Kosovë, Isa Mustafa zgjidhet Kryetari i ri i Parlamentit

isa-mustafaIsa Mustafa është zgjedhur Kryetar i ri i Parlamentit të Kosovës. Pro kanë votuar 65 deputetë, ndërsa deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë abstenuar. Aktualisht seanca po drejtohet nga Milka Vulic. Kjo e fundit u zgjodh me aprovimin e deputetëve. Në sallë janë të pranishëm 82 deputetë pra 2/3 e tyre. Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk janë të pranishëm, por mungesa e tyre nuk ka penguar zgjedhjen e kryetarit të ri, pasi është marrë numri i mjaftueshëm i votave. Më parë deputetja më e vjetër e parlamentit Flora Brovina kishte ndëprerë seancën në mungesë kuorumi dhe deputët e PDK-së u larguan nga salla duke ia lënë vendin partive të tjera.

Mustafa: Do punoj në të mirë të Kosovës

Kryetari i porsazgjedhur i Kuvendit të Kosovës, pasi falënderoi të pranishmit për besimin, tha se do të punojë në të mirë të të gjithëve në Kosovë. “Falënderoj të pranishmit dhe përfaqësuesit diplomatikë. Do të punoj në interes të atyre që e votuan ose që nuk ishin në sallë për të më votuar. Do të punojmë edhe për komunitetin jo shumicë dhe në mbledhjen e ardhshme do të votohen në pako nënkryetarët nga radhët e tyre”, tha Mustafa. Ai përmendi përkushtimin për zhvillim, integrim të komuniteteve, luftë kundër korrupsionit dhe çuarjen përpara të partneritetit me faktorin ndërkombëtar. Ndërkohë nga froni i kryetarit të Kuvendit ai paralajmëroi se në seancën e ardhshme do të procedohet plotësimi i Kryesisë së Kuvendit nga radhët e Grupit LDK, AAK, Nisma dhe PDK e Srpska Lista, gjithnjë, siç u shpreh ai, në përputhje me dispozitat kushtetuese. Me këtë premtim ai mbylli seancën e sotshme. Nuk dihet se si do të veprojë Grupi Parlamentar i PDK-së.

Basha: Mustafa do t’i japë dimension të ri parlamentarizmit

Kryetari Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha i ka dërguar urime kreut të LDK-së, Isa Mustafa pas zgjedhjes në krye të Kuvendit të Kosovës. “Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike dua t’i shpreh urimet më të përzemërta kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës, zotit Isa Mustafa. Shpreh bindjen se ligjvënësit kosovarë nën drejtimin e zotit Isa Mustafa do të arrijnë të orientojnë drejt rrugët e zgjidhjes së çështjeve që u shërbejnë interesave të të gjithë qytetarëve të Kosovës për zhvillim ekonomik, punësim dhe mirëqenie për konsolidimin e demokracisë dhe integrimin evropian dhe euroatlantik”, thuhet në urimin e kreut t ë PD-së dhe të Tiranës. Letra e Bashës përfundon kur ai i uron suksese Kryetarit të ri të Kuvendit, teksa shprehet i sigurt se me urtësinë dhe përvojën e tij, Mustafa do të arrijë t’i japë një dimension të ri parlamentarizmit në Kosovë duke vijuar në rrugën e progresit dhe zhvillimit.

Thaçi thërret kryesinë e PDK

Para pak minutash ka filluar mbledhja e Kryesisë PDK-së. Siç bëhet e ditur në këtë takim urgjente do të diskutohet për hapat që do të ndërmarrë kjo parti pas zgjidhjes së Isa Mustafës kryetar të Kuvendit të Kosovës, derisa PDK e konsideron zgjidhjen e tij antikushtetuese. Pritet që PDK ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese zgjidhjen e kryeparlamentarit. Grupi i PDK-së kishte lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës, kur drejtuesja e seancën konstituive, Flora Brovina, konstatoi se nuk kishte numër të nevojshëm deputetësh për të proceduar zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Në fakt, në sallë kishin mbetur vetëm deputetët e koalicionit të PDK-së dhe ndonjë tjetër, gjithsej 47, kurse të gjithë të tjerët kishin dalë nga salla kur kryesuesja procedoi votimin për kandidatin e katij koalicioni për kryetar, Agim Ademi, për t’u kthyer më pas dhe për të vazhduar séance, në të cilën Isa Mustafa u zgjodh kryetar i Kuvendit.

Shkruani nje pergjigje