Gjermania pushton botën

gotzeGjermania është kampioni i ri i botës, pas triumfit prej 1-0 kundër Argjentinës në finalen e madhe që u zhvillua në Maracana të Rio de Janeiros. Ishte një fraksion i parë me një dominim të Die Mannschaft, ndërkohë që loja e Albicelestëve bazohej në kundërsulme. Mirëpo, përkundër iniciativës, gjermanët e kishin të vështirë të depërtonin në zonën e kundërshtarit dhe patën shumë pak raste shënimi. Përmendim një goditje të Schurrles që u mbrojt nga Romero dhe goditjen e shtyllës nga Howedes.

Sa u përket argjentinasve, ata ishin shumë të rrezikshëm në kundërsulmet e tyre. Gonzalo Higuain pati rastin më të mirë të shënonte kur iu kthye topi pas një gabimi të lojtarëve gjermanë. Mirëpo edhe pse ishte përballë Neuerit, ai goditi jashtë. Sulmuesi i Napolit arriti edhe të shënonte nga një rast tjetër, por goli u anulua për pozitë jashtë loje. Argjentinasit e filluan më mirë gjysmën e dytë me një rast shumë të mirë të Leo Messit, por goditja e tij nuk ishte në kornizën e portës.

Evropianët e morën shumë shpejt lojën në dorë dhe vazhduan të dominonin me posedimin e topit, mirëpo ndeshja ishte shumë e baraspeshuar sa u përket rasteve për të shënuar. Rastet nuk munguan nga të dyja palët, mirëpo rrjetat nuk u prekën dhe kur gjyqtari dha shenjë për përfundimin e kohës së rregullt, rezultati ishte ai i fillimit të ndeshjes. Në pjesën e parë të vazhdimeve, Schurrle për gjermanët dhe Palacio për argjentinasit, patën rastet më të mira, por dështuan të shënonin. Në gjysmën e dytë të vazhdimeve, pas një angazhimi të Schurrles nga e majta dhe harkimit në zonë, Mario Gotze e priti për mrekulli dhe e dërgoi topin në rrjet (113’). Ky është titulli i katërt botëror i Gjermanisë dhe është hera e parë që një përfaqësuese evropiane fiton në terren jugamerikan.

Shkruani nje pergjigje