Kryeministri që s’po jep, por vetëm po merr

EDI-RAMA-zaptuesShkruan : Redi  AGOLLI

Taksidari dhe një farise (rabin i rregullave strikte) shkojnë në tempull, tregon një histori e Biblës, e iu lutën Zotit. “Zot, unë jam një njeri i drejtë, nuk jam hajdut, keqbërës, shkelëskurore apo si ai taksidari atje”, tha fariseu me kryeneçësi, ndërsa taksidari iu lut Zotit: “Zot, ki mëshirë për mua se jam një mëkatar”. I larë nga mëkatet dhe i shëlbuar ishte taksidari e jo fariseu. Përzgjodha bash këtë mësim nga Bibla, në një pasqyrim të cekët, si një projektim jo vetëm moral, por edhe politik, në këtë Shqipëri të shndërruar në Judenë e kahershme, ku Prelati Edi Rama është i vendosur për të vjelë deri tek kacidhja e fundit e për të burgosur, deri tek i pafajshmi i kulluar, ashtu siç është një fëmijë 5 vjeçar. Është një mësim që na rikujton se taksat janë të drejta për aq sa nuk kalojnë kufijtë dhe se një taksidar mund të jetë më i shëlbuar se një qytetar megaloman, e që nuk tregon përulësi. Por, kur taksa prek dinjitetin njerëzor, kur e shtyn atë në pragun e mbijetesës, nuk është më taksë, por reprezalje. Pikërisht, një përulësi nga Edi Rama është ajo që kërkohet tani, në klimaksin e një situate të tejmbushur nga varfëria, që po del si uji jashtë gote nëpër porte në formën e eksodeve famëkeqe të shqiptarëve të ngulfatur nga varfëria komuniste.

E gjithë qeverisja është përqendruar në operacione mbi qytetarët e jo për qytetarët. Taksat dhe burgu janë përmendur aq shumë saqë duket si qeverisja e një pushtuesi që vetëm vjel taksa e burgos. Shihet edhe një urgjencë, një nxitim, fërkimi i së cilës po cyt gjithë shqiptarët. Kudo, nëpër tavolina shtëpie dhe xhama makinash sheh vetëm fatura, fletëthirrje nga gjykata, dhe në fund, një letër falënderimi nga Edi Rama mbi kapicën e faturave, një tragjo-komedi e vërtetë. Reforma në sistemin energjetik është epitomë e një sjellje që shkon përtej asaj të një qeveritari, por që tregon në fakt identikitin e personalitetit të tij. Jo një Edvin kryeministër por një kryeministër Edvin. Projektimi i ceneve të tij personale, në çdo akt politik, është dëshmuar tanimë kudo që ka shkelur kazma e “reformës” së tij. Mëtimi se po bën reformat e duhura, e veçanërisht në sistemin e energjisë, është plotësisht qesharake. Një reformë e sinqertë në formë edhe në qëllim, në sektorin energjetik, në një version, mund të përfshinte fillimisht një amnisti(përulësi), më pas një proces të një rikonstruktimi të sistemit në tërësi, mbase duke filluar nga zonat me problematike. Edi e ka nisur procesin përmbrapa, me pinca. Reformë dhe pinca, nuk qëndrojnë bashkë si në filozofi ashtu edhe në politikë. Reformave të këtij soji u lipset një “mëshirë” nga shteti ashtu siç u tregua me gjendjen sociale të ndërtimeve pa leje, me “mëshirën” e legalizimeve, në të kundërt, ajo e humbet fizionominë e vet si reformë dhe bëhet “deformë”. Duke qëndruar në këtë suazë, çka e tashmja po tregon është se Rama nuk do të ndërmerrte një reformë legalizimesh, ashtu siç u mor, po përkundrazi do të shembte një Bathore të tërë. Këtë gabim të së shkuarës, pasi kështu e konsideron, kërkon ta ndreqë sot duke e përgjysmuar procesin e legalizimeve nëpërmjet INUK-ut dhe është ironike në fakt që njeriu që krijoi ideologjinë e ndërtimit pa leje, Marksi i Betonit, po na bën shembullorin anti-beton. Qeverisja e tij qe aq origjinale në natyrën e kaosit, saqë mund të themi se Tirana është marrë peng, vazhdon të jetë e robëruar nga mynxyra 11 vjeçare e  Ramës. Nuk ka asnjë shenjë civilizimi në të, që të krahasohet me simotrat evropiane. Zgjidhja për Tiranën është largimi nga kjo Tiranë e Edvinit, nëpërmjet zgjerimit të Bulevardit, një projekt i kryebashkiakut Basha që po ndesh bllokim nga pengmarrësi Rama.

Përveçse po u merr shpirtin shqiptarëve, siç thotë shprehja popullore kur nuk ka ngelur më asgjë për të marrë sidomos pas rritjes prej 25 % të çmimit të energjisë për 71 % të shqiptarëve, ka tentuar të vjedhë data historike si 8 dhjetori madje edhe sulmet terroriste. Për të parën nxori Erjon Veliajn, ministrin e mirëqenies së vet, i cili risillte kujtimet e tij të vegjëlisë, kur ishte 11 vjeç, ku sipas historisë së Vilajet Qyrkut Rama na paskësh organizuar lëvizjen dhjetoriste. Për Erionin, që dasmën qindra mijëra euro ja organizoi e ëma, edhe 8 dhjetorin mund t’ia ketë organizuar Edi Rama, por të dy para shqiptarëve janë kapur mat cip mbi cip në këtë gënjeshtër të vitit. Për të dytën, për vjedhjen e sulmit terrorist në Kosovë, ku një serb i kapur me tritol tentoi të hidhte ne erë Katedralen e Prishtinës, angazhoi miladënët e tij në Prishtinë në misionin për ta çuar tritolin tek Hoteli ku po qëndronte, a thua sikur s’i mjafton “pazari i tritolit” që ka hapur në Shqipëri. Energjia negative transmetohet në frekuencat e fjalës “reformë” e materializohet në shkatërrime, burg dhe vetëvrasje. Dikotomia e personalitetit të Edvinit është dhuna dhe burgu dhe mesa duket duhet të bëjmë kujdes sa herë shqipton fjalën “reformë”, ngase është njëpërmend si hapja e siparit të gijotinave. Arsyeja sepse kjo qeverisje e Ramës është katran me bojë lidhet me vetë Edin. Si një njeri me komplekse, Edvini po përdor një shtet e popull të tërë si terapi për cenet e veta por çka po shohim realisht është se po përkeqësohet, ai dhe Shqipëria. Ka shumë gjasa se do të kishte gjetur “paqe” si ai murgu në majë të Tibetit, në ndonjë cep të Parisit duke pikturuar. Piktura që po përfundon si kryeministër është një Shqipëri e shndërruar në spital, një Shqipëri në agoni, të molisur nga depresioni ekonomiko-socialo-politik, një “Guernica”. Nuk po shohim asnjë “sjellje të krishterë” nga Edi si katolik i vetëshpallur dhe taksidari që i braktis refleksionet, që nuk tregon përulësi, nuk shëlbohet shpirtërisht e jo më politikisht.

Shkruani nje pergjigje