E djathta, e majta apo interesi?!

e-djathta-e-majta-apo-interesi_hdArsyet se pse partitë politike nuk lidhin koalicione në bazë të orientimeve ideologjike, sipas analistëve kosovarë kanë të bëjnë me atë se shumica prej tyre si synim e kanë të jenë pjesë e pushtetit. Madje, ata theksojnë se shumica e subjekteve politike në Kosovë e quajnë veten “të djathtë”, vetëm për t’i hyrë në qejf qytetarëve.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se partitë politike kur vije puna te koalicionet, nuk i respektojnë parimet ideologjike.Sipas tij, përveç Lëvizjes Vetëvendosje (VV), asnjëra nga subjektet politike nuk e ka refuzuar subjektin tjetër për bashkëpunim, nëse e ka vërejtur se iu përputhen interesat.Më tutje, Korenica ka theksuar se tri partitë që kanë qenë pjesë e Qeverive të deritanishme (Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë lëvizur nga orientimi i tyre ideologjik.

“Mendoj që ata ende nuk e kanë të qartë – në aspektin praktik – çfarë do të thotë të jesh i djathtë ose i majtë. Në këtë rast, pasi shumica e partive në Kosovë deklarohen të djathta, ato janë profilizuar si të djathta për ta fituar simpatinë e qytetarëve e jo sepse e kanë shumë të qartë se çka do të thotë të jesh i djathtë”, ka thënë Korenica .Selatin Kllokoqi nga Instituti D4D, ka thënë për Telegrafin se profilizime i partive politike në Kosovë është më tepër teorik sesa real. Sipas tij, në njërën anë partitë deklarojnë se janë të djathta e në anën tjetër aplikojnë politika të majta.Ai ka theksuar se përveç Lëvizjes Vetëvendosje, partitë tjera politike janë mishmash i ideologjive, duke shtuar se profilizimi i qartë i partive do t’i orientonte më lehtë qytetarë se për kë të votojnë.

“Kosova është vend i vogël dhe ka probleme me aplikimin e mirëfilltë të demokracisë. Andaj, duhet të kalojë edhe një kohë derisa partitë politike mund të bashkoheshin dhe të ndaheshin në bazë të orientimit ideologjik”, ka thënë Kllokoqi .Ndryshe, kryeministri në largim, Hashim Thaçi, në një takim me studentët ka deklaruar se partia të cilën e drejton ai është e interesuar që të bëjë koalicion me partitë e qendrës së djathtë. Preferencat që të lidhin koalicion me partitë e qendrës së djathtë i kanë shprehur edhe i pari i LDK-së, Isa Musata, dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Shkruani nje pergjigje