Sulejman Gjana: Shërbëtorët e Enver Hoxhës po rishkruajnë historinë, paketë ligjore për hapjen e dosjeve

Sulejman_GjanaBisedoi : Adriatik  DOCI

Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana,shprehet se historia “zyrtare” është shkruar dhe po rishkruhet nga shërbëtorët e Enver Hoxhës. Duke iu referuar polemikave për figurën e Enver Hoxhës dhe rishikimit të historisë, Gjana pohoi se figura e Enver Hoxhës po mbahet gjallë për interesa politike. Kreu i legalistëve tha se kishte vlerësim të lartë për Fisherin që do të rishkruajë periudhën më të nxehtë, por shtoi se historiani amerikan është i rrethuar nga ata që kanë deformuar dhe manipuluar historinë e vendit tonë në shërbim të ideologjisë dhe diktaturës. Ndryshe nga komunistët, të cilët e konsiderojnë si hero të luftës, kreu i legalistëve tha se Enver Hoxha është një kriminel lufte dhe një diktator i pashembullt.

Z. Gjana, cili është qëndrimi i Partisë Lëvizja e Legalitetit, për polemikat dhe çështjen e hapjes së dosjeve? 

Për PLL, çështja e hapjes së dosjeve ka qenë, është dhe mbetet përparësi, si pjesë përbërëse e procesit të dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare. Ne sugjerojmë që Kuvendi i Shqipërisë të hartojë një paketë të plotë ligjore, që do të ezauronte përfundimisht këtë çështje, dhe ku hapja e dosjeve do të ishte vetëm hapi i parë në përmbushjen e një drejtësie për ata mijëra qytetarë që vuajtën nga masakrat, krimet, burgimet, internimet, ekzili, etj, gjatë gjithë periudhës së diktaturës komuniste, por edhe gjatë LDB. Ne konsiderojmë se duhet mbyllur njëherë e përgjithmonë dhe me drejtësi, faqja e errët e diktaturës komuniste dhe të dënohen krimet e komunizmit në bllok ose në mënyrë individuale, kjo ngelet për t’u debatuar. Por, sido që të jetë, për ata të cilët do të rezultojnë të implikuar në shërbim të pushtetit kriminal, duhet që të merren masa restriktive sidomos për t’i kufizuar që të shtyjnë ndikimin në sferën politike dhe publike.

A jeni ju të zhgënjyer nga qëndrimi i Partisë Demokratike, e cila po hesht, madje e konsideron si të panevojshëm, një proces për të cilin pretendon se ka luftuar për 24 vjet?   

Ne mendojmë se ky proces është vonuar mjaft dhe se shtresat që kanë vuajtur më së shumti gjatë diktaturës komuniste, janë po ata që janë mashtruar më së shumti gjatë gjithë periudhës post-komuniste. Për fat të keq, nuk është ushtruar mjaftueshëm presion nga shoqëria civile ndaj pushteteve post-diktatoriale që t’i detyronin ata që të ndërmerrnin nisma ligjore serioze dhe shteruese. Ne besojmë se hapja e dosjeve dhe dekomunistizimi nuk duhet të jetë një ekskluzivitet i asnjë force politike, por një detyrim për mbarë shoqërinë shqiptare, ndërsa partitë politike duhet të kenë vullnetin politik për të realizuar një gjë të tillë. Por, nuk duhet që ky proces të jetë i njëanshëm ose të përdorët politikisht për të bërë presion ndaj dikujt ose tërhequr vëmendja nga problemet e tjera të shoqërisë.

Ka një polemikë të përvitshme për figurën e Enver Hoxhës. A kemi të bëjmë me një ndarje reale, apo me llogari dhe taktika politike?

Tashmë është e padiskutueshme që Enver Hoxha konsiderohet brenda dhe jashtë vendit si një diktator i pashembullt. Por, figura e tij akoma nuk është ndarë shpirtërisht nga jeta politike dhe sociale e shqiptarëve. Kjo për arsye se nuk janë marrë asnjëherë nismat ligjore për dekomunistizimin e vendit dhe se historia “zyrtare” është shkruar dhe po rishkruhet nga ata që i kanë shërbyer diktaturës ose me frymën e tyre. Prandaj, nuk besoj se polemikat për figurën e Enver Hoxhës shënojnë një ndarje pasi, po të kishte qenë ky qëllimi, do të ishte arritur gjatë gjysëm shekullit të fundit. Përkundrazi është mbajtur gjallë figura e Enver Hoxhës dhe është përdorur nga politika për interesa të ndryshme, dhe mendoj se kjo nuk është e ndershme sidomos kur bëhet fjalë për një kriminel lufte dhe një diktator si Enver Hoxha.

Këtë periudhë që ka prodhuar gjithmonë polemika do ta rishkruajë historiani amerikan Bernd Fisher. Nuk besoni në objektivitetin e tij?  

