Shqipëria mposht Portugalinë me rezultatin 1-0

canajShqipëria e ka filluar në mënyrë magjike rrugëtimin për ‘Euro 2016’ duke e mposhtur Portugalinë në udhëtim me rezultat 1-0. Përkundër mungesës së Cristiano Ronaldos në formacion, skuadra vendase pati epitetin e favoritit dhe e diktoi ndeshjen në fraksionin e parë. Megjithatë, me raste kuqezinjtë e kishin posedimin dhe rrezikonin portën e Rui Patricios.

Nani nxori në pozitë të mirë Vieirinhan pas një gabimi të Agollit, por porta mysafire mbeti e paprekur. Në fund të fraksionit të parë, Balaj rrezikoi për shqiptarët, kurse Pepe për portugezët. Kuqezinjtë e nisën furishëm pjesën e dytë. Ata rrezikuan menjëherë me dy shanse, ndërsa i treti rezultoi i saktë. Odise Roshi ishte arkitekti i golit. Ai e kaloi Costan dhe dërgoi një harkim të mrekullueshëm në zonë, ku e priti Bekim Balaj për të shënuar me një gjuajtje spektakolare (52’). Pas golit të pësuar, vendasit filluan të tregoheshin më të rrezikshëm. Ata krijuan raste, ndërsa e goditën edhe shtyllën. Po ashtu, edhe Nani ka mundur të shënojë kur në rast e nxori Coentrao. Shqiptarët vazhduan të mbroheshin mirë, ndërkohë që vendasit përpiqeshin të shënojnë pa sukses. Pas xhiros së parë, Shqipëria ndan vendin e parë në Grupin I me Danimarkën që mposhti Armeninë me rezultat 2-1.

Shkruani nje pergjigje