VETËM SPIUNËT?!

NEBILNga : Nebil ÇIKA

Një nga mundësitë për shkëputjen politike, historike e shoqërore nga e kaluara diktatoriale në dispozicion të klasës politike shqiptare është pa dyshim denoncimi, ndëshkimi, dhe në mënyrë të veçantë distancimi i krimeve të diktaturës dhe autorëve të tyre. Ka një debat dhjetëra-vjeçar që lidhet me hapjen e dosjeve të ish-policisë sekrete të diktaturës “Sigurimit të Shtetit” që ka degjeneruar shpeshherë në përfundime krejt banale. Nëse kjo gjë do të ishte marrë me seriozitet që në vitet e para pas rënies së diktaturës ashtu siç ndodh në vendet me kushte të përafërta si Gjermania Lindore, Çekia, Polonia etj., sot politika dhe krejt shoqëria shqiptare do të ishte e çliruar nga një barrë e rëndë që ka sjellë pengesa serioze në ritmet e udhëtimit tonë drejt demokracisë dhe prosperitetit. Denoncimi i krimeve të komunizmit e bashkë me to edhe autorët e tyre u rikthyen në debatin e politikës shqiptare të detyruar nga një rezolutë e BE-së që nuk duket se ka ndërmend ta harrojë apo ta anashkalojë momentin më të errët historik e human të pothuaj gjysmës së Europës. Duket qartë frika dhe bezdia e politikës shqiptare sa herë detyrohet të merret me një çështje të tillë, gjë që reflektohet dukshëm në vendimet gjysmake apo sa për të larë gojën të Parlamentit dhe institucioneve të tjera shtetërore. Përpjekjet e politikës shqiptare për denoncimin e krimeve të diktaturës nuk duket se kanë qenë ndonjëherë serioze. Trajtimi që i bëhet kësaj çështjeje ka qenë pjesë e skenarëve dhe manipulimit politik që ka synuar sabotimin e një hetimi dhe ndëshkimi real të këtyre krimeve.

Përpjekjet për të pastruar politikën shqiptare dhe administratën shtetërore nga autorë të krimeve dhe bashkëpunëtorëve kanë dështuar pa lënë ndonjë gjurmë apo pa ndonjë efekt të dukshëm në zhvillimet politike e shoqërore. Zvarritja e kësaj pune, sipas parimit “tërhiq e mos e këput”, ka synuar dhe pothuaj ka arritur të lodhë opinionin publik me një prej çështjeve më të dhimbshme e më të pakapërcyeshme të historisë sonë të afërt. Përqendrimi i vëmendjes tek pjesa më banale e makinës kriminale të diktaturës, informatorëve apo bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit përbën qartësisht një përpjekje për ta sabotuar shitjen që në fillim të saj. Për njerëzit që kanë jetuar diktaturën është e qartë si hierarkia e krimit që nuk ndryshon shumë nga hierarkia politike e kohës. Nëse do të mund ta ndanim në tre grupe makinën kriminale ata mund të ishin projektuesit, punëtorët dhe bashkëpunëtorët. Dihet që promotori i politikave që çuan në krime ishte pa dyshim sunduesja e vetme e jetës politike, ekonomike, ushtarake, shoqërore, kulturore e të tjera ishte PPSH që është edhe natyrshëm përgjegjësi kryesor politik e juridik i megakrimit diktatorial. Pas saj vijnë pa dyshim zbatuesit e këtyre politikave kriminale si ish-Sigurimi i Shtetit dhe së fundi bashkëpunëtorët që më shumë shërbenin për formalizmin e krimit, pasi viktimat e tij përcaktoheshin paraprakisht shpeshherë pa ndonjë arsye politike apo ligjore, thjesht për intriga e inate jo politike e sidomos për terror psikologjik. Nëse do ta shikonim krimin diktatorial si një ngrehinë që rrëzohet duke shkaktuar viktima, përgjegjësia natyrisht do të fillonte së pari nga projektuesit për të kaluar tek zbatuesit dhe së fundi punëtorët e tullave dhe llaçit. Nuk them se këta të fundit nuk mund dhe nuk duhen të merren nën përgjegjësi, por të merresh vetëm me këta nuk ta pranon asnjë lloj kodi juridik, politik e moral. Para disa javësh në Parlament pati një përpjekje tinëzare për të përdorur kartën e spiunëve të sigurimit për të diskretituar pjesën më të viktimizuar të diktaturës, ish-të përndjekurit politikë. Projektligji për shpërblimet e burgjeve të tyre tentoi të përjashtonte nga dëmshpërblimi pjesën e bashkëpunëtorëve të sigurimit, duke realizuar kështu “de facto” një hapje selektive të dosjeve të krimit komunist. E solla këtë shembull për të ilustruar atë tendencë të politikës shqiptare që tenton të transferojë përgjegjësinë për krimin pikërisht tek viktimat e tij ish-të përndjekurit politikë, sipas një slogani të njohur të viteve ‘90 “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”.

