Letër Kadaresë

alfred-lelaNga : Alfred  LELA

Ismail Kadaresë i kanë nisur letër javën e shkuar. E shkruar prej Nasho Jorgaqit, letra dhe as mëtimi i saj nuk të jep arsye të mjafta për t’u ndalur; jo se nuk është e habitshme dhe shqetësuese, por se ngjan si pushkë e vjetër nga një tjetër frëngji. Vajtim i dëgjuar domethënë. Motivi i qëndisur me dogmë socrealiste dhe i paraqitur si analizë teksti, më shumë se kritikë e kulluar ishte një biçak i vogël qejfmbetjeje rrethuar me helm. Në të kundërt, ajo letër të fton për t’i ikur rastit dhe për të studiuar vazhdën apo kontekstin.

Vazhda është numri jo i vogël i ‘denoncimeve’ ndaj mjeshtrit të letrave shqipe, i pranuar botërisht si një prej të mëdhenjve të letërsisë universale. Radhitja e këtyre fletërrufeve do donte kohë, por as nuk është nevoja e saj, duke qenë se çdo gjë që lidhet me shkrimtarin bëhet menjëherë dijeni publike. Skizofreninë e denoncimeve e përmbledh më së miri një shkrim i paradokohëve i Arben Kallamatës i cili shpallte, pak a shumë, se ‘erdhi shtatori muaji i sulmit kundër Kadaresë.’ Sepse çdo shtator zhvillohen, si me thënë, eliminatoret e Finaleve të Botërorit të Nobelit. Pse, megjithatë, ka kaq shpesh, e kaq shumë fort sulme ndaj një shkrimtari kryesisht me mantelin e demiurgut, i cili me ngulm i reziston kërkesës për t’u futur në arenën e debatit politik të ditës në Tiranë (debat mbi literaturën nuk ka). Gazetarët e dinë fort mirë këtë ngaqë më shumë se njëherë, buzëvarur kanë marrë mohime pas kërkesave për prononcime apo intervista ndaj shkrimtarit. Nëse, në ngut e sipër, a në mosdëshirë për t’u thelluar, ia mveshim antikadareadën inateve të vogla, të tipit: më the e të thashë; s’më pe e të pashë; ika e ta lashë; s’ma le, po ta lashë; jemi vetëm sa duke kënaqur shijen tonë bazike për informim dhe aspak thellimin që kërkon formimi.

Lufta e zhganit antiKadare me Shkrimtarin, duhet ta themi që në zanafillë të shtjellimit, nuk është luftë brenda llojit, por mes llojeve. Një antagonizëm i tillë, sa i ashpër, por më shumë hileqar, nuk mund asesi të fshihet brenda fizionomisë së luftës brenda llojit. Forca të tjera shtytëse, përbindësisht të tilla, e përcaktojnë këtë përplasje. Sigurisht anatemuesve të Kadaresë nuk u volit që të bëhet e ditur natyra e vërtetë dhe e thellë deri në frojdizëm e qëndrimit të tyre, kështu që ata kanë gjetur strehë te një kategorizim moral. Duke shpikur dikotominë perverse dhe hileqare ‘shkrimtar i madh, njeri i vogël’. Modeli i ‘njeriut të mirë’ në art dhe jetë mbërrin deri te ne si një derivat i shkollës socrealiste në letërsi dhe asaj komuniste në pedagogji e moral shoqëror. Njeriu i mirë, ai që sakrifikohet për ‘interesin e përgjithshëm’, është një kategori e mjerimit filozofik. Mund ta gjesh sigurisht në filmat e Hollivudit, por brenda një heroizmi shterues që i nevojitet happy end-it dhe biletashitjes. Dështimi i komunizmit si rend shoqëror ndoshta këtu e kish fillesën: te përpjekja për të deindividizuar individin. Për ta ndërtuar atë pa cene. Po, kapitalizmi i ka njerëzit e tij të mirë: te punëtorët socialë, klerikët, dhe po deshe prostitutat.

Ne të tjerët jemi njerëz më vete.

Te mëvetësia në spikamë, e shndërruar në universalizim të veprës letrare, fillon edhe tëhuajëzimi (in)koshient i anti-kadareanëve me Shkrimtarin. Me filozofinë e tij hapur Oksidentale, antishenjë e parapëlqyer e së cilës janë sovjetizmi (lexo bizantinizmi politik e shoqëror) dhe otomanizmi (lexo orientalizmi despotik e kulturor). Kadare i ka pasur e i ka tema të parapëlqyera marrëdhëniet e shqiptarit me ‘sovjetiken’ dhe ‘otomanen’, me orientalen dhe oksidentalen, me mitin dhe anti-mitin. ‘Mosmarrëveshja’, një dhjatë e antropologjisë kombëtare më shumë se një sprovë, është dëshmi e kësaj. Rrjedhimisht parehatia e anatemuesve. Shumë syresh ndihen sovjetikë (filorusë), e shumë të tjerë otomanistë (dumbabistë). Por nuk mund ta thonë këtë: do të ishin politikisht jokorrekt, por edhe do skualifikoheshin e ndoshta përçmoheshin nga një opinion publik kryesisht Oksidental. Ky ngushtim, ky kulm i ulët, kjo bezdi sociale e kjo dergjë kulturore u dhemb në shpirt. Fajësojnë për këtë Kadarenë që është në fakt një ndër shenjat, programuesit dhe përçuesit e Oksidentalizmit shqiptar. Nuk është e rastit që ai është prej të targetuarve të mëdhenj, njëri krah i Trinisë (së shenjtë) të universalizmit e oksidentalizmit shqiptar: dy të tjerët janë Nënë Tereza e Gjergj Kastrioti. Kadare me letërsinë dhe mendimin e vet ka ngritur, pavarësisht terrenit të minuar me atentatorë të shkollave otomano-sovjetike, një sistem më vete të shpirtit të shqiptarit, një arkitekturë oksidentale të tij. Duke u bërë në proces një Shqipëri e dytë ose një Komb paralel. Është ky shorti i përcaktuar dhe i panegociueshëm i shkrimtarit të madh që del nga një kulturë e vogël. Atë që Shqipëria nuk e ka patur në fat historik e ka marrë në fat kulturor. Për këtë letra e javës së shkuar drejtuar Kadaresë, ka qenë në fakt një kumt për publikun. Një aht nga yrti i ngushtë i viteve 1945-1990 dhe letërsisë dogmatike të realizmit socialist. Shenja e fundit e disfatës së asaj dergje letrare. Që e kërkon shpëtimin, ironikisht, bash te modeli që e vdiq: te njeriu i mirë, personazhi pozitiv. Kadare, padyshim, nuk mund të bëhet pjesë e këtyre kanoneve të vokta e të vorfna socletrare. Ai është, tashmë dhe përfundimisht, më shumë se njeri dhe personazh: një Katedrale e kulturës shqiptare. Këto do t’i thoja nëse merrja të shkruaja një letër për Kadarenë.

Shkruani nje pergjigje