INTERESI KOSOVES MBI TE GJITHA…..

isa-mustafaShkruan : Isa  MUSTAFA

Qeverisjen e mirë e siguron platforma e qartë që përcakton programin qeverisës, pjesëmarrjen dhe përgjegjësinë e partnerëve në qeverisje dhe mekanizmat që rregullojnë këto raporte. Por unë jam ithtar edhe i besimin reciprok si një parakusht themelor, sepse në këtë vend janë nënshkruar dokumente të rëndësishme por më vonë nuk janë zbatuar.Me marrëveshjen pas zgjedhore kemi siguruar grupin më të madh parlamentar, na takon ta propozojmë Kryetarin e Kuvendit dhe do të sigurojmë votat që ta zgjedhim Kryeministrin.

Kosovën do ta ndërtojmë me thellimin e partneritetit me vendet e BE-së dhe SHBA si dhe me vende të tjera që kanë përkrahur Kosovën në proceset e pavarësisë dhe shtetëndërtimit. Këto vende kërkojnë të vazhdohet me dialogun dhe Kosova të implementoj marrëveshjet nga dialogu. Dialogu i ka dhënë rezultatet e tij, janë mbajtur për herë të parë zgjedhjet në tërë territorin e Kosovës; përfaqësuesit e serbëve në komunat veriore sot janë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ata po integrohen. Fondet që i jep Serbia për serbet e Kosovës do të kalojnë përmes thesarit të buxhetit të Kosovës, ato nuk do t’u shërbejnë më grupeve kriminele serbe e shqiptare. Kjo është e arritur. Kosova dëshiron reciprocitet dhe dialogu zhvillohet mbi baza të reciprocitetit dhe me subjekte reciproke. Në Kosovë është në përfundim e sipër procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. Ka pasur dhe ka shumë vërejtje për këtë proces, por konsideroj se ky proces është i pakthyeshëm ashtu siç është e pakthyeshme prona shoqërore dhe sistemi të cilit i ka shërbyer kjo pronë. Prandaj, vërejtjet për kërkesat që kanë të bëjnë me hetimin e procesit të privatizimit ose për vlerësimin e privatizimit nuk kanë të bëjnë me faktin se aty nuk ka pasur lëshime. Lëshimet le t’i ndjekin organet që kanë përgjegjësi ligjore ta bëjnë këtë punë, ndërkaq qeverisja e ardhshme duhet të krijoj mekanizma që këto firma dhe prona të privatizuara të aktivizohet dhe të shndërrohen në asete ekonomike, në vende të punës dhe zhvillim. Konsideroj se do ta kemi lehtë ta gjejmë interesin e marrëveshjes sonë, nëse e qartësojmë se a dëshirojmë të shikojmë mbrapa apo përpara. Unë jam që të gjejmë këtë interes për të shikuar përpara, për ta nxjerrë këtë vend nga kapja e shtetit, nga krimi dhe nga gjendja e rëndë ekonomike. Për të zgjidhur problemet e së kaluarës, kontributi më i madh i yni do të ishte që të mos interferohemi dhe të depolitizohet sistemi gjyqësor, që ky sistem në mënyrë të pavarur ta bëjë punën e vet.

Shkruani nje pergjigje