Kadare dhe qasja komuniste ndaj historisë së sundimit otoman

indrit_vokshiNga : Indrit  VOKSHI

Pak vemendje ! Në lidhje me Ismail Kadarenë dhe shkrimin e tij mbi shkollat në Perandorinë Otomane, meqë shumë miq mu drejtuan duke më thënë “Kush je ti për ta gjykuar Kadarenë”, sepse ai ka emër dhe u dashka t’i nënshtrohemi çdo pasaktësie të tij, kam vendosur ta argumentoj pak më hollësisht ku gabon Kadareja në shkrimin e tij.

Ismail Kadare shkruan: ” Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla. Prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin! Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në “perandorinë tolerante”, përveç njërës: gjuhës shqipe”. Cfarë duhet të kuptojmë me “shkolla publike turke”? A mos qenë shkolla në të cilat mësohej gjuha etnike turke? Në historinë e arsimit në Turqi sot, thuhet se para themelimit të Republikës (1923), arsimi nuk kishte karakter kombëtar turk. Kjo sepse arsimi në Perandorinë Otomane, mbështetej tek medresetë. Medresetë ishin shkolla në gjuhën arabe në të cilat mësohej Kurani. Pra ato që Kadare i quan “shkolla publike turke”, nuk kanë qenë turke, as për nga emërtimi, sepse janë quajtur medrese, dhe as për nga kurikula, sepse kanë funksionuar mbi gjuhën arabe dhe mbi mësimet e Kuranit dhe jo mbi gjuhën etnike turke. Lypset sqaruar diçka e rëndësishme.

Në vitet 1500, Sulltan Selimi I, mori kalifatin musliman me fjalët “Jam kalif i Allahut, në gjatësinë e gjërësinë e tokës”, e kësisoji, duke u bërë mbrojtëse e Mekës dhe e Medinës, familja e osmanëve ngriti një perandori universale muslimane, pa etni e pa rraca, të mbështetur vetëm mbi fenë. E duke qenë e tillë, perandoria nuk vendosi njërën etni mbi tjetrën, sepse as nuk kishte si ti vendoste, ngaqë nacionalizmi etnik, lindi vetëm në vitet 1800, si lëvizje politike e kulturore e popujve kundër perandorive. Pra ka qenë koncept i panjohur për kohërat mbi të cilat po flasim. Nuk duhet të dalim nga konteksti i kohës. Ndaj edhe sistemi arsimor, nuk ka qenë e mundur të jetë sistem laik, etnik dhe i centralizuar, si ai që u projektua dhe u aplikua nga lëvizjet nacionaliste në fund të viteve 1800 dhe në vitet 1900. Pra është një manipulim i madh të thuhet se perandoria ishte armiqësore vetëm dhe ekskluzivisht ndaj gjuhës shqipe, në një kohë kur as gjuha etnike turke nuk lejohej të lëvrohej. E bash për ketë arsye, edhe nacionalizmi turk, si çdo nacionalizëm tjetër, luftoi kundër dinastisë perandorake, duke potencuar se kjo dinasti, kishte mohuar të drejtat kombëtare të popullit turk. Nacionalizmi turk arriti aq larg, sa që pas Mexhlisit të Madh e dëboi dinastinë osmane nga Turqia dhe anëtarët e kësaj familjeje morrën rrugët e mërgimit. Shkolla e Pandeli Sotirit që përmend Kadareja, ka qenë shkollë laike. Por a e dinë Kadareja dhe pasuesit që e citojnë krejt zell, se turqit vetë nuk patën shkolla laike kombëtare turke dhe shkolla të tilla u themeluan në Turqi vetëm pas vitit 1920? Me ligjin e arsimit në Turqi u vendos që shkolla të ishte laike, se nuk mund të çelej shkollë pa lejen e Ministrisë së Arsimit dhe se kurikula e shkollës miratohej vetëm nga Ministria e Arsimit.

Flitet për armiqësi ekskluzivisht ndaj gjuhës shqipe. Por a e din Kadareja, se nacionalistët turq dhe nacionalistët shqiptarë e shihnin perandorinë si mohuese dhe dhunuese të të drejtave kombëtare? Turqit vetë nuk patën gjuhë të lëvruar. Ishte ndër të tjerë edhe Sami Frashëri që me “Kamus al-Turkiye” dha një ndihmesë të madhe në formësimin e gjuhës turke dhe se në 1932 në Turqi u themelua Asocacioni i Gjuhës i cili pati si qëllim që fjalëve arabe dhe persiane që përbënin gjuhën otomane, tu gjeheshin fjalët e ngjashme në turqishten etnike? Dhe turqit i ndryshuan fjalët. Përshembull, kryeministrit sot, i thonë “Bashbakan”(bashi, dmth krye në turken etnike) dhe jo më “Sadr-i Azem”siç i thuhej në shtetin otoman i cili i adoptoi termat shtetërore nga persishtja. Pra Perandoria ua paska mohuar gjuhën edhe turqve etnikë dhe këta pritën ta rrëzonin atë për të lëvruar gjuhën e tyre kombëtare? Duke qenë kështu, si mund të thuhet se këtu në vitin 1887 pati 1200 shkolla publike turke? Pse nxirret historia nga konteksti?

Une nuk jam historian as nuk pretendoj të jem. Por, kur lexoj deklerata të tilla, dijet minimale që kam mbi funksionimin e Perandorisë Otomane, nuk më lejojnë të rri pa e shkruajtur mendimin tim. Dhe ketë koment timin, nuk e quaj vulë përfundimtare mbi ketë temë por thjesht një nxitje për tu marrë më shumë me të. Kam dëshirë të mësoj më shumë prej atyre që dinë më shumë se unë. Por u lutem miqve, kur jep dikush mendime kundër mendimeve të dikujt që ka famë për diçka tjetër jo për historian, të mos përpiqen t’i thonë se nuk mundesh të japësh mendime sepse ai dikushi ka famë. Eshtë shumë banale. Merrni lexoni mbi Perandorinë Otomane. Nuk është një pikë e vogël në histori. Eshtë një shtet që ka sunduar për 600 vjet në 3 kontinente. Dhe si përfundim, sot mund t’i duash apo t’i urresh turqit, është ndjesi intime personale – nuk ka asgjë për tu shqetësuar. Por kjo nuk dmth se për shkak të kësaj urrejtjeje apo dashurie, duhet simpatizuar gjithkush që e amplifikon urrejtjen apo mitizon pa arsye dhe i keqinformon brezat nga ana e dijeve shkencore mbi historinë, si duke shtrëmbëruar për mirë, si duke shtrëmbëruar për keq. Ia kemi borxh ta nderojmë gjithkënd që arrin emër të mirë por nuk ia kemi borxh askujt të na i helmojë breznitë nga ana intelektuale duke na i lënë me të meta për kah formimi. Ka mjaftuar periudha komuniste për ketë, nuk ka nevojë për më shumë.

Shkruani nje pergjigje