Lajmi Shqip » Blog Archive » Duhet ngritur “Lidhja Antikomuniste e Djathtë Shqiptare” - Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

Duhet ngritur “Lidhja Antikomuniste e Djathtë Shqiptare”

1-Hakik-menaNga : Hakik  MENA

Ne vend të një letre të hapur për kryetarin e PLL z.Sulejman Gjana

I dashtun Sulejman . Me lejoni t’ju drejtohem me këtë letër publike, së pari në cilësinë time si zogist, pastaj si kryetar i një dege të PLL, e mandej edhe si shok, mik e bashkëmendimtar i juaji. Edhe pse i kam thënë më parë, e shoh të arsyeshme përsëri, të ritheksoj, disa pika rreth jush, të cilat po i përmbledh si më poshtë:
E para, të lumtë, për kontributin e dhënë në drejtim të kauzës kombëtare! Ndonëse i lindur dhe rritur jashtë atdheut, ju jeni, ndër rastet më ekzemplare, që sakrifikoni çdo privilegj dhe luks, (fatmirësisht familja dhe natyrisht vendi ku jetoni jua kanë mundësuar), dhe vini në botën e pistë të politikës shqiptare, kryekëput, për t’i shërbyer kombit dhe kauzës në të cilën besoni! Në këtë sens, ju jeni shembull i shkëlqyeshëm dhe model ideal, për mbarë të rinjtë, që lindin dhe rriten jashtë, se si i shërbehet kombit. Madje jo vetëm për ata, por pse jo edhe për mbarë shqiptarët, duke pasë parasysh edhe faktin tjetër, se ju jeni një person i kompletuar në çdo aspekt. Edukimi i shëndoshë familjar, shkollimi perëndimor, mos-përlyerja me komunizmin dhe inteligjenca – dhe për këtë arsye, çdo shqiptar i mirë duhet t’ju vlerësojë.

Së dyti, ju lumtë për impenjimin, qëllimin, kontributin dhe këmbënguljen tuaj konstante në drejtim të potencimit të ideve Zogiste, gjë për të cilën, jam absolutisht i sigurt, që çdo legalist dhe monarkist i vërtetë, e vlerëson pa masë.
Së treti, sinqerisht unë dhe shumë miq e dashamirë legalistë në Amerikë, e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë faktin që ju keni pasë kurajon civile të merrni përsipër drejtimin e PLL-së, vendim, që kërkon një sakrificë dhe mund të jashtëzakonshëm. Aq më tepër, po të kemi parasysh rrënimin total që i është bërë asaj, veçanërisht në dekadën e fundit. Dhe pikërisht, bash për këto arsye të përmendura me lart, unë, së bashku me shumicën dërrmuese të legalistëve në Amerikë, e pritëm shumë mirë lajmin e shpalljes së kandidaturës suaj për kreun e PLL-së, duke menduar se ishit alternativa më e mirë, për ta nxjerrë PLL-në prej batakut, që ndodhej dhe ngritjen e saj në një nivel të dinjitetshëm dhe të meritueshëm.

