Kosovës i duhet një qeveri e shumicës shqiptare

VJOSANga : Vjosa  OSMANI  SADRIU

Po mbushen gjashtë vjet të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, një dokument që u hartua me shumë ndikim të pranisë ndërkombëtare në vend, dhe që për arsye kompromisi, në shumë dispozita të saj ka paqartësi që rezultojnë me shumë mënyra interpretimi. Më tepër se çkado tjetër, ky dokument njihet si kompromis i dhimbshëm në shumë aspekte, duke përfshirë po ato kompromise që Kosova i kishte pranuar në dialogun e Vjenës e që u bënë pjesë e Propozimit Gjithëpërfshirës të Ahtisarit. Në veçanti, kompromiset që u bënë në favor të përfaqësimit të pakicave në Kosovë, shpeshherë kanë bërë institucionet e Kosovës të hasin në bllokadë gjatë funksionimit të tyre. Kjo ka ndodhur kryesisht në punën e Kuvendit të Kosovës, ku shumë vendime u bllokuan nga pakicat, të cilat shfrytëzuan të drejtën e tyre të shumicës së dyfishtë për ndryshim të ligjeve apo edhe për ndryshim të Kushtetutës. 
Mirëpo instrumenti i ndryshimit të ligjeve e Kushtetutës nëpërmjet shumicës së ‘Badinterit’ nuk është i vetmi në duart e pakicave sa i përket fuqisë së tyre përfaqësuese. Shumica flasin për vendet e rezervuara e garantuara në Kuvend, mirëpo pakkush e përmend faktin se Kushtetuta e Kosovës na detyron që pakicat të jenë të përfaqësuara edhe në Qeveri. Në një situatë të tillë, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet, pakicat doemos do të jenë pjesë e Qeverisë. Ajo që duhet të ndryshojë, megjithatë, është përfaqësimi i shumicës shqiptare në Qeverinë e Kosovës.Qeveria Thaçi II, ndryshe është njohur si Qeveri e pakicës. Jo sepse kishte përfaqësuesit e pakicave në të, por sepse përfaqësonte numër më të vogël të votuesve shqiptarë sesa që përfaqësonin partitë opozitare. Prandaj, shumica shqiptare gjatë viteve 2010-2014 ishte në opozitë. Në këtë mënyrë, vullneti shumicë i sovranit kishte mbetur jashtë Qeverisë, duke i dhënë kështu mundësi Qeverisë Thaçi që të formohej me ndihmën e 26 votave të pakicave që përfaqësoheshin në Parlament. Në këtë legjislaturë, pas insistimit të LDK-së, nuk u bë kompromisi rreth vazhdimit të vendeve të rezervuara, prandaj pakicat do të mund të kenë maksimum 20 ulëse. Dhe, meqë jo të gjitha partitë e pakicave mund të jenë pjesë e Qeverisë, natyrisht që nuk pritet që të gjithë këta 20 deputetë do të votojnë për përbërjen e Qeverisë së ardhshme.

Prandaj, do të jetë e domosdoshme që kjo Qeveri të ketë votat e shumicës shqiptare. Por më shumë se sa matematikat, është me rëndësi që përfundimisht qytetarët e Kosovës të përfaqësohen nëpërmjet një Qeverie që përfaqëson shumicën shqiptare. Është më se e qartë që ashtu sikurse në zgjedhjet e kaluara, koalicioni me të cilin garoi PDK, nuk përfaqëson këtë vullnet, pra nuk përfaqëson votat e shumicës shqiptare. Ato vota sërish shkuan te partitë opozitare, të cilat këtë radhë u bashkuan për t’i dhënë fund një regjimi që ndërkombëtarisht po njihet si regjim gjysmëautoritar. Çfarëdo tendence për të argumentuar se kinse krijimi i Qeverisë nga parti të tjera, pos PDK-së, nuk na qenka vullnet i shumicës, është injorim i numrave dhe injorim i këtij vullneti.Prandaj, pavarësisht se cili do të jetë epilogu i zhvillimeve të fundit rreth të drejtës për të krijuar Qeverinë, shumica assesi nuk do të përfaqësohet nga PDK-ja. Një Qeveri Thaçi III përsëri do të ishte Qeveri e pakicës dhe sundim i kësaj pakice mbi vullnetin e shumicës. Na mbetet të shpresojmë që në ditët në vijim presidentja e vendit nuk do të ndikohet nga kërcënimet publike që ia bënë zyrtarë të PDK-së. Tek e fundit, neni 84 që flet për kompetencat e saj është shumë i qartë. Aty flitet për shumicë në Kuvend, dhe atë shumicë PDK-ja nuk e ka.

Shkruani nje pergjigje