Lajmi Shqip » Blog Archive » Dashuria dhe Janullatosi - Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

Dashuria dhe Janullatosi

janullatos-300x208Nga : Robert  KODRA

Para pak kohësh, një miku im grek- njeri i thjeshtë dhe shumë besimtar, pati ardhur në Shqipëri dhe më pyeti nëse mund ta ndihmoja për t’u takuar me Kryepeshkopin Janullatos, vetëm sa për t’i puthur dorën.I premtova disi, me shpresën se mbase gjendej mundësia, nëse afroheshim pranë kishës në Rrugën e Kavajës dhe përpiqeshim për t’u takuar.Miku grek u largua para kohe nga Tirana dhe kështu u lehtësova nga premtimi i dhënë. Më la mbresa admirimi që kish ai grek i thjeshtë për priftin Janullatoas, duke e quajtur njeri në shërbim të Zotit.

Nisur nga bindjet e atij greku të mirë, fillova të besoj se prifti Janullatos ka vlera në shërbim të Zotit, paqes dhe dashurisë. Por ja që, nga ndodhi dhe arsyetime të ndryshme, sikur ngatërrohem pak rreth këtij besimi.Duke lexuar në internet rreth këtij prifti, më bënë përshtypje tre të dhëna të mira, aktiviteti i tij në ndihmë të kosovarëve gjatë vitit 1999, publikimet e shumta dhe nderimet që i janë bërë nga shumë vende të botës.E kam dëgjuar me interes Hirësinë e Tij nëpërmjet mediave dhe ndër fjalët që ai shqipton, më së shumti gjendet fjala dashuri.Kam pasur ngahera dëshirën të gjej pika të përbashkëta midis këtij prifti dhe shenjtores Nënë Tereza, ashtu si edhe kam uruar të gjej pika të përbashkëta mes tij dhe Fan Nolit.Ajo që mendoj se Janullatosi mund të afrohet me Nënë Terezën, është se Nënë Tereza nuk i shërbeu vetëm kombit të saj, por u ngrit shumë më lart. Ajo iu dha e gjitha perëndisë dhe i shërbeu gjithë njerëzimit, pa asnjë lloj dallimi, kombëtar, fetar, etnik, racor etj.Ajo që mendoj se Janullatosi mund të afrohet me Nolin është kultura dhe erudicioni i Nolit. Noli i ka i dashur grekët dhe historinë e tyre, si dhe ka dhënë ndihmesën e tij në kulturën greke dhe përhapjen e saj. Noli ka shkruar me patos si për Kristoforidhin, De Radën e Naimin, ashtu edhe për Homerin, Aristotelin e Platonin.Kryepeshkopi Janullatos ka mbi njëzet vjet në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe, nisur nga përvoja, kultura dhe përkushtimi i tij, i ka pasur të gjitha mundësitë për t’u bërë një njeri i nderuar i popullit shqiptar, jo vetëm për shqiptarët ortodoksë, por për të gjithë.

Për shqiptarët, pavarësisht përkatësisë fetare, Naimi, Noli apo Fishta janë njëlloj të dashur dhe të vlerësuar. Është një ndjenjë e thellë mirënjohjeje, e cila ngulitet fort në popull, për njerëz që e kanë dashur dhe i kanë shërbyer. Kjo ndodh jo vetëm për bashkëkombasit, por pa asnjë dallim edhe për njerëz të tjerë që i shërbejnë popullit. Ka shumë njerëz të mirë, jo shqiptarë, të cilët janë përjetuar jo vetëm në monumente, por edhe në ndërgjegjen kombëtare. Një nga këta njerëz do të uroja të ishte edhe Janullatosi.Njerëz të ndryshëm, të cilët më pas janë bërë të famshëm, e kanë nisur karrierën e tyre, fillimisht duke punuar për vete, qoftë edhe për interesa të kushtëzuara dhe jo fort të këndshme për ta. Më pas, kur janë fuqizuar dhe kanë rritur personalitetin e tyre, janë kthyer në shërbim të interesave dhe besimeve më të mëdha, siç mund të jenë, kombi, njerëzimi, zoti.Nëse fjalët dashurore, që Janullatosi aq mirë i shqipton, të dëgjohen edhe në gjuhën e bukur greke, në gjykatat apo institucione të ndryshme të Greqisë, atëherë ligji i luftës mund të kthehet në ligj paqeje dhe dashurie.Nëse ndjeshmëria e rrëfyer nëpër mesha për një humbje jete, të ishte e njëjtë edhe në një meshë të mundshme për ata fëmijë shqiptarë të zhdukur në Greqi, shpirtrat e të cilëve janë duke klithur së lartmi, atëherë do të zbuteshin keqkuptimet e të vepruarit me dy standarde