Ne si degë të mbështetëm haptas dhe fuqishëm, duke pasë besimin, që ju do ta ndryshonit kursin e partisë, nga një parti të katandisur si “seksion” i PD-së, në një parti me identitetin e vet; atë të një Partie Tradicionale Kombëtariste, që mbi gjithçka vë interesat e atdheut dhe që posedon nji platformë të qartë kombëtare. Natyrisht, një ndër vështirësitë më të mëdha, që do të hasnit gjatë detyrës suaj të re, të cilën ne legalistët e vërtetë do ta prisnim me ankth, ishte: qëndrimi i juaj në negociata me partinë aleate tradicionale më të madhe të këtyre 23 viteve tranzicioni të tejzgjatur qëllimshëm, PD-në. Dmth, ankthi ishte, nëse ju, do të ishit një YES MAN, ose nji “lepe peqe” kryetar partie, në bisedat e para elektorale që ju do të zhvillonit, duke pranuar çdo variant që ata do të servirnin, mjafton që ju, me një rreth të ngushtë tuajin, të siguronit ndonji karrige – apo do të shkonit kryenaltë, duke mos pranuar të trajtoheshit si leckë, por si të barabartë, të dinjitetshëm, si përfaqësues të një Partie që ka traditë në bërjen e shtetit-komb, të një partie që ka eksperiencë në qeverisjen e shtetit, të një partie që mbarte vlera tradicionale shqiptare dhe perëndimore, të një partie që ka nxjerrë figura të ndritura kombëtare, si ajo e të pazëvendësueshmit Mbretit Zog dhe e heroit tonë kombëtar Abaz Kupi, të një partie që rrezaton luajalitet, por dhe që e meriton atë, të një partie që elektorati i saj përbëhet prej shtresës më të vuajtur dhe të persekutuar të regjimit sllavo-komunist, të një partie që për hir të zhvillimit të demokracisë, pranon dhe ofron bashkëpunim të sinqertë por kurrsesi nuk pranon të nëpërkëmbet, të një partie që pa diskutim ka bazë reale elektorale e jo të blerë me thasë mielli. Dhe kur mendon të kaluarën e kësaj partie, që trashëgon një histori të hershme dhe jashtëzakonisht pozitive, natyrshëm, si drejtues i saj, do të kenë shkuar ndërmend, para, gjatë dhe mbas negociatave, ndjesi të tilla, si psh:
a) ajo e të ndjerit krenar që përfaqëson një Parti të tillë, e cila duhet të ketë dhënë forcë e kurajë duke mos ndier as më të voglin kompleks inferioriteti, por përkundrazi dhe
b) atë të përgjegjësisë, madje të dyfishtë, personale dhe kolektive; personale sepse vihet në diskutim personaliteti juaj, për performancën tuaj si lider i saj, dhe kolektive, se përfaqëson interesat e të gjithë simpatizantëve, ithtarëve, idealistëve që besojnë në filozofinë e kësaj partie. Si rrjedhim, kjo krenari dhe përgjegjësi që ju ndieni si kryetar i kësaj partie, ka influencuar natyrshëm, që qëndrimi dhe vendimi juaj së bashku me atë të kryesisë, rreth negociatave me PD-në, të jetë më se transparent, i drejtë, i saktë dhe i dinjitetshëm, thjeshtë ashtu siç duhet të jetë; i PAVARUN, vendim të cilin, në legalistët e Amerikës, dhe mbarë legalistët që të dhanë votën në Kongres dëshironin të shihnin, sepse janë dremitur, zhgënjyer, neveritur me vendimet servile, dallkauke, meskine, perfide të mëparshme.

I dashur Sulejman. Më në fund, dinjiteti i partisë është në rikthim e sipër, në rrugën e duhur, të paktën bazuar në intervistat, shkrimet dhe deklaratat tuaja më se të sakta dhe tepër dinjitoze, ndryshim që do të dëshironim ta shihnim sa më shpejt dhe në rindërtimin në themel të partisë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për punën e madhe që duhet dhe për vështirësitë që ju së bashku me kryesinë keni përpara, dhe është normale që do të keni pengesa, intriga, bllokada, shkopinj nën rrota, kundërshtime, sajime, keqinterpretime të instruktuara prej ish-it dhe isha-ve drejtues të niveleve nga më të ndryshme, që çdo gjë mund t’i thuash këtij lloji, por legalistë e zogistë jo! Logjikisht idealja do të ishte mos të harxhonim kohë e mund duke u marrë me njëri-tjetrin në parti, sepse nuk e kemi këtë luks, por ja që Katovica na e la peshqesh sabotimin, dhe na duhet me fillu prej zeros. Në fakt, fillimi prej zeros, është si thika me dy presa, ka të mirën dhe të keqen e vet. Të keqen e përmendëm, ndërsa e mira është se – Ke mundësinë, me mbështetjen e kryesisë dhe tagrin e dhënë prej Kongresit, për të bërë një transformim thelbësor në parti.

