Shqipëri e Madhe!

tifo-1024x683Nga : Arbi  FORTUZI

Shqipëria është më pranë ëndrrës europiane. Kuqezinjtë kanë fituar me rezultatin 2-1 përballjen me Armeninë në “Elbasan Arena”, të vlefshme për eliminatoret e “Francë 2016”.  Mavraj është futbollisti që do e mbajë mend gjatë këtë ndeshje, pasi ishte ai që shënoi dy gola, një në portën tonë dhe një në portën kundërshtare.

Ndeshja e cila dhuroi mjaft emocione, u vendos nga Gashi dhe Mavraj, të cilët në pjesën e dytë të lojës kthyen avantazhin e “miqve” të pjesës së parë. Ndeshja nisi mjaft keq për tanët, të cilët pësuan gol që në minutën e tretë. Mikhtarjani, mesfushori i Borusia Dortmundit, “trullosi” mbrojtjen kuqezi dhe në tentativë për të pasuar topin në qendër të zonës sonë, “përfitoi” nga një pasiguri e Mavrajt, që në vend të largonte topin, e përcolli atë në portën e mbrojtur nga Berisha. Kuqezinjtë tentuan të reagonin. Ishte Ansi Agolli, që me harkimet e tij nga e majta u dha mundësi Xhakajt, Abrashit apo dhe Çikalleshit të rrezikonin seriozisht portën armene.

Kaq për pjesën e parë. Në fraksionin e dytë të lojës kuqezinjtë ishin më agresivë. Ishte sërish Agolli që në minutën e 52’ harkoi nga e majta dhe gjeti në zonë Lenjanin, që me kokë goditi shtyllën. Në të 55-n kuqezinjtë e gjejnë veten shumë pranë barazimit. Gashi merr një top në zonë nga Lenjani dhe godet menjëherë drejt portës kundërshtare, por portieri kundërshtar ndalon hovin e kuqezinjve. Gjithçka ndryshon pas minutës së 70’, kur gjyqtari largon me karton të kuq armenin Pixel, duke lënë me 10 lojtarë miqtë.

Kuqezinjtë pas kësaj minute janë të papërmbajtshëm dhe në minutën e 73’, përmes Mavrajt, që rregulloi dhe autogolin e pjesës së parë, barazojnë rezultatin. Aksioni i golit lind nga një goditje dënimi, ku Taulant Xhaka kroson drejt zonës dhe aty Mavraj kërcen mbi të gjithë duke goditur me kokë dhe duke e dërguar topin në rrjetë. Një aksion i ngjashëm ndodhi edhe në të 83-ën, ku Gashi përfundoi përmbysjen e rezultatit. Mesfushori shfrytëzoi mjaft mirë krosin e ardhur sërish nga e majta, kësaj radhe nga Lenjani, i cili i dhuroi një top të mrekullueshëm Gashit, që gjunjëzoi armenët dhe ngriti në këmbë të gjithë shqiptarët. Me këtë fitore Shqipëria ngjitet në kuotën e 7 pikëve, aq sa edhe Danimarka në krye të klasifikimit. Në ndjekje të kuqezinjve dhe danezëve është Portugalia me 6 pikë. Serbia dhe Armenia mbyllin klasifikimin me nga 1 pikë. Kjo ishte ndeshja e fundit për fazën e parë të grupit I, dhe ishte thelbësore për udhëtimin e kuqezinjve për kualifikimin në Europianin e 2016-ës. Tekniku Gianni De Biasi dhe kapiteni Lorik Cana kanë thënë njëherazi se sa e rëndësishme është fitorja.

“Jam i lumtur për karakterin që tregoi skuadra. Kthyem rezultatin duke treguar se besonim tek fitorja deri në fund”, – tha De Biazi. Kapiteni Cana nënvizoi se skuadra nisi mjaft keq lojën, teksa shtoi se në pjesën e dytë loja ishte vetëm në duart e kuqezinjve. “Nisëm mjaft keq. Ishim ende të emocionuar nga atmosfera dhe kundërshtarët përfituan nga kjo. Ndryshe ndodhi në fraksionin e dytë, kur morën gjithçka nën  kontroll, duke arritur dhe të kthenim rezultatin. Jam shumë i lumtur”, – nënvizoi Cana. Veçori e kësaj sfide ishin 12 500 tifozët e pranishëm në stadium, të cilët në ulëset e tyre kanë gjetur një qeleshe, simbol i kombit tonë. Burime nga Federata Shqiptare e Futbollit kanë bërë të ditur se janë shitur të gjitha biletat e disponueshme, ndërsa mësohet se në stadium janë dhe 150 tifozë  “miq”. Dita e djeshme në “Elbasan Arena” ka qenë mjaft e nxehtë, pasi ka pasur tifozë nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan. Gjyqtarë të takimit ishte katërshja spanjolle e kryesuar nga David Borbalan.

