Rilindje?! Për cilët?!

rilindjeNga : Altedo  MYTEVELI

Rilindje deri në cingërrisje nervash. Një shpikje allasoj, njëlloj si ajo e Don Kishotit, që donte të rilindte një epokë të varrosur një herë e përgjithmonë. Madje edhe mjetet që përdorin për të arritur projeksionin e tyre këta rilindës i kanë njëlloj si ai, mjete idiote, edhe shqytarët që e ndihmojnë këtë aventurier janë një lloj si ai, kokëtulë, budallenj, “katundarë” e të tjerë periferikë të pamendë që i bëjnë temena këtij “kalorësi të fytyrës së vrerosur”. Ai shkon i fundit në çdo paraqitje të “Rilindjes” së tij, për të krijuar te të tijtë agoninë e pritjes të shpëtimtarit, me kokën në tavan, fodull, arrogant, pa përshëndetur askënd që mund të ndodhet në rrugën e tij, me telefonin-ushtë në vesh, me hapa të rëndë e me shikim të vagëlluar, merr për t’u treguar pritësve-shërbëtorë programin e tij, si shpëtimin e vetëm të këtij vendi. Kjo Rilindje ka filluar ta zbehë kuptimin e saj në fjalorin opozitar, pikërisht për shkak të marionetave që u shkojnë pas, sidomos të atyre njerëzve që dikur kanë pasur pak ose aspak pushtet, nga i cili kanë përfituar ose jo në mënyrë të paligjshme, të cilët kanë filluar të ëndërrojnë dhe ta zëvendësojnë semantikën e fjalës “Rilindje” me një mori nënkuptimesh të tjera, si: me rimarrje të posteve të dikurshme, rivjedhje kanë filluar ta konsiderojnë ata që vuajnë nga sindroma e kleptomanisë, rizotërim të posteve kyçe për të pasur më shumë akses vjedhjeje, rehabilitim të individëve ordinerë e të pavlerë, rikompozim të administratës me njerëz shërbestarë të partisë, duke u premtuar që tani se ç’përftim do të ketë x apo y, premtim për riemërime për ata mësues, mjekë, infermierë, policë, juristë etj,, që janë hequr “padrejtësisht” nga puna, me pak fjalë një lloj ringjallje edhe për të vdekurit. Aq shumë janë joshur disa njerëz nga kjo rilindje, saqë një pjesë e tyre kanë filluar të besojnë vërtet se do të rilindin sikurse atëherë kur nëna e tyre bërtiste nga dhembjet e barrëlindjes. Ndërsa pjesa tjetër, e atyre që e kanë humbur fare sensin e realitetit, kanë filluar ta shohin Rilindjen si portën e Shën Pjetrit, si pragun prej të cilit ata do të ndahen njëherë e mirë me të këqijat e kësaj bote, duke fituar parajsën e amshuar. Madje disa shkojnë edhe përtej tingujve tashmë kakofonik të Rilindjes, duke besuar verbërisht se ajo mund të konsiderohet edhe si një lloj ringjallje shpirtërore jo vetëm për të gjallët e sotëm. Duke besuar te kjo teori, një mori fanatikësh kanë filluar ta ndjekin hap pas hapi kryetarin e tyre, duke dëgjuar sy e vesh se ç’thotë ai, duke qeshur kot më kot me batutat-broçkulla të thënë vend e pa vend dhe duke u kënaqur me “bllokun” shumëfaqësh të pretimeve të tij. Aq shumë i besojnë ëndrrat me sy hapur, saqë edhe kur ideatori i kësaj gjetjeje shprehet se “duhet të rilindim së bashku”, ngazëllehen së brendshmi duke menduar vërtet se do të rilindin nga hiçi, njëlloj si feniksi nga hiri i vet, pa kuptuar aspak që rilindje me frymë të vdekura nuk mund të ketë. Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë për të gjallët.

Shkruani nje pergjigje