Jam më se i sigurt që ju i keni bërë një studim të hollësishëm anëtarësisë së partisë, anëtarësi të cilën me sa jam i informuar, do ta ndaja në 5 kategori ose grupime.
1). Kategori me elementë të lidhur me komunizmin, që mund të ketë depërtuar në parti dhe duhet të largohen një orë e më parë..
2). Kategori, me elementë të shtresës sonë që janë me dosje, të cilët fatkeqësisht janë peng i tjetërkujt dhe prandaj duhet patjetër të largohen.
3). Kategori, me elementë perfidësh laramanë, që të fusin thikën mbas shpine, por sa t’u dalë një ofertë ekonomike, pavarësisht se prej të cilës palë vjen oferta.
4). Kategori me elementë legalistë të pastër, por u ka ngjarë si Nastradinit, dhe kujtojnë se janë në ëndërr. Kjo kategori është e njëjtë në mentalitet me nji numër bajagi të madh të ish persekutuarish jo-legalistë, që kur vjen puna për ballafaqim faktesh në lidhje me punën, impenjimin, dëshirën që ka bërë dhe ka pasë PD-ja, për këtë shtresë të sakatuar nga sllavo-komunizmi, dhe që ka qenë automatikisht si bllok në favor të PD-së, – kanë të njëjtit argument, si psh: «Më mirë PD-ja, se këta komunistë e kriminelë. Të paktën PD-ja është e deklaruar haptas kundër komunizmit. Ndërsa këta horra akoma besojnë në të. Sido që të jetë, me PD e kemi ndonji tonin diku në ndonji punë!» etj., etj, argumente të këtij lloji. Argumente tashmë të dalë boje, të të kënaqurit me pak, ose në rastin me të mirë, pesimist dhe në rastin më të keq, ngritjen e duarve lart. Argumente që me të vërtetë të bëjnë të ndihesh keq për gjendjen e katandisur të shtresës sonë. Indeks mjaft i qartë për të dëshmuar gjendjen e shtresës antikomuniste, që është kaq e drobitur, e çoroditur, e shkapërdarë, pesimiste, e dremitur, e pa-besim në vetvete, e tromaksur, e shushatur, e pa alternativë, me kompleks inferioriteti ndaj politikës se Katovicës, e pa shpresë, dhe e pa alternativë, e pa iniciativë, aq sa nuk është e zonja të dalë mbi palët e politikës Katoviciane, si bllok së bashku ose qoftë edhe veçantë në politikat që besojnë, por të pavarur ama, e jo si garniturë ose bisht i PD-së. Sepse vetëm në këtë mënyrë do të rrisë reputacionin e vet, duke ringjallur të djathtën, duke rikthyer besimin tek elektorati i vërtetë i djathtë dhe në të njëjtën kohe do t’i shërbente edhe kombit, i cili është fundosur për gati 80 vjet, prej të majtës me rrënjë në sllavo-komunizëm. Shpresojmë, që kjo pjesë shtresës sonë, të shkunden e t’iu dalë kjo ëndërr, ose ky gjumë letargjik.
Me këtë kategori anëtarësie, që pak a shumë mund të përbëjë shumicën dhe që fatkeqësisht këtë pesimizëm e bartin si pasojë e luftës së ashpër që i është bërë shtresës sonë për dekada me radhë, kërkohet një trajtim i kujdesshëm, i matur dhe një taktikë dashamirëse, miqësore dhe vëllazërore që mund dhe duhet t’i bashkangjiten kategorisë së pestë.
5). Kategori, të cilët janë pakicë për momentin, por janë ai grupim që janë më të qartë dhe vendosur politikisht. Janë grupi që nuk ndiejnë as më të voglin kompleks inferioriteti ndaj politikës së Katovicës, janë grupi që për hir të kombit dhe klasës që përfaqësojnë, insistojnë me ngulm dhe me plotësisht të drejtë, të formojnë shtratin e vet, të dalin me fizionominë e tyre, janë grupi që nuk mendojnë thjeshtë për ndonjë kockë, kothere, vend pune, janë grupi që nuk mendojnë shkurt duke u kënaqur me fitimin e ndonjë kandidati, që mund të marrë vota fiktive dhe nesër të fluturojë në mënyrë të paskrupullt në oborrin e të majtëve, janë grupi që preokupim kryesor të partisë kanë rimëkëmbjen e saj, duke shtruar rrugën për të ardhmen. Janë grupi që prioritet kanë; realizimin e bashkimit kombëtar, zgjidhjen e problemit të pronës, zgjidhjen përfundimtare dhe ingranimin total të ish persekutuarve, dekriminalizimin e vendit, ligjin e lustracionit, etj., etj.

