Edi Rama mohon vetveten

Me-Edi-Rama-ne-Mitingun-per-artistet-15.01.1991ok2Në vitin 1992, Edi Rama shkruante se PPSH-ja duhet të dilte jashtë ligjit dhe se lufta e LANÇ-it ishte luftë civile. Ndërsa sot, 22 vite më vonë, në takim me veteranët, thotë se ajo ishte luftë çlirimtare dhe ata që e përbaltin janë tradhëtarë.

Në vitin 1990 ishte në modë petku i “antikomunistit” dhe intelektuali i njohur i asaj kohe, Edi Rama, ishte ndër “antikomunistët” më radikalë.  Në vitin 1992 Edi Rama e vlerësoi LANÇ-in si një luftë civile dhe aspak çlirimtare. Pikërisht, në librin “Refleksione” ku është bashkautor me Ardian Klosin, Edi Rama shkruan: “Për ata që mund ta kenë harruar historinë e Shqipërisë, kujtojmë se në Konferencën e Pezës është vendosur që çështja e formës së shtetit shqiptar do të zgjidhet me një referendum pas lufte. Kurse Kongresi i Përmetit me fitimin e Luftës Civile nga komunistët, ia mohoi popullit shqiptar me dhunë këtë të drejtë politike”.

Edi Rama ka reflektuar që nga koha e “Refleksioneve” dhe sot është rikthyer në krahun e partizanëve dhe LANÇ-it, të cilën nuk e quan më një luftë civile, por një luftë çlirimtare. Madje ata që thonë të kundërtën, Rama i quan tradhëtarë. Në takimin e sotëm me një grup veteranësh, në ditën e  70-vjetorit të çlirimit, Edi Rama, shprehet: “Është për të ardhur keq që datën e çlirimit nuk e diskutojnë ata që bënë luftën dhe çliruan vendin, por e diskutojnë ata që tradhtuan dhe nuk ishin fare atje. Përpjekja për të sulmuar dhe vënë në diskutim datën e përcaktuar nga ata që ishin në fushën e betejës është një përpjekje për të fshehur 29-Nëntorin pas 28 -Nëntorit dhe për të mos i dhënë luftës antifashiste atë vlerë të jashtëzakonshme që ka. Kjo luftë bëri të mundur që bota të shpëtonte nga një murtajë si ajo e nazizmit dhe fashizmit. I shohim me keqardhje ata që bëjnë përpjekje të dëshpëruar për të zbehur 29 -Nëntorin. Flamuri i Shqipërisë u ngrit dhe u valëvit i lirë, krahas me flamurin e SHBA-së, Britanisë dhe shteteve të botës së lirë”,- u shpreh Rama.

I njëjti person në dy kohë të ndryshme ka qëndrime krejt të kundërta për Luftën partizane. Nëse nuk ka mungesë informacioni mbi historinë, qëndrimet e tij prej antikomunisti në ‘90 i përshtateshin modës politike të kohës, ashtu si qëndrimet e sotme si kryeministër i pasardhësve të PPSH-së i përshtaten modës së sotme politike, “respektit” për partizanët e LANÇ-it.  Pra, qëndrimet e tij për këtë çështje, që është debat mes politikanësh e historianësh në këto 25 vitet e tranzicionit, janë në funksion të karrierës së tij politike.

Idetë radikale të Edi Ramës kundër komunistëve janë bërë të njohura  qysh në dhjetor të vitit 1990, kur në Shqipëri u rrëzua sistemi komunist. Edhe pse nuk ishte prezent në 8 dhjetor, atë ditë kur nisi beteja e studentëve me komunistët, Rama thotë se kishte qënë aktiv në lëvizjen antikomuniste dhe këtë e pohojnë edhe personazhe të tjera të ngjarjeve të asaj kohe.  Në atë kohë, profesor i pikturës në Institutin e Lartë të Arteve, një prej qendrave më të rëndësishme ku nisi lëvizja antikomuniste në Shqipëri, Edi Rama nuk u pajtua me shumë lëvizje politike që ndodhën në dhjetor ’90  dhe muajt që pasuan. Megjithëse u rrëzua sistemi komunist në Shqipëri, themelimi i PD-së dhe zgjedhja e disa personazheve në krye të saj ngjalli revoltën e Ramës, të cilën ai e shfaqi në ato pak takime që pati me drejtuesit e dhjetorit ’90. Kundërshtitë e tij lidheshin me praninë e Sali Berishës në krye të PD-së, por edhe me qëndrimet që PD-ja mbajti ndaj presidentit të asaj kohe Ramiz Alia dhe PPSH-së.

Pa asnjë dyshim, Edi Rama ishte ndër  njerëzit më radikal kundër PPSH-së dhe historisë së saj prej vitit 1941 kur dhe foli publikisht për një zgjidhje radikale, nxjerrjen jashtë ligjit të PPSH-së.  Në refleksionet e tij Edi Rama shkruan se: “Denoncimi pa kompromis i veprimtarisë kriminale të PPSH-së deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit është i vetmi shteg nga duhet të kalojë PSSH-ja për të fituar të drejtën e qytetarisë në shoqërinë e ardhshme shqiptare dhe e vetmja mundësi për opozitën që atdheun e mbetur në duart e rrugaçëve të qosheve të errëta të nomenklaturës apo të kriminelëve ordinerë t’ua kthejë miliona njerëzve të ndershëm që kanë humbur besimin. Për sa kohë PS-ja nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj, ajo s’mund ta ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme”, shkruan Rama në librin “Refleksione”.

Edi Rama është në krye të Partisë Socialiste prej 9 tetorit të vitit 2005. Është në krye të kësaj partie për të cilën vetë pati thënë se duhet të shpallet jashtë ligjit. Sepse PS-ja është pa asnjë dyshim vazhdimësi e PPSH-së. Në kongresin e dhjetë të saj, PPSH mori emrin Partia Socilaiste e Shqipërisë dhe trashëgoi të gjitha strukturat e saj, elektroratin dhe drejtuesit e partisë. Në krye të PS-së Edi Rama është sot kryeministër dhe me siguri e ka harruar atë kohë kur kërkonte që kjo parti të bënte denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj ose përndryshe ligji duhet ta ndalonte funsksionimin e saj si parti politike.

Shkruani nje pergjigje