresistëve apo liberalëve dhe majtistëve.  Fred Hutchison, një filozof amerikan, thotë se armatën që sulmon, që përkufizon termat dhe që dominon këtë luftë e përbëjnë forca që kundërshtojnë idenë e një ligji moral universal. Një zë i fortë në këtë bashkësi, janë përkrahësit e revolucionit seksual përfshirë homoseksualitetin, feminizmin, normalizmin e lirisë seksuale, shthurjes dhe ata pro abortit. Në këtë bashkësi një peshë shumë të madhe kanë edhe mbrojtësit e relativizmit kulturor. Këta kundështojnë idetë e të vërtetës, bukurisë dhe cilësive të natyrshme në vetvete.  Gjithë kjo lëvizje kërkon të zhbëjë trashëgiminë kulturore dhe spirituale  dhe  ta zëvendësojë atë me një cekëtirë kulturore, ku thelbi janë imazhi dhe shfaqja.

Kjo kulturë e re vendosi në qendër të gjithçkaje egoizmin e njeriut. Fridrih Niçe nga fundi i shekullit të 19 tha se “Zoti vdiq”. Ai  kishte parasysh njeriun në periudhën moderne që po merrte trajtë i cili nuk besonte në një bashkësi parimesh transhedentale sipas të cilave duhet të jetonte. Në vend të një rendi universal  që i jep kuptim, qëllim  dhe drejtim jetëve të njerëzve, njeriu modern mendon se është vetë ai që ka për detyrë të përcaktojë kuptimin dhe qëllimin e ekzistencës. Pra njeriu vdekatar, vret Zotin dhe kështu nuk ekziston më një autoritet më i lartë të cilit ai duhet t`i përgjigjet. Niçe përshkruan si pikën bazë të kësaj kthese gjigande në kulturën e perëdimit shekullin e 19. Ai shprehet se vdekja e Zotit nuk do të thotë se njerëzit nuk besojnë më në Zot. Ata besojnë ende, por jetojnë dhe sillen sikur besimi nuk ka rëndësi. Pra, vdekja e Zotit është fundi i besimit tek absolutja. Ajo më shumë ka kuptimin e humbjes së parimeve më të larta, para të cilave njerëzit mbajnë përgjegjësi. Absolutja e re që krijohet  është njeriu me arsyen por edhe me dëshirat dhe egon e tij. Kjo është edhe bota që kërcënon ekzistencën e njeriut. Vrasja e Zotit, thotë Niçe,  krijon një shkretëtirë që përhapet gjithandej dhe e bën jetën e njeriut bosh dhe pa kuptim. Në këtë kuptim vdekja e Zotit sjell vdekjen e njeriut. Sot është e qartë se vrasja e Zotit nuk e ka bërë njeriun më të lirë, as më të lumtur dhe sigurisht as më etik. Shkretëtira rritet dhe pamja e saj më e qartë është narcisizmi.  Narcisizmi është kudo, në veshje, në qëndrim, në  biseda, në rritjen e jashtëzakonshme të biznesit të parukerive, në  sulmet ndaj tjetrit, në ndërtimin e “tjetrit” etj. Narcisizmi është tek fyerjet,  banaliteti i muzikës dhe rrahjet mes këngëtarëve. Ai është tek  sharjet dhe agresiviteti në rrugë, tek hashashi dhe kokaina, tek tatuazhet pa fund, tek ….  Narcisizmi është tek analistët e shtypit që i drejtohen me letra njëri tjetrit, që lëvdojnë dhe kritikojnë njëri  tjetrin, që i marrin intervista njëri tjetrit. Narcisizmi është në politikë, është në mbledhjet e qeverisë, në sallën e parlamentit, në fotot selfie, në fjalimet e pafundme, në mburrjet dhe sharjet, në strehën e re kryeministrisë, në kërpudhën në oborr të saj. Në qendër të gjithçkaje është vetja e pagabueshme, njeriu që di gjithçka, që ka në dorë gjithçka dhe që nuk varet nga asnjë forcë tjetër. Në të vërtetë narcisizmi është një dashuri e çekuilibriur për veten, vetadmirim, vetadhurim. Narcisizmi nuk njeh pushime (të asnjë lloji e jo më verore.) Ditë të tilla janë gati një habitat natyror i tij. Foto misesh, këngëtaresh, sportistësh, politikanësh në plazhe kinse të kapur pa mendje, momente gjasme intime (narcisizmi nuk ka intimitet, ndryshe kujt do i shfaqet) dalin në gazeta dhe televizione.  Kryeministri shihet në Dhërmi me të shoqen dhe djalin e vogël teksa luajnë në ujë.  Disa ditë më parë ai ishte tek të rinjtë socialistë në një kamp veror në Jal dhe iu kërkoi atyre të bënin qejf (duke thënë kështu korrigjoi ministrin Tahiri që iu tha të bënin qejf me kujdes). Kreu i  kuvendit bën humor dhe noton në Jal me kreun e PDSH së Maqedonisë, Menduh Thaçi.  Saimir Tahiri u pa në faqet e shtypit me mjekërr teksa ishte në Sarandë. Thuajse asnjë ministër nuk mbeti pa nxjerrë në shtyp foto nga plazhet deri edhe ministri Panariti. Në Tiranë show narcisist është i përditshëm. Kryetari i bashkisë Erion Veliaj pasi mori detyrën në një ceremoni inauguruese spektakolare, mes rrezellimit të tapeteve, dritave të blicëve dhe kamerave po shkon lagje më lagje, po hipën autobus më autobus duke pushtuar ekranet. Ai ka bërë aktin më të padëgjuar nga një kryetar bashkie: ka mbajtur (live në të gjithë televizionet) fjalim para punëtorëve të pastrimit. Narcisizmi është një sëmundje nga e cila vuajnë tërë shoqëritë e sotme kudo. Në rastin e vendit tonë ai ka një përmasë totalisht shkatërruese dhe ka pushtuar çdo kthinë, detaj apo qelizë të jetës së asaj që duhet të jetë elita e vendit. Narcisizmi është i rrezikshëm sepse ai të çon në një dashuri të çekuilibruar për veten, në vetadmirim dhe vetadhurim.  Për një njeri të tillë ekziston vetëm ai dhe gjithçka tjetër kthehet në zgjatim të tij. Narcisët nuk falin dhe nuk harrojnë. Ata zhyten në obsesione të frikshme. Dhe Shqipëria vuan dhe ka vuajtur shumë dhe gjatë nga sëmundje të tilla.

Shkruani nje pergjigje