Pa diskutim që ky grup meriton të jetë në strukturat drejtuese, në drejtimin e degëve në rrethe, në përfaqësimin e kandidatëve të tashëm të bashkive e në veçanti në përfaqësimin e zgjedhjeve të përgjithshme të ardhme. Prandaj, i dashur bashkidealisti im Sulejman, si një prej kryesorëve të këtij grupi që jeni, duhet domosdoshmërisht t’i jepni prioritet këtij formacioni, i cili unë besoj bindshëm që së shpejti do të jetë bërthama, avangarda, elita që do të marrë frenat në dorë, jo vetëm të partisë tonë, por mund të shërbejë, si një dritë në fund të tunelit, për bashkimin e të gjitha partive të tjera tradicionale të djathta, së bashku me të djathtë të pavarur, duke formuar një lidhje që mund të quhet “Lidhja Antikomuniste e Djathtë Shqiptare”, e cila do të plotësonte boshllëkun e mosfunksionimit të një djathte të vërtetë në Shqipërinë Londineze.

I dashur Sulejman, me të vërtetë e ke marrë partinë në një situatë tepër të vështirë dhe është krejt normale që për këto zgjedhje lokale nuk ka qenë koha e bollshme për me u pregatitë në formën e dëshirueshme plus fakteve që tashmë ju i keni bërë te qarta, kështu që mua nuk më shqetëson shume fakti i rezultatit të këtyre zgjedhjeve, por çfarë do të më shqetësonte është; nëse do të vazhdohej të bëhej e njëjta politikë jargavitëse si ne periudhën e para Kongresit, nëse nuk do të vazhdohej të mendohej për të ardhmen e partisë dhe nëse në parti do të kishin në dorë frenat 3 grupet e para të përmendura më lart.

I dashur si vëlla Sulejman. Ju historia do t’ju gjykojë në të ardhmen dhe mundësitë e konkluzioneve të njerëzve në përgjithësi, të nacionalistëve dhe në veçanti të legalistëve do të jenë në 3 vlerësime.
1) Si një kryetar i pa vlerë nëse do të vazhdoje në të njëjtën rrugë si para Kongresit.
2). Si as mish as peshk, nëse do të ndiqje një politikë të përzier para Kongresit me nji politikë tërhiq e mos këput të sotmes.
3). Si një Lider, që do të ngelje në histori të legalistëve, por ndoshta dhe mbarë nacionalistëve po të ndjekësh një politikë bazuar në mendimin e kategorisë së pestë të përmendur më lart dhe unë besoj që je në rrugë të mbarë deri tani dhe dëshiroj të besoj që do ta vazhdosh edhe më tej atë, madje duke e përforcuar edhe më shumë, dhe vetem duke ndjekur këtë rrugë në mënyrë konstante, do të kesh mbështetjen maksimale të idealistëve legalisto-zogistë. Natyrisht, që kjo ka koston e vet mbasi përveç bllokadës së brendshme në parti, do të përballesh edhe me atë të jashtmen; politikën e Katovicës.

