Erion Veliaj, për Bashkinë me premtimet e pambajtura në Ministri

Erion-VeliajNga : Vehap  KOLA

Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës po shkon në çdo lagje dhe çdo fshat të njësisë së re administrative duke mbajtur nën sqetull programin e tij për atë që ai e quan drejtimi i duhur i Tiranës. Erion Veliaj është trumbetuar me të madhe si një ministër i suksesshëm që bëri reforma dhe ndryshoi jetët e shumë shqiptarëve përmes zyrave të punës, reformës së pensioneve, arsimit profesional apo dëmshpërblimit për të përndjekurit. Me këtë rekord, ai kërkon tani karrigen e qytetarit të parë të Tiranës. Por, mos ndoshta Erion Veliaj është duke guxuar edhe më shumë sesa thjesht kandidimi për bashkinë më të madhe të vendit? A është duke përdorur ai të njëjtën parajsë premtimesh që kishte bërë kur erdhi në krye të dikasterit të Mirëqenies Sociale dhe që nuk i realizoi kurrë? Për ta gjykuar këtë, do të hedhim vështrimin mbi disa nga premtimet e tij për Tiranën dhe t’i krahasojmë me angazhimet e tij në programin e ministrisë që drejtoi për 18 muaj. Në shtator 2013, kur qeveria Rama paraqiti programin e saj në Kuvend, ministri Veliaj u angazhua të shndërronte Programin e Ndihmës Ekonomikë në një Program për Riintegrimin Social. E thënë thjesht, përfituesit e ndihmës ekonomike (atëherë familjet), do të përfshiheshin në një program të quajtur “Punë në vend të Asistencës”, pra do të punonin në komunitetet e tyre dhe projektet qeveritare dhe do të shpërbleheshin me pagesa që kalonin kufirin e varfërisë. E shprehur në terma financiarë, përfituesit nga Programi i Riintegrimit Social do të merrnin paga më të larta se 2 dollarë në ditë për secilin nga anëtarët e familjeve të tyre, sepse 2 dollarë në ditë është minimum jetik në Shqipëri, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore të vitit 2012. Me këto përllogaritje, një familje me 5 anëtarë që do të fitonte një vend pune në këtë program, do të merrte një pagesë mujore prej të paktën 300 dollarësh në muaj. Por, e vërteta është se ky program nuk u bë kurrë dhe askush nuk u punësua në ndonjë projekt me qëllime të tilla.

Me datë 26 maj 2015, Erion Veliaj u premtoi qytetarëve të Tiranës pikërisht të njejtën gjë, atë që u premtoi në shtator 2013, Programin e Riintegrimit Social, të cilin nuk e vuri në jetë në Ministri. Po përse nuk e vuri në jetë këtë program sa ishte ministër, ai nuk e sheh të udhës ta shpjegojë. Nuk duket e domosdoshme që t’ua bëjë të qartë qytetarëve se çfarë e pengoi në Ministri, dhe që në Bashki nuk do ta pengojë. Apo të tregojë pse dështoi në Ministri dhe çfarë mësimi ka marrë nga ky dëshim, që do t’i vlejë në Bashkinë e Tiranës. Dështimi nuk të skualifikon nga e drejta për të pretenduar ta provosh edhe njëherë. Mospranimi i dështimit tregon se nuk ke nxjerrë asnjë mësim dhe nuk njeh asnjë përgjegjësi. Pse të besojnë qytetarët e Tiranës se kjo gjë nuk do të ndodhë përsëri edhe në Bashki? Ai që nuk pranon publikisht përgjegjësinë, e ka të pamundur të vetëkorigjohet dhe të përmirësohet. Në programin e saj për rininë, Ministria e Mirëqenies Sociale u angazhua për të krijuar “Inkubatorët e Biznesit Rinor”. Inkubatorët do të ishin hapësira të lira për zyra dhe veprimtari administrative me qera zero. Pra, bizneset e themeluara nga të rinjtë nuk do të kishin përse të përfshinin në planin përkatës të biznesit edhe shpenzimet administrative. Këto shpenzime variojnë nga 10-30% të shpenzimeve totale në bizneset e prodhimit, dhe deri në 60% në bizneset e shërbimit. Kështu, ministri Veliaj angazhohej që të shndërronte në fitimprurëse që në muajt e parë biznese që zakonisht parashikojnë të mos nxjerrin fitime vetëm se pas vitit të dytë.