Nëse politika shqiptare dëshiron me gjithë mend të denoncojë e të ndëshkojë krimin e diktaturës duhet patjetër të përfshijë në projektin e saj gjithë infrastrukturën e saj. Nuk ka shqiptar që beson se një ish-ministër apo ish-drejtues i lartë i shtetit diktatorial është i pafajshëm, ndërkohë që po konsiderohet i tillë një bashkëpunëtorë i sigurimit bari injorant në Mirditë, Skrapar apo diku tjetër. Ndërkohë që dihet dëmi që drejtuesit komunistë të sillnin institucionet e propagandës letërsisë, historisë, artit e kulturës që himnizonin krimin. Jemi koshientë që ish-drejtues të lartë të qeverisë diktatoriale apo autorë të denoncuar të krimeve janë pjesë e rëndësishme e Parlamentit dhe politikës shqiptare. Në këto kushte nuk bëhet fjalë që këto institucione të marrin vendime që do të cenonin ardhmërinë e tyre politike dhe interesat e pushtetit. Mund të jetë i vërtetë pretendimi i Spartak Ngjelës se hapja e dosjeve mund të rrëzojë qeverinë, por është edhe më i vërtetë fakti që hetimi dhe ndëshkimi i plotë i krimit rrëzon interesa të gjera të pushtetit Parlamentin, qeverinë, gjyqësorin, mediat e shoqërinë civile etj. Si në shumë aspekte të tjera nuk besoj e as shpresoj që kjo klasë politike e pushtet-mbajtëse të jetë e gatshme të kryejë një “harakiri”, siç mund të jenë kufizimet që do të vinin nga denoncimi dhe ndëshkimi i krimit komunist në Shqipëri. Por besoj gjithashtu se brenda kësaj politike e këtij pushteti ka njerëz e forca që mund ta venë në lëvizje një gjë të tillë, nëse llogarisin përfitimin politik e shoqëror të Shqipërisë dhe shqiptarëve nga një lëvizje e tillë. Mendoj se një sqarim i plotë i krimeve të diktaturës do të çlironte jo vetëm viktimat por edhe autorët e tyre, pasi konspiracioni krijon kushte për mbajtjen peng të tyre për shaka të monopolizimit të materialit shtrëngues, informacionit mbi përmbajtjen e dosjeve të pak personave. Ndërkohë nuk janë aq të rralla provat e përdorimit nga politika si mjete presioni të dosjeve të sigurimit. Vendet që e kanë aplikuar një gjë të tillë sjellin provoja pozitive nga përfundimi i një procesi të ngjashëm. Hapja e dosjeve dhe publikimi i krimeve dhe autorëve të tyre i ka çliruar të dyja palët, duke i dhënë mundësi në radhë të parë politikës dhe pushteteve të tjera të jenë më të pastër, me dinjitozë dhe në mënyrë të veçantë më të çliruar nga pengu apo hijet e së kaluarës.

Shkruani nje pergjigje