Sa për sqarim, për lexuesit mbarë, shpesh herë e përmend PD-në, se shkrimi është si shkak i deklarimeve të Kryetarit të PLL-së Sulejmanit, ndaj problemeve me ta, por me këtë rast dëshiroj që të jemi të qartë me lexuesin mbare se: – ne legalistët e vërtetë antikomunistë, as që nuk e diskutojmë, dmth është absurde qoftë për ta menduar, se mund të ekzistojë mundësia për të bërë aleancë me PS -në, sepse me ata ne na ndajnë lumenj gjaku dhe do të ishte poshtëruese, diskredituese dhe vetëvrasëse për ne te merrnim ndonji vendim te tille. Por, argumenti është që këtë hamendje për të bërë aleancë a jo, në kohë të ndryshme e kemi me një forcë politike, të cilën për të qenë objektivë, nuk mund ta quajmë të njëjtë me PS-në, por nga ana tjetër ajo pretendon që është e djathtë dhe përsëri për të qenë objektivë, nuk rezulton si e tillë, si në program, ashtu edhe në veprime në lidhje me shoqërinë por edhe në marrëdhëniet me partitë aleate të saj, forcë prej të cilës, ne i kemi besuar plotësisht për shkak të zotnillëkut dhe fisnikërisë që na karakterizon. Kemi pretenduar që të paktën mbas nënshkrimeve të negociatave, të mos pritemi në besë prej saj, por fatkeqësisht kemi provuar të kundërtën. Madje ne kemi një eksperiencë të hidhur në të kaluarën si psh; 1993 kthimin e Mbretit Leka I; 1997 prerjen në besë të Mbretit Leke I, duke lejuar ndryshimin e referendumit; 2005, luftën e ashpër që iu bë LZHK-së së krijuar prej Mbretit Leka I-rë dhe sakatimi i votave tona, duke mos lejuar që fryma nacionaliste e drejtuar prej Mbretit, të hynte në parlament. Pra ne legalistët për hir të forcimit të demokracisë, kemi pranuar edhe të dëmtohemi, madje tradicionalisht, megjithëse ky gjest fisnik dhe i pjekur politik nga ana jonë, na është marrë për dobësi. Por çdo durim ka kufi dhe ka ardhë koha që PLL të mos të ndiejë më as me të voglën pendesë dhe presion për vendimet që ajo merr në ndihmë të elektoratit të vet. Dy rrugë ka tashmë ose PLL të rimëkëmbet dhe të kthehet në traditë e të shohë për të ardhmen, se sa për me qenë seksion a bisht i PD-së, më mirë të shkrihet dhe mos të vazhdohet më me iluzione…

Si konkluzion, ndryshimi midis liderit dhe politikanit të zakonshëm, qëndron në marrjen e vendimeve. Lideri merr vendime të guximshme dhe largpamëse, të cilat ndonëse janë utopike për masën, rezultojnë dobiprurëse për të ardhmen e partisë, shoqërisë dhe kombit. Prandaj, mos e humb, i dashtun Sulejman, mundësinë që të është dhënë për t’u skalitur në memorien e legalistëve dhe nacionalistëve! Eqerem Bej Vlora në nji rast shpjegon shumë bukur çështjen e shfrytëzimit të momentit prej liderëve duke cituar bisedën me Mbretin Zog: “Fati, Eqerem Bej, – më tha ai – është një dem i tërbuar e i verbër, që shpesh herë na shkel me thundra, por ndodh që edhe të na dalë përpara në një vend të volitshëm. I mençur dhe i zoti është pikërisht ai që dallon këtë çast, që e zë demin prej brirësh, e mposht dhe vë në shërbim të tij”. Kështu që mos u dorëzo dhe vazhdo në këtë rrugë që ke vendosur, se ne legalistëve idealistë, na ke mbështetje të fuqishme, për të ringritur dinjitetin tonë.

Të dashtun bashkidealista, mbështetjuni PLL-së dhe Kryetarit të saj në këtë mision fisnik që sa po ka nisur, se ky mision nuk është vetëm i tij, por i të gjithë idealistëve. Ai i vetëm nuk mundet me ia dalë, ai ka nevojë për të rinj dhe të reja të shkolluar, që tashme nuk na mungojnë, dmth të pa kosumuar politikisht dhe sidomos pinjollë të familjeve tradicionale kombëtare. Ai nuk është i përjetshëm, më vonë ndonjërit prej jush do i bjerë fati të jetë në këtë pozicion të përgjegjshëm dhe fisnik që ka si qëllim përpjekjen për shtrimin e rrugës politike të klasës sonë. Pra, le të lëmë çdo paragjykim dhe xhelozi mënjanë, e të mblidhemi rreth njëri tjetrit, e të mundohemi edhe për realizimin e një koalicioni gjithëpërfshirës të djathtë, e mos të mbetemi përjetë shërbëtorë të të tjerëve, por të pregatisim terrenin politik për sot e për të ardhmen e fëmijëve tanë. Zoti ju udhëzoftë, ju, i dashtun si vlla Sulejman dhe të gjithë idealistët legalisto-zogistë, klasën tonë dhe mbarë shqiptarët! U bëftë realitet sa më shpejt Bashkimi Kombëtar i Shqiptarëve!

New Jersey, SHBA
6 Qershor 2015 

Shkruani nje pergjigje