Gjana: PD e Basha mos vazhdojnë duke mashtruar shqiptarët. Premtimet elektorale, aspak serioze

sulejman_gjana_okKreu i legalistëve, Sulejman Gjana, hodhi sot kritika të ashpra ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe partisë që ai drejton, duke e konsideruar liderin demokrat Basha dhe PD-në, si shkaktarë kryesore të humbjes së zgjedhjeve vendore nga opozita. Madje, Gjana shkon edhe më tej në prononcimin e tij publik, duke ngritur pikëpyetje mbi luajalitetin e PD-së në këto zgjedhje ndaj qytetarëve shqiptarë ku, sipas tij, u humbën edhe disa nga bashkitë më të rëndësishme në vend.

Në një intervistë të dhënë për “shqiptarja. com”, kreu i PLL-së shprehu bindjen e thellë se PD-ja duhet reflektojë e të kthjellohet, të analizojë situatën paszgjedhore qartazi e haptazi, për të evidentuar gabimet e rënda të kryera prej saj. Sipas kreut legalist, u gabua rëndë në disa drejtime, duke filluar me mosrespektimin e marrëveshjeve me partnerët dhe aleatët dhe më pas me mosrespektimin e qytetarëve shqiptarë, ku PD-ja e drejtuar nga z.Basha i trajtoi zgjedhjet lokale si të ishin zgjedhje qendrore. Kreu i legalistëve akuzoi drejtpërdrejt Partinë Demokratike dhe z.Basha si shkelës të marrëveshjes së negociuar e miratuar bashkarisht,mes PLL dhe PD, ku askush nuk iu imponua askujt për këtë marrëveshje të nënshkruar nga të dyja forcat politike, por që nuk u zbatua aspak në realitet nga Partia Demokratike dhe z.Basha. Një qasje të gabuar, sipas Sulejman Gjanës, PD-ja e drejtuar nga z.Basha pati edhe në lidhje me premtimet aspak serioze drejtuar qytetarit shqiptar, duke vënw në pikëpyetje edhe qëllimin kryesor të të hyrjes së PD-së në këto zgjedhje vendore. “Gabime shumë të rënda këto, të cilat i japin realisht të drejtë qytetarit shqiptar që të mendojë se mos vallë ka qenë qëllimtë nga Partia Demokratike dhe lidershipi i saj që të humbasin në këtë nivel zgjedhjet vendore”, tha Gjana.

Shkruani nje pergjigje