SULA

edison-ypiNga : Edison  YPI

Në kafenenë e një lavazhi buzë autostradës. Ulur. Vetëm. Kafe, cigare, rrathë tymi, muri përballë. Kështu e njoha Sulën e sertë me sytë me shkëndija. Sula është trembëdhjetë vjeç. Sula ka zbritur nga Kuksi. Sula nuk kishte lindur në dhjetor të nëntëdhjetës. Sula ka bërë pesë klasë shkollë. Sula është fukara. Sula është fëmijë i gjashtë. Sula ka baba të verbër invalid prej vitesh. Sula ka lindur gjatë viteve të verbërisë atërore. Sula është bir i pasionit të errësirës. Sula ka vëllezër e motra shumë, asnjë në punë. Sula, babai i Sulës, nëna e Sulës, vëllezërit, motrat e Sulës, kanë ndërtuar një barrakë buzë autostradës. Sula nuk di ç’bëhet në qytet, nëpër shkolla, nëpër libra, nëpër disko, nëpër gazeta, nëpër televizora. S’e ha meraku Sulën për të tilla. Ka halle Sula. Sula nuk rri kot. Sula punon gjithë ditën. Sula pi kafe dhe tymos cigare në mbrëmje. Sula ndërton jetën duke vrarë vdekjen. Sula u bën bunkerëve atë që bombat nuk ua bëjnë dot; u heq hekurin. Sula me hekurin e vdekjes fiton 1 euro në ditë. Sula punon, fiton, mendon në një kilometër autostradë. Ç’nuk i shohin sytë e ç’nuk i dëgjojnë veshët vogëlushit të vëmendshëm, fukarait, punëtorit të palodhur Sulë. Ja halabaku me makinë tek po vjen me dyqind në orë. Dje një makinë shtypi dikend që u rrek të kapërcente murin e autostradës. Sula nuk flet. Sula vetëm shikon, vetëm dëgjon, vetëm vrenjtet. Tre qen shqyen makinat n’at kilometrin ku mbijeton Sula. Tre ditë ndenjën mishrat e shqyer të qenve mbi asfalt derisa i shplau shiu. Sula sheh me çudi si një plakë e cila e ka shtëpinë andej autostradës dhe kullotat këtej po mëson lopët të kalojnë mbikalimin. Sulës i vjen për të qeshur dhe për të qarë kur sheh njërin që ka hipur mbi murin ndarës të autostradës me një frigorifer dhe po pret një rast fatlum për t’u hedhur matanë pa përfunduar nën rrotat e ndonjë Benzi. Sula e di çfarë bëhet brenda hoteleve aty pranë, por nuk bëzan. Në këtë kilometër Sula i sheh dhe i njeh të gjithë fluturimthi; familjarin që vete në plazh, banditin me makinë të shtrenjtë, italianin a gjermanin që nguten për në aeroport, kosovarin nga targa, fillestarin që e nget makinën dredha-dredha. Nga të gjitha këto Sula edhe zbavitet, por më tepër ngryset, zemërohet, hidhërohet, dhe kalitet, rritet. Kur po çarmatoste një bunker vdekjeje Sulën e preku një nga ato makinat e shpejta. E preku dhe iku. Sula prej disa ditësh rri në shtëpi. Njërin vesh e ka të zënë me pambuk. Njërin sy pothuajse të mbyllur. Tjetrin sy të ënjtur. Buza i ka ikur pak mënjanë. Por nuk epet nuk ligshtohet Sula. Sula nuk është qaraman. Sula veç trimërohet, veç burrërohet. Horra, morra, hajduta, kodosha, minj burokrata, pis analista, bosh opinionista, budallenj ministra, shtazë deputeta, ruhuni nga Sula. Aty e keni. Mos thoni nuk e dinim kur tua shkuli gurrmazin. Fat të mbarë Sulë. Hajt, fillo. Hiqe pambukun nga veshi dhe dëgjo. Hape syrin e mbyllur dhe shkrepëti. Drejto buzën dhe buçit. Biçak të mprehtë Sulë. Nuk ka burrë me të ndalë ty Sulë. Nuk ka mur që nuk shemb ti Sulë. Nuk ka beton që nuk shkatërron ti Sulë. Nuk ka mal që nuk sheshon ti Sulë. Nuk ka t’zezë që nuk zbardh ti Sulë. Zoti të ndihmoftë Sulë.

Shkruani nje pergjigje