Sulejman Gjana: Rikthimi i xhandarmërisë në programin e PLL, Rama konfirmoi suksesin e Zogut në ndërtimin e shtetit

sulejman_gjana_okNga : Eneida  JACAJ

Kryetari i Partisë së Lëvizjes së Legalitetit, Sulejman Gjana, ka reaguar dje pas nismës së qeverisë për rikthimin e xhandarmërisë së kohës së Zogut. Gjana ka pohuar se rikthimi i xhandarmërisë është pjesë e programit politik të PLL, ndërsa shtoi se kjo iniciativë konfirmon largpamësinë e Zogut, i cili ngriti një strukturë sigurie efikase dhe të suksesshme. “Rikthimin e Xhandarmerisë PLL e ka në programin e saj dhe natyrisht mirëpresim çdo iniciativë për realizimin e këtij qëllimi. Nëpërmjet kësaj iniciative, nuk mund të mos vihet re largpamësia e qeverisë dhe e Mbretit Zog në ndërtimin e shtetit, institucioneve dhe në rastin konkret, të një strukture sigurie efikase dhe të suksesshme. Por duhet të jemi të kujdesshëm që reforma të mos jetë e pjesshme. Sepse kjo mund të krijojë më shumë probleme në kompetencat, organizimin dhe funksionimin e forcave të rendit dhe sigurisë; gjë që mund të shkaktonte më shumë burokraci, konkurrencë e mbivendosje të kompetencave dhe më pak siguri dhe rend”, deklaroi Gjana. Ai theksoi se duhet të bëhet një përqasje e kujdesshme mes xhandarmërisë së kohës së Zogut si dhe ekspertizës së vendeve evropiane. “Prandaj, ne besojmë se duhet bërë një analizë shteruese e modelit të xhandarmerisë në kohën e Mbretërisë shqiptare si dhe të merret edhe ekspertiza e vendeve europiane ku ekziston kjo armatë”, ka deklaruar Gjana.

Reforma  

Kryetari i Partisë së Legalitetit, Sulejman Gjana, pohoi se një reformë e tillë është e nevojshme për sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve. “Nuk ka dyshim se ringritja e Xhandarmërisë duhet të bëhet në kontekstin e një reforme të mirëmenduar të të gjitha strukturave të rendit dhe sigurisë ku do të bëheshin të qarta kompetencat, organizimi, buxhetet, zinxhiri i komandës, mbulimi i territorit, etj., por edhe mënyra e kontrollit dhe llogaridhënies”, tha Gjana. Ai theksoi se strukturat në vend duhet të gëzojnë kompetencat që u parashikon ligji, si dhe mjetet për të realizuar këto kompetenca. “Ne mendojmë se një reformë e tillë është e nevojshme për t’i dhënë të gjitha strukturave ekzistuese dhe të ardhshme të rendit mjetet për të ushtruar detyrat e tyre kushtetuese dhe rrjedhimisht për të siguruar rendin, sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve si dhe luftuar fenomenet e reja të krimit që kohët e fundit kanë marrë përmasa alarmuese”, tha ai.

Sistemi politik  

Në programin politik, PLL parashikon që, konsekuente me parimet e legjitimitetit e të demokracisë dhe në përputhje me të drejtën historike, politike e juridike, Partia “Lëvizja e Legalitetit” aspiron dhe lufton që me rrugë dhe me mjete demokratike të rikthejë Monarkinë Kushtetuese me Dinastinë Zogu në Fron. PLL gjykon se Shqipëria ka nevojë që të mbyllë një herë e përgjithmonë faqen e historisë së errët komuniste. Në këtë drejtim, PLL mendon se sistemi komunist dhe periudha e diktaturës komuniste në vendin tonë duhen dënuar zyrtarisht. Po ashtu, PLL mendon se duhet krijuar kushtet për rishkrimin e historisë dhe ndryshimin e teksteve shkollore, për ti ndërgjegjësuar brezat e rinj dhe të ardhshëm për dëmet e mëdha që periudha komuniste dhe sistemi i tij i sollën vendit tonë.

Shkruani nje pergjigje