Përralla e babait krenar

ARJAN-BEJKONga : Arjan  BEJKO

Ishte një baba shumë krenar, se për çfarë ishte krenar nuk e dinte as vetë, por mesa duket aty e ka lezetin krenaria, kur je krenar pa asnjë shkak. Ky baba krenar kishte tre djem ende të parritur, të cilët ishin shumë krenarë për babanë e tyre krenar.
Mirëpo babai krenar kishte alergji nga rregulli dhe disiplina, sepse ato e pengonin t’i binte dajres sa herë kish qejf, dhe për këtë arsye ai ishte pak hollë nga xhepi. Ç’rëndësi kishte xhepi i hollë sa kohë që ai e kishte gojën brisk. Ai dinte të ligjëronte si bilbil dhe ashtu me cicërima i tha komshiut ta ndihmonte. Komshiu donte ta ndihmonte, por i vuri si kusht t’i binte pak më rrallë dajres dhe të lëvizte këmbët më shumë se buzët. Krenari nuk pranoi.
– Mua kërkon t’i mbillur goja? Unë jam Bilbil Krenari, mbreti i cicërim-ligjërimit. Po nuk më ndihmove unë hodha fëmija në gremina.
Komshiu u tmerrua, por nuk u lëkund. Kujtoi se bilbili cicëronte me shaka. Por Bilbil Krenari e kishte seriozisht. Ai i vuri fëmijët të votojnë pro ose kundër greminës. Dy të vegjëlit votuan pro greminës, i madhi kundër, se kish nuhatur kotësinë e krenarisë. Mirpo Bilbili kishte fituar 66,66% të votave dhe shkoi ballëlartë te komshiu.
– Hë tani? Do më ndihmosh apo si e ke hallin?
Më e bukura është se më në hall ndodhet komshiu për fëmijët e Bilbil Krenarit sesa vetë Bilbili për krenarët e tij.

Shkruani nje pergjigje