Fjala komb në gojët e gabuara

Aleanca-Kuqezi2Nga : Dionis  XHAFA

Ballkani është një gadishull ku çdo shtet e ka nga një projekt “për një shtet më të madh nga ç’ është”. Kjo ide thuajse është e gabuar në të gjitha shtetet, pasi rritja në territor e një shteti bie në kurriz të shtetit tjetër. Ne shqiptarët, me të drejtë, nuk e duam një politikan serb që flet për “Serbinë e Madhe”, as një politikan grek që flet për “Greqinë e Madhe”, as një të tillë që flet për “Maqedoninë e Madhe” etj. Nuk e duam Nikoliçin kur tregon përralla serbe, nuk e duam Daçiçin, kur po ashtu tregon përralla serbe mbi “Serbinë e Madhe. Nuk e duam Gruevskin kur ndjek politika antishqiptare, nuk e duam ministrin e Jashtëm grek kur ai na e ndryshon emrin. Nuk e duam dhe jo pa të drejtë. Nuk mund të duam askënd që do të guxonte të vinte në dyshim Kosovën dhe Shqipërinë si shtet. Duke mos dashur të tillë politikanë nga ata duhet të jemi edhe kundër atyre politikanëve shqiptarë, që për një arsye apo arsye një tjetër, përdorin retorika nacionaliste shqiptare për të mbajtur të karikuar elektoratin.

Fenomeni Koço Danaj

Koço Danaj, kryesues i të ashtëquajturës “Shqipëria Natyrale”, është ndër figurat publike shqiptare që nuk ka të ndalur me retorikën e tij të thekur nacionaliste. Danaj ndonjëherë flet sikur të ishte viti 1912-të, kur akoma nuk ekzistonte shteti shqiptar. Jo vetëm kaq, por ai as nuk na jep një imazh të mirë në sy të fqinjëve, pasi shfaqet në revista apo gazeta serbe, greke e maqedonase si një nacionalist primitive. Kaq mjafton që gazetat e vendeve fqinje të gjejnë një shkak për të goditur shqiptarët, pikërisht për “nacionalizëm primitiv”.

Kreshnik Spahiu, cirk me nacionalizmin

Lideri i AK, në fillimet e veta gati fluturonte, duke mbushur me gaz nacionalist shpirtin e rinisë, gaz ky që shumë shpejt u flak tutje. Spahiu, në fushatën e tij, të vetmen gjë pozitive kishte faktin se së paku demonstronte sikur ishte kundër të dyja palëve kryesore në politikë. Por, u kthye në qesharak, teksa tregonte se me dy fletë do të bashkonte Kosovën me Shqipërinë. Po njësoj si Danaj, edhe Spahiu, u bë një personazh që gjeti vend në mediat greke dhe serbe, për retorikën e tij të papërmbajtshme nacionaliste. E bukura këtu është se lideri i AK-së, i përdorte shkrimet e e tyre, si kapital politik duke u shfaqur si “personi që po mbronte Shqipërinë” dhe “ndaj po e sulmojnë”.

Shpëtim Idrizi, mes pushtetit dhe çështjes çame

Shpëtim Idrizi nuk ndryshon shumë nga Kreshnik Spahiu në retorikën e ashpër që përdor, kundër grekëve sidomos dhe serbëve në disa raste. Idrizi shfaqet “patriot”, së paku në të kaluarën, ka shkuar më shumë pas pushtetit sesa çështjes çame. Kur ishte çështja e detit me Greqinë, të cilën PS si opozitë e kundërshtoi, Idrizi qëndroi me Sali Berishën, edhe pse këtu ishte në lojë “armiku i tij i përjetshëm”: Greqia. Aq më tepër, retorika e Idrizit ka qenë krejt e njëjtë, si me Kotzias si me liderin e PBDNJ-së, Vangjel Dule. Sigurisht që Dule ka probleme, por se ta konsiderosh një “Napolon Zerva” i kohëve moderne, është e tejkaluar dhe se po të njëjtën akuzë Idrizi pati edhe ndaj ministrit të Jashtëm grek. Të thuash se çdo grek që vjen në Shqipëri është një “Napolon Zerva”, më shumë nisur nga etnia sesa veprimet, është më shumë se absurd.

Më dramatikja është se fjalë të shenjta si “komb” e “atdhe”, dalin nga gojët e politikanëve, që shpesh edhe punojnë kundër interesave të atdheut. Kur Koço Danaj thotë se “bashkimi i trojeve do të ndodhë për pak muaj” apo Kreshnik Spahiu që me paçavure do të bashkojë Kosovën me Shqipërinë, është thjesht qesharake dhe vetëm na mbetet të themi se mjer ai komb që mbetet në duar si këto!

Shkruani nje pergjigje