Marrëveshje kalamajsh për cubat deputetë

Parlamenti-shqiptarPas një maratone të gjatë diskutimesh, më në fund politika shqiptare arriti një ujdi mbrëmë vonë në mesnatë. Më në fund kemi një marrëveshje që do të bëjë të mundur kthimin e opozitës në parlament. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se me këtë akt do të rikthehet parlamentarizmi, i cili ka kohë që është marrë peng nga pazaret politike dhe krijimi i një grupi të madh deputetësh të ardhur nga kategori “sociale” problematike me ligjin, etikën, kulturën, arsimin etj. Mbushja e parlamentit me pazarlinj, gangsterë e trafikantë, shumica prej tyre injorantë me diploma të blera, përbën kërcënimin më të madh të institucionit kushtetues dhe as rikthimi i opozitës nuk duket se do ta smbrapsë këtë gjendje. Mënyra sesi u zhvilluan ngarjet deri në arritjen e marrëveshjes tregon besnikërinë e politikës shqiptare për t’u sjellë në mënyrë të papjekur, meskine e aspak publike, meqenëse nuk i mjafton dita, por i duhet t’i zgjidhë punët në orët e vona të natës. Një çështje që diskutohet me ditë të tëra, me mbledhje, takime, ndërmjetësime, negocime, dreka e darka, përsëri vendimi merret në moment të fundit, natën. Në fakt gjithçka zgjatet e stërzgjatet nga një kokëfortësi sa fëmijënore aq edhe bajraktarësh që karakterizon debatin politik në Shqipëri, i cili prodhon nga hiçi situata të komplikuara të zgjidhshme pastaj vetëm nga arbitrazhi i huaj.

Prej këtej natyrisht që marrëveshja nuk sjell kurrfarë optimizmi. Për këtë arsye mund të themi se do të ishte më mirë, jo vetëm që opozita të mos hynte fare në parlament, por të dilte prej andej edhe vetë pozita. Fundja betejat e zhvilluara në atë sallë nuk përfaqësojnë asgjë nga interesat e elektoratit, por i përgjigjen ngushtësisht interesave politike midis palëve. Për më tepër, parlamenti bëhet akoma më i kotë kur ekziston një maxhorancë që gëzon pushtet absolut, të ngritur me pazare tavolinash dhe shitblerje votash në zgjedhje. Një opozitë që shkon në parlament thjesht për numër, përforcon rolin e tij si teatër parodishë ordinere. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja pse ky ngërç politik ka kaluar pa ndonjë interes të madh në opinionin publik, por edhe në shoqëri. Njerëzit tashmë e kanë fjetur mendjen se asgjë me vlerë nuk do të dalë nga këto orë të gjata diskutimesh dhe prandaj e kanë shoqëruar këtë odise me indiferncën më të madhe. Thellë-thellë kjo është një shenjë aspak pozitive, sepse dorëzimi masiv ndaj kastës vjen e zgjerohet, aq sa tani vetëm Europa është shpresa e fundit.

Parlamenti Shqiptar është në ditët më të mjerueshme në historinë e këtij vendi dhe ndoshta e vetmja pikë seriozisht e vlefshme në marrëveshje, por që nuk duket se do të nxjerrë gjë, është ajo e dekriminalizimit të parlamentit. Ai ka nivelin më të lartë të injorancës e analfabetizmit, nivelin më të lartë të njerëzve me precedentë penalë, nivelin më të lartë të dhunës dhe arrogancës, të shprehura në forma të ndryshme. Një numër i madh deputetësh vjen nga bota e krimit, të cilët partitë i kanë përdorur për të mbrojtur apo dhunuar votuesit e kutitë e votimit. Përmes diplomave të kristaleve e vitrinave kanë fituar mundësitë për të hyrë në legjislativin shqiptar e për ta institucionalizuar ligjin e rrugës.Pyetja shtrohet, për çfarë janë aty këta njerëz? Mos vallë zbuluan befas pasionin për politikën e ligjbërjen? Gjithkush e kupton se ky parlament është burim aferash e pislleqesh që majmin sot pushtetarët, çka tregon sesi ky shtet është kapur për zhelesh nga krimi. Eshtë fatkeqësi për një vend që vetëm sot, pas kaq vitesh demokraci, të detyrohet të bëjë marrëveshje për dekriminalizimin e parlamentit. Ndërsa paralelisht shohim jetojmë çdo ditë cinizmin e Kryeministrit që valëvit kërcënimin e burgut për mospagesën e energjisë elektrike.

Shkruani nje pergjigje