Nëse mbahet qëndrim, ashtu si një prift mund të sillet, ndaj disa budallenjve që ulërijnë se mund t’i trembin shqiptarët, atëherë i shërbehet jo vetëm paqes, por edhe emrit të mirë të Greqisë, të cilin e njollosin në jo pak raste budallenj të tillë. Është normale që edhe një vend me kulturë të lashtë të ketë budallenj, por sikur nuk shkon që njerëz të kulturuar si Kryepeshkopi, të mos mbajnë qëndrim ndaj budallenjve grekë që llomotisin për frikë.Nuk është mirë të bëhen mburrje për luftëra, sulme, frikëra e masakra. Mirë është të flitet për paqe, bashkëpunim e dashuri, të cilat nuk kanë munguar kurrë mes dy popujve. Shqipëria, historikisht, gjithmonë dëshiron që Greqia të jetë sa më mirë.Nga të moshuarit kam dëgjuar shpesh për masakrat, këtu e njëqind vjet përpara, që grekë të larë dhe të krehur, së bashku me grekë zhelenjozë e të fëlliqur, por tek-tuk edhe me ndonjë shqipfolës, me satërë e me hanxharë, kanë bërë në vise të jugut të Shqipërisë.Personalitete shkencore greke kanë hartuar studime të dokumentuara mbi gjenocidin çam.Një qiri i ndezur apo një meshë nga Hirësia Janullatos, në Panarit, Filat, apo diku gjetkë ku janë kryer masakra, do të tregonte dashuri dhe kulturë të vërtetë. Një nga arsyet pse Gjermania është Gjermani është se ka njerëz të tillë, si biri i një nazisti, i cili niset dhe vjen në Borovë për të kërkuar falje për krimet e të atit. Për fat të keq ndryshime nuk ka vetëm në lëmin ekonomik.

Të ngatërrohet një objekt që mban emrin e Naim Frashërit, në një qytet të bekuar, me bixhoze e kumare është sofizëm sublim. Është përdredhja e një spiraleje qysh nga koha kur u shpik pabesia, me Kalin e Trojës. Por, ndërsa kohët ndryshojnë, metodat mbeten të njëjta. Mbase dikush ëndërron që vija imagjinare, e filluar me kisha dhe varreza, të përfundohet si një mur kinez, por nuk ka më kohë që kjo ëndërr të bëhet realitet.Shqipëria tashmë është në NATO. Për ters do të mbahet mend se shteti i fundit që firmosi për anëtarësimin e vendit tonë në NATO ishte fqinji ynë. Përpjekjet e Shqipërisë janë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Natyrisht do të vijë dita që të jemi anëtarë të BE. Uroj që pasi të hyjmë në BE, të mos mbahet mend se fqinji na ka hapur probleme dhe na ka vënë kushte për këtë anëtarësim.Nuk jam në gjendje të jap këshilla për një njeri të mençur si Janullatosi, por mendoj se mënyra për t’i shërbyer Zotit dhe Atdheut është të shërbyerit drejt e drejt, pa mbuluar diellin me shoshë. Koha të lë prapa dhe është mirë që të mësohet edhe nga vetë njerëzit e thjeshtë të të dy vendeve. Gjithmonë më është dukur se ata që mbushin kishat e xhamitë, apo edhe sheshet si ai i San Pietros, janë më shumë besimtarë se edhe vetë klerikët. Nëse grekët dhe shqiptarët nuk do të donin dhe nderonin njëri-tjetrin, nuk do të jetonin në Greqi 373 mijë shqiptarë. Normale është që në krye të KOASH të jetë një shqiptar dhe kjo do të bëhet një ditë.Do të uroja që Janullatosi të kujtohet gjithmonë me nderim dhe mirënjohje nga shqiptarët, kudo ku ata janë dhe do të jenë. Kjo varet vetëm nga vullneti i Hirësisë së Tij.

Shkruani nje pergjigje