PD – Dita për të analizuar humbjen

selia-PD-seNga : Armir SHKURTI

Po qarkullon orët e fundit një vetngushëllim në PD se “ky rezultat është më i mirë se ai i 2013? -shit. Po ndodh pikërisht ajo që pritej: Justifikimi përmes shifrave. Vetëm se ka një problem: Kjo është matje me një tjetër humbje. Në këtë krahasim na del se humbja e sotme na qenkësh disa përqind më e mirë! Nuk është as koha e duhur për të bërë një analizë unë, ose ne, ndëkohë që proçesi nuk ka mbaruar. Dhe pse secili prej nesh këtë analizë, sipas vetvetes, e ka bërë e stërbërë. Por e hijshmë është të presim që .. ..KËTË ANALIZË TA BËJË VET PARTIA DEMOKRATIKE Me të drejtë nuk u bë analizë dhe diskutim i gjerë në forumet e partisë pas humbjes së 2013-shit. Me ikjen e kryetarit Berisha dhe ardhjen e zotit Basha ky proçes nuk do të bënte tjetër veç do shtonte tensionet dhe poziciononte armiqësisht njerëz e grupe ndaj njëri – tjetrit duke dëmtuar riorganizimin e kësaj partie. Por nga ajo kohë kanë kaluar muaj, janë riorganizuar strukturat e forumet. Pak muaj janë PAK. Një parti që del nga një humbje dhe nga ndryshime të rëndësishme brenda vetes është mrekulli që ta kthejë disfatën në triumf brenda dy viteve. Ama këto struktura e kanë një provim për të dhënë: Zgjedhjet! Pasi ti ngel në një provim nuk mund të thuash se “ngela edhe këtë rradhë por isha më mirë se ngelja e kaluar”. Për të mos ndodhur më pas dy vitesh e të thuhet edhe atëhere me eufori se do të jemi më mirë se tani e para e të gjitha punëve është ANALIZA! Një analizë masive të partisë, nga fshati i fundit i Shqipërisë , deri në njësinë 8 të Tiranës, është rikthimi në udhë të mbarë. Sot kjo forcë e ka edhe kohën edhe pjekurinë e strukturave për të pyetur vetveten dhe po ashtu për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve pa frikë tashmë për shkaqet e humbjes së 2013-shit dhe të sotmes. Vetëm kështu secili merr të vetën dhe kupton vendin që ka në atë parti. Si për shkaktarët e humbjes së kaluar ashtu edhe për ata të kësaj të fresktës. Kush është përgjegjës, kush është fajtor, kush qe i pazoti apo apatik hap krahun dhe i liron vendin atyre që kanë gjak dhe duan të punojë. Kaq! Por pa bërë analizë nuk mundet të arrish në këto përfundime Që gjatë fushatës e tani pas zgjedhjeve pushteti me organet e tij të propagandës e ka përqëndruar goditjen në një emër: Lulzim Basha. Kjo metodë pati efekt kundë Berishës në zgjedhjet e kaluara. Nuk është shpikje shqiptare. Ata që merren me marketing elektoral e dinë mirë që energjia përqëndrohet në një pikë të vetme që zakonisht është edhe hallka që mban zinxhirin. Sot ky lazer po përdoret kundër Bashës. Me spotin e gjumit, atë të gënjeshtrave, tjetrin, të premtimeve të pambajtura, u synua dhe po synohet ende për t’u thënë sidomos demokratëve se e keqja është Basha. Në një ditë zemërimi si kjo e humbjes jo pak janë ata demokratë që përveçse e kanë menduar këtë gjë edhe e kanë shprehur. Aq më tepër të drejtuar në këtë udhë nga mjetet e panumërta të propagandës së kundërshtarit. EDHE për këtë arsye Basha ka detyrë të bëjë analizën e periudhës mes dy humbjeve. Ai ka patur barrën jo të lehtë të një tranzicioni shumë të vështirë brenda partisë së tij dhe sot është koha që këtë barrë ta ndajë edhe me të tjerët. A funksionuan njerëzit rreth tij? A kontribuan në fitore apo në humbje? Sa të aftë dhe efiçentë janë? Se ka të ngjarë që pas tij debati mbarëdemokrat mundet që ai spoti me Bashën që fle mund të dalë ndryshe: Një azil i madh ku ata që shtyhen me bërryla për t’u shitur si të flaktë, sa fiken kamerat e ikën “macja” gërrhasin në kapanonin e madh dhe prishin gjumin vetëm për bukë…për të mos thënë edhe më të rëndën, siç e shpreh populli që Hanë bukën e turkut e bëjnë duanë e kaurrit

Shkruani nje pergjigje