Kush meriton të votohet dhe përse?

democracy-no-signalShkruan : Ervin  MUCO

Sipas studiuesit Bullgar Ivan Krastev: në 30 vitet e fundit shkencëtarët kanë zbuluar se ka një rënie konstante të votuesve dhe njerëzit që janë më pak të interesuar për të votuar janë ata që pritet të përftojnë më shumë nga votimet si p. sh. të papunët, apo më pak të privilegjuarit. Sipas tij kjo përbën një problem të madh pasi me krizën ekonomike është e dukshme se besimi te politika dhe institucionet demokratike është shkatërruar. Duke i’u referuar një studimit të Komunitetit Europian ai na sjell në pah se 89 përqind e qytetarëve të Europës besojnë se ka një boshllëk të madh midis opinionit të politik-bërësve dhe opinionit të publikut. Sipas tij njerëzit e kanë kuptuar se ata mund të ndryshojnë qeveritë, por ata nuk mund të ndryshojnë politikat. Zgjedhjet, e rradhës, lokale në Shqipëri po shoqërohen nga simptoma të ngjashme, por sigurisht me karakteristika shtesë të cilat janë tipike për vendet ku shteti pothuajse nuk ekziston. Përpjekjet për të manipuluar zgjedhjet, për të blerë votën apo edhe për të intimiduar votuesit dhe kandidatët për kryetarë bashkie apo komunash si edhe hendeku i madh midis aspiratave të votuesve dhe politikave të ndjekura nga të zgjedhurit (qoftë kjo në pushtetin lokal apo atë qendror) e shtojnë edhe më shumë frikën si edhe mungesën e interesit që shumë votues kanë për të shkuar në kutitë e votimit.

Në fakt, kjo krizë e pjesëmarrjes në votime, në thellësi të saj, mbart edhe një krizë apo problem moral, atë të drejtësisë. Aristoteli ishte ndër të parët që ngriti problemin e drejtësisë dhe moralit. Për Aristotelin drejtësi do të thotë t’u japësh njerëzve atë që meritojnë. Por të përcaktosh se kush meriton çfarë nuk është e mjaftueshme pasi ne duhet të përcaktojmë edhe përsenë e meritës. Për të përcaktuar se kush meriton çfarë, është e nevojshme që të përcaktohet se çfarë vlerash janë të meritueshme për t’u nderuar dhe shpërblyer. Në kontekstin e zgjedhjeve lokale, për të përcaktuar se kush e meriton votën ne duhet të rendisim se çfarë vlerash nderojnë dhe shpërblejnë pozicionin si drejtues i një bashkie apo komune dhe sa kandidatët i posedojnë ato. Kështu deklarata e Ambasadorit Amerikan në Shqipëri, Donal Lu, është një përgjigje shumë e bukur e pyetjes se kush e meriton të votohet dhe pse. Ai shprehet: “Nëse do të zgjidhen, ata do të pretendojnë se ju mbështesin, ndërkohë që vjedhin paratë tuaja për të financuar mercedezët e zinj luksozë, vilat anës detit apo rezidencat e tyre skandaloze. Tashmë i takon votuesve t’i refuzojnë këta kriminelë që e bëjnë qesharak sistemin politik të Shqipërisë.” Ambasadori Lu është i drejtpërdrejtë kur thekson se kërcënimi më i madh për demokracinë Shqiptare, janë kriminelët që synojnë të vishen me petkun e pushtetit. Prandaj është thelbësore që në respekt të demokracisë dhe vlerave demokratike si edhe në nder të të qenit përfaqësues i vlerave të një komuniteti, votuesit t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë të menduarit moral duke vendosur një standard të ri që, në të ardhmen, do t’i shërbejë promovimit të virtytit dhe drejtësisë në politikën shqiptare.

Shkruani nje pergjigje