Nuk bëhet fjalë për Fisherin. Ai është një studiues dhe njohës i mirë i historisë së vendit tonë. Por, sipas pohimit të vetë në një intervistë të fundit, ai ka një hapësirë maksimale prej 18 faqesh për të trajtuar periudhën e LDB. Unë dyshoj se do të përdoren shkurtime, përkufizime dhe karikatura që do të cënojnë objektivitetin dhe neutralitetin. Madje, Fisheri dhe komisioni ad-hoc janë ngarkuar për rishikimin e teksteve shkollore çka lë të kuptosh se gjithçka do të jetë sipërfaqësore ndonëse do të ndikojnë tekstet e reja për “edukimin” e brezave të rinj. Mos të harrojmë se Fisheri është i rrethuar dhe udhëhequr në atë komision nga ata që kanë deformuar dhe manipuluar historinë e vendit tonë në shërbim të ideologjisë dhe diktaturës. Nuk besoj se Fisheri do të ketë forcën për t’i bindur ata në pasqyrimin e të vërtetës, pasi kanë dhënë provën gjatë 25 viteve të fundit, se janë të pandreqshëm. Megjithatë, uroj që t’ia dalë. Të paktën uroj që ai mos të manipulohet nga orientimi i tyre dhe i mandatorëve të tyre.

Krerët e partive komuniste e kanë konsideruar të padrejtë vendosjen e bustit të Zogut në Tiranë, me argumentin se u shiti Shën Naumin serbëve, erdhi në pushtet me ndihmën e serbëve, eliminoi patriotët, tradhëtoi vendin dhe mori me vete floririn. Si do t’ju përgjigjeshit ju këtij opinioni për Zogun?  

Nuk besoj se meritojnë një përgjigje këta individë që vazhdojnë të trumbetojnë mitet false që sajoi diktatura komuniste dhe shërbëtorët e saj, për të indoktrinuar popullin. Unë di se gjithçka që paraqiste diktatura komuniste si e zezë ishte në realitet e bardhë, dhe anasjelltas.

Sipas mendimit tuaj, në ç’pikëpamje duhet rishikuar figura e Zogut në histori?  

Mbreti Zog jetësoi pavarësinë e shtetit shqiptar dhe aspiratat e rilindjes. Kontributi i tij në ndërtimin e shtetit dhe administratës si dhe në orientimin perëndimor të vendit tonë, është tashmë i pamohueshëm. Nuk është vendi këtu për një analizë të veprimtarisë së Mbretit në dobi të vendit dhe popullit, pasi ekzistojnë tashmë mjaft studime serioze, sidomos nga autorët e huaj, dhe që dëshmojnë se veprimtaria e vetë atdhetare dhe kombëtare nuk mund të njolloset. Unë nuk besoj se ndokush mund të pretendojë sot se është në të njëjtën kohë më i ditur, më atdhetar, më fisnik dhe më trim se ata patriotë që e cilësuan ligjërisht Mbretin Zog si “Shpëtimtar i Atdheut” dhe personaliteti që “fiset i bëri komb, dhe kombin shtet”.

Z. Gjana, PLL është aleate tradicionale e PD. Do ta vijoni këtë bashkëpunim edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale?

Besoj se komplementariteti dhe diversiteti sjellin më shumë sukses. PLL ka ideologjinë e vetë, një program të ndryshëm nga subjektet e tjera, por edhe një eksperiencë dhe kontribut për shtetin dhe kombin që nuk e kanë të tjerët. Veprimtaria jonë para, gjatë dhe pas diktaturës ka qenë e qartë dhe pa ekuivok në raport me komunizmin, pushtuesit e huaj, krimin, korrupsionin, kontrabandën dhe gjithë ato fenomene negative, që e kanë paralizuar zhvillimin e vendit sidomos kohët e fundit. Ne besojmë se identiteti ynë duhet konsideruar si një vlerë e shtuar nga partnerët tanë të sotshëm dhe të ardhshëm. Përveç kësaj, qëndrimi i PLL në zgjedhjet e ardhshme do të varet sigurisht nga kodi dhe ndarja territoriale, por edhe nga vendimi që do të marrin strukturat e partisë, vullnetin e të cilave do ta respektojë pa kompromis.

PLL ka hyrë në një proces riorganizimi. Cilat janë objektivat kryesore?  

Synojmë që të ngremë struktura efiçente në të gjithë vendin dhe të përgatitemi për sfidat elektorale të ardhshme. Kemi zhvilluar konferenca zgjedhore të suksesshme në shumë degë dhe ky proces është në vazhdim. Besojmë se projekti ynë ofron një mundësi për qytetarët që janë gënjyer gjatë viteve të fundit, që janë ndier të papërfaqësuar politikisht dhe që kanë aspirata të parealizueshme nga partitë e tjera, ndaj ne u ofrojmë hapësirë veprimi sidomos intelektualëve me kapacitete dhe përvojë që dinë ta përcjellin thjesht dhe qartë alternativën tonë tek elektorati.

Shkruani nje pergjigje