Qeveria Rama merr goditje nga SHBA

qeveria1Pas raportit të DASH, qeveria “Rama” ka marrë një tjetër goditje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Instituti Demokratik Amerikan (NDI) ka bërë publik dje një raport mbi punën e qeverisë për vitin 2014, ku ka evidentuar se kabineti “Rama” ka dështuar në arsim, shëndetësi dhe në luftën ndaj korrupsionit.

Po ashtu vërejtje ka pasur edhe sa i përket emërimeve në administratë. Raporti është hartuar mbi bazën e fokus-grupeve të zhvilluar gjatë muajit dhjetor 2014 në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Fier dhe Korçë, ku është marrë mendimi i personave të ndryshëm mbi punën e qeverisë. Raporti konkludon se sektori më problematik i qeverisë është arsimi. “Pjesëmarrësit besojnë se reforma në arsim është e ngadaltë, si dhe ankohen për rritjen e tarifave të arsimit publik. Pjesëmarrësit shprehin shqetësime mbi cilësinë e përgjithshme të arsimit të ofruar në Shqipëri. Në mënyrë të ngjashme, pjesëmarrësit vërejnë progres në shëndetësi, veçanërisht për sa i përket përmirësimit të kushteve higjienike në qendrat shëndetësore dhe shohin një personel mjekësor më të gatshëm”, shprehet Instituti Amerikan.
Korrupsioni
Studimi është bërë në disa fusha dhe ajo që është cilësuar si shumë problematike është korrupsioni. Sipas raportit, lufta ndaj korrupsionit është e pamjaftueshme, ndërsa janë evidentuar dhe fushat të cilat janë më problematike. “Një numër i konsiderueshëm i pjesëmarrësve vazhdon të jetë skeptik dhe ta shohë korrupsionin si të përhapur në shumë sektorë. Pjesëmarrësit rendisin shëndetësinë, arsimin dhe sistemin e drejtësisë si më të korruptuarit. Ashtu si vitin e kaluar, korrupsioni shihet shpesh si faktor, i cili u kufizon pjesëmarrësve mundësitë e punësimit”, thuhet më tej. Një goditje e fortë i është dhënë dhe sistemit të drejtësisë, pasi ai cilësohet si ndër më të korruptuarit në vend. Raporti thekson se një reformim i drejtësisë është shumë i rëndësishëm. “Shumica e pjesëmarrësve mbështesin reformimin e sistemit të drejtësisë. Pjesëmarrësit besojnë se ky sistem është i njollosur nga korrupsioni dhe ndikimi politik. Pjesëmarrësit presin që reforma të rrisë pavarësinë e sistemit të drejtësisë nga ndikimi i politikës, të rrisë besimin e publikut te institucionet shtetërore, të luftojë kriminalitetin dhe të çojë në barazinë para ligjit”, shprehet Instituti Demokratik Amerikan.
Emërimet në administratë
Një tjetër shuplakë qeverisë “Rama” i është dhënë edhe sa i përket emërimeve në administratë. Aty thuhet se nuk ka pasur ndonjë ndryshim nga qeveria paraardhëse, ku theksohet se mjaft emërime janë bërë përmes korrupsionit apo lidhjeve politike. “Pjesëmarrësit përgjithësisht kanë qëndrime negative për sa i përket administratës publike dhe besojnë se në këtë drejtim ka pasur pak ose aspak ndryshim. Lidhjet politike, nepotizmi, si dhe korrupsioni në emërime, konstatohen si probleme kryesore”, thuhet në raport. Po ashtu në bazë të grupeve të fokusuara që janë bërë në qytetet kryesore të vendit, është parë se shumë qytetarë janë skeptikë sa i përket konkurseve të prezantuara nga qeveria për emërimet, sidomos në fushën e arsimit.

Shkruani nje pergjigje