Atmosfera

Emocionet dhe atmosfera e përballjes Shqipëri-Armeni ka qenë e nxehtë dhe reagimet për fitoren kanë qenë të shumta. Disa i kanë përjetuar në shkallët e stadiumit, të tjerë nga shtëpia, por në fund të gjithë janë derdhur me flamurët kuqezinj në sheshet e qyteteve respektivë. Siç raportojnë dhe mediat vizive në vendin tonë, Elbasani dhe Tirana, por edhe Fieri, Vlora e Shkodra, janë pushtuar nga entuziazmi. Të gjithë, të rinj e të reja, fëmijë e të moshuar janë veshur kuqezi dhe kanë festuar së bashku fitoren ndaj Armenisë, një fitore që i jep shpresë dhe dritë kualifikimit në Europianin “Francë 2016”. Ashtu si nëpër sheshe edhe në rrjetet sociale komentet kanë qenë të pafundme, duke nisur nga ato të zyrtarëve më të lartë e duke përfunduar tek qytetarët e thjeshtë.

Kryeqyteti: Tirana ka dalë në rrugë të dielën në mbrëmje për të kremtuar fitoren e merituar që Shqipëria arriti në Elbasan kundër Armenisë, ndeshja e fundit për fazën e parë të grupit I, thelbësore për udhëtimin e kuqezinjve ne kualifikimin për Europianin e 2016-ës. Bori të pafundme makinash, njerëz të veshur kuq e zi por edhe flamuj e fishekzjarrë kanë mbuluar bulevardin kryesor të kryeqytetit “Dëshmorët e Kombit”. “Ndihem krenar për këtë fitore”, tha një i ri, i cili e ka ndjekur ndeshjen e dy kombëtareve në një  nga lokalet e kryeqytetit së bashku me miqtë e tij, të gjithë të veshur kuq e zi. Iliri thotë se kishte patur shumë emocione në pjesën e parë, kur ndeshja kishte qenë e dobët por kthimi i rezultatit e ka bërë të ndihet krenar dhe shumë i lumtur. “Sot është dita jonë”, thotë ai teksa shtrëngon fort një flamur kuqezi. Një pjesë e rrugëve të Tiranës ishin bllokuar dhe ndodheshin nën mbikëqyrjen e policisë, duke e patur nën kontroll situatën. Prej disa ditësh jo vetëm në Tiranë, por dhe në qytete të tjera janë ndjerë ethet e kësaj ndeshje e cila ka vënë në lëvizje dhe tregtarët e shumë cikërrimave dhe sendeve që evidentonin simbolin tonë kombëtar. Por në rrugë për të kremtuar këtë fitore kanë dalë sot edhe qytetarë në qytete të tjera të vendit.

Në fillim lajmi i hidhur, më pas Mavraj përgënjeshtron gjithçka

Luftëtari i mbrojtjes kuqezi ka përjetuar një mbrëmje mjaft ndryshe nga kolegët e tij. Mavraj ishte lojtari që luftoi gjithë javën për të qenë i pranishëm në fushë dhe si një luftëtar i denjë ia arriti qëllimit. Mbrojtësi gjithashtu ishte një nga protagonistët kryesorë të takimit. Ai shënoi një autogol, pas aksionit të mrekullueshëm të Mkhitarjan, u dëmtua dhe në fund të pjesës së parë, sipas mediave dhe konfirmimeve të para u njoftua për lajmin më të keq, atë të humbjes së babait të tij, i cili u gjunjëzua nga një sëmundje e rëndë me të cilën po luftonte prej javësh, njoftonin mediat. Por, mesa duket, fatmirësisht lajmi nuk ishte i vërtetë, pasi Mavraj ka përgënjeshtruar gjithçka.

“Shyqyr Zotit që shënova dhe e ktheva ndeshjen, pasi gabova në golin që shënoi Armenia në fillim. Në pjesën e parë nuk luajtëm mirë, por në të dytën morëm në dorë frenat e lojës duke krijuar shumë raste dhe shënuar golin e fitores. Shpresoj që të vazhdojmë kështu edhe në të ardhmen. Golin dhe fitoren ia dedikoj babait” deklaroi autori i golit të barazimit për Shqipërinë, Mavraj.

Shkruani nje pergjigje