Ndërkohë, jo vetëm që ky angazhim nuk u realizua gjatë kohës që Veliaj drejtonte Ministrinë e Mirëqenies, por akoma më keq, ai nuk ka informuar publikun nëse ka bërë ndonjë hap në drejtim të këtij premtimi ose jo, dhe në ç’pikë janë punët për përmbushjen e tij, nëse vërtet puna ka filluar. Nuk kushton asgjë të informosh publikun për fazën ku ndodhen projektet kryesore për të cilat je zotuar kur more atë përgjegjësi. Po përse nuk e sheh të nevojshme as të na informojë, ish-ministri Veliaj? A do ta shohë të nevojshme të na informojë për këtë nëse hipotetikisht zgjidhet kryetar i Bashkisë? Jo. Nuk ka asnjë arsye ta bëjë këtë, nëse ai zgjidhet. Sepse, dështimi për të dhënë informacion nuk e pengoi të fitonte një pozitë të re edhe më të rëndësishme. Megjithëse ne e dimë se ai nuk ka bërë ndonjë përpjekje për ta konkretizuar premtimin për “Inkubatorët e Biznesit Rinor” në Ministri, më datë 18 maj Veliaj u premtoi të rinjve të Tiranës se do të krijojë “Inkubatorët e Biznesit Rinor” në Bashki. Përsëri ai nuk shpjegon se çfarë e pengoi ta realizonte këtë premtim sa ishte ministër ose çfarë mësimesh ka nxjerrë, çfarë të rejash ka mësuar që do t’i shërbejnë për suksesin e këtij premtimi në zyrën e kryebashkiakut, nëse zgjidhet.

Personat me aftësi të kufizuara e mbështetën hapur Partinë Socialiste gjatë fushatës së vitit 2013, duke marrë pjesë në fushatën e saj dhe duke i premtuar publikisht se do ta votonin. Programi i ministrisë që mori në drejtim Veliaj, parashikonte shumë lehtësira dhe mbështetje për këtë shtresë të margjinalizuar. Programet, kurset kualifikuese të përshtatura për këtë kategori, do të përgjysmonin papunësinë dhe do të rrisnin aksesin e tyre në tregun e punës. Përveç faktit që Ministria e Mirëqenies Sociale krijoi një varg përplasjesh me paraplegjikët e tetraplegjikët, duke vonuar pagesat dhe duke ndryshuar ligjin në disfavor të tyre, deri sot asnjë kurs apo program i tillë nuk ka marrë jetë. Përse? Kanë ndryshuar kushte të rëndësishme që e bëjnë përkohësisht të pamundur zhvillimin e tyre? Apo Z. Veliaj gjeti probleme që ishin fshehur apo ai nuk i njihte më parë, të cilat ishin pengesë e pakalueshme për të mbajtur premtimin e dhënë? Pasardhësi i tij në detyrën e ministrit të Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi ka ngritur 3 grupe pune për rishikimin e dosjeve të personave me aftësi të kufizuar në qarkun e Fierit, të cilët janë penalizuar nga përfitimi i pagesës mujore. Ministri tha se situata është e ngjashme në të gjithë vendin dhe po punohet që të zgjidhet sa më shpejt. A është kjo një përgjigje lakonike e qeverisë Rama ndaj dështimit të ministrit Veliaj me këtë segment të popullsisë?

Por, megjithë këto pikëpyetje, Erion Veliaj ka vendosur ta rimbjellë këtë premtim edhe në programin e tij për Bashkinë e Tiranës. Pa shprehur shqetësim dhe keqardhje që nuk pati mundësi, apo nuk ia doli ta realizonte këtë zotim të shkruar dhe të dhënë me zë e me figurë, zor se personat me aftësi të kufizuar do ta besojnë atë kur e dëgjojnë t’u përsërisë prapë të njejtën ide. Sikur Veliaj t’u thotë arsyen e vërtetë dhe të sinqertë se përse ky angazhim nuk zuri vend në axhendën e tij si ministër gjatë këtyre 18 muajve, do të ishte më i besueshëm. Sidoqoftë, ai nuk ka humbur mundësinë që të kritikojë Bashkinë e Tiranës për mungesën e shërbimit të interpretimit përmes gjuhës së shenjave. Për ish-të përndjekurit politikë, problemet e të cilëve qeveria e re socialiste ia ngarkoi Ministrisë së Mirëqenies Sociale të drejtuar nga Veliaj, në programin e Rilindjes parashikohej dëmshpërblim i plotë brenda 2 viteve të para të qeverisjes.  Këtë skemë do ta përfitonin ish-të burgosurit e mbetur gjallë të moshave respektive meshkuj mbi 75-vjeç dhe femra mbi 70-vjeç. Dëmshpërblimi do të rritej deri në masën 20 euro për ditë vuajtje dënimi. Kjo nuk ka ndodhur. Nuk ka ndodhur as strehimi i plotë apo i pjesshëm i adoleshentëve jetimë socialë apo biologjikë, që dalin periodikisht nga istitucionet e përkujdesit. As sistemi shtetëror për mbledhjen e të dhënave për komunitetin rom nuk u ngrit. Shumë gjëra nuk u bënë, por ish-ministri nuk i bëri publike arsyet e vërteta të këtyre premtimeve të pambajtura.

Si i zënë në faj nga subkoshienca e tij, para disa ditësh Erion Veliaj i akuzoi kundërshtarët e tij se po riciklojnë premtime të vjetra, të pambajtura dhe subjekt barcalestash. Madje, ai e ka sulmuar kundërshtarin e tij Halim Kosova se po e sheh Tiranën si maternitetin, ndërkohë që Bashkia është shumë më e ndërlikuar dhe kërkon më shumë sesa mbjelljen e disa ideve të provuara në maternitet. Por, ndërsa Halim Kosova mund të jetë duke u përpjekur të rimbjellë idetë dhe projektet që ka arritur të zbatojë me sukses në punën e tij si administrator publik, Erion Veliaj duket se thjesht po redakton programin e dikasterit që drejtoi për ta përshtatur për Bashkinë. Deri këtu, mund të mos bëhen shumë vërejtje. Secili ka të drejtë t’i referohet përvojës së tij, e suksesshme apo e pasuksesshme qoftë ajo. Në qoftë e suksesshme, ta propozojë për rizbatim në kushtet e reja të qeverisjes lokale. Në qoftë e pasuksesshme, të nxjerrë mësime dhe të na thotë se ç’mësime ka marrë që do ta ndihmojnë ta bëjë më mirë punën e kryebashkiakut. Por, Erion Veliaj ka bërë zgjedhjen më të gabuar morale dhe më të rrezikshmen në terma elektoralë: ka vendosur të spekulojë, të provojë nëse tiranasit do të jenë aq të vëmendshëm sa ta kuptojnë se të njëjtat fjalë i ka mbështjellë me një ambalazh të ri. Çfarë mund ta shtyjë një politikan që kandidon për njësinë më të rëndësishme vendore të vendit të luajë një lojë kaq të rrezikshme, përveç bindjes së tij se njerëzit nuk mendojnë gjatë dhe nuk do të gjykojnë me arsye kur të vendosin të votojnë se kush do t’i marrë përsipër punët e komuniteteve të tyre në 4 vjet? Asgjë. Të vish në Bashkinë e Tiranës me premtimet e pambajtura në Ministri është shumë e rrezikshme.

Shkruani nje pergjigje