Revanshi politik dhe opozita e (pa)mundur

komediaNga : Nebil  CIKA

Ende pa u ndërruar “de facto” qeveritë lufta politike midis pozitës së re dhe opozitës ka nisur ndoshta me e ashpër se sa mendohej në realitet. Palët po kapen pothuaj për çdo veprim a vendim që qeveria në detyrë vazhdon të marrë brenda ligjeve e kornizës kushtetuese dhe ajo ne pritje thotë se do t’i anulojë. Padurimi me të cilin e majta po pret pushtetin ka nxjerrë në pah anët e errëta të luftës politike që parashikohet të zhvillohet në katër vitet e ardhshme të mandatit qeverisës Rama-Meta.

Pa asnjë arsye logjike pozita e zgjedhur ka nisur një sulm në shkallë të gjerë ndaj opozitës që ka kulmuar këto dite me një vendim të qeverisë Berisha për t’i kaluar si zyra të opozitës mjediset e ish Shtëpisë Qendrore së Ushtrisë Popullore (SHQUP) një aset i ushtrisë i trashëguar nga strukturat e fryra komuniste të saj, sipas modeleve sovjetike të organizimit dhe funksionimit.Vendimi i qeverisë është një akt i ligjshëm dhe normal e për me tepër kundërshtimi i tij nuk përbën një kauzë politike për mazorancën e cila pritet të ketë mjaftë probleme e angazhime me qeverisjen e vendit që pritet ta marrë në dorë pas disa ditësh. Sigurisht që forcat politike i zgjedhin vetë strategjitë e tyre politike por ky start i pushtetit të së majtës ish komuniste me një pothuaj kryqëzatë ndaj opozitës nuk duket ogur i mirë për zhvillimet politike në vend aq të lidhura me fatet e Shqipërisë dhe shqiptareve.Tendenca për t’u marrë së pari me opozitën pa filluar ende detyrën si qeveri na bën të besojmë se qeveria Rama- Meta e sheh me frikë kundërshtarin politik dhe ka ndërmend ta e godasë atë më shumë se politikisht qoftë edhe me metoda të tilla vulgare siç është selia apo zyrat ku ajo duhet të vendoset të punojë. Zyrtarë të Lartë te qeverisë Rama-Meta si ministrja e nominuar e mbrojtjes Mimi Kodheli kanë deklaruar se do ta anulojnë vendimin e qeverisë edhe pse kjo gjë është e pa mundur të varet ligjërisht nga vullneti polik i një ministri . Debati i ashpër kryesisht mediatik i mazhorancës Rama-Meta me kryeministrin në detyre Sali Berisha me shumë se një opozitë ndaj opozitës duket si prolog i asaj që e majta mendon të bëjë me opozitën dhe krejt kundërshtaret politik të sajë kur të vijë realisht në qeverisje.

Revanshi politik

Nuk mund të thuhet se opozita e re ka shfaqur ndonjë frikë apo stepje nga ky tension i ngritur politik i pozitës gjë që mund të dallohet lehte tek qëndrimi i eksponentëve kryesor te sajë. Ai që duket i terrorizuar nga ky demonstrim paraprak luftës e revanshit politik është pa dyshim opinioni publik e sidomos ajo pjese e tij e identifikuar si mbështetëse e opozitës e cila ndjehet realisht e kërcënuar dhe rrezikuar nga një revansh i tillë .Spastrimet politike në administratën shtetërore janë shenjat e para te revanshit politik dhe ende pa mbërritur qeveria e re lista e administratës së re përfliten të jenë gati madje me metoda të ndryshme janë bërë të njohura edhe radhët e administratës aktuale gjë që ka stepur e ka bllokuar punën në shumë prej institucioneve të rëndësishme shtetërore që varen nga qeveria. Por, të trembur e të shqetësuar nga revanshi politik i të majtës janë edhe mbështetës të tjerë të opozitës apo qytetare të tjerë që për një arsye apo tjetrën nuk i kanë qejf PS apo LSI dhe politikat e tyre të cilët kanë të gjitha gjasat të besojnë se revanshi politik do të drejtohet kundër tyre.Më të rrezikuarit nga kjo kategori e publikut janë biznesmenet e sipërmarrësit të cilët në çdo moment mund të jenë viktima të politikave ekonomike apo abuzimit të administratës dhe institucioneve financiare të cilët në se revanshi politik i qeverisë vazhdon si e ka nisur pritet te vihen në dispozicion të tij. Por, përtej logjikës e natyrisht edhe ligjit në këtë strat agresiv të demonstrimit të revanshit nga ana e qeverisë se re të rrezikuar duken edhe institucione pavarësia apo më mirë të themi mos vartësia e tyre nga qeveria është e garantuar me ligj. Presidenti i Republikës duket se është i shënjestruari kryesor i revanshit politik të pozitës së re një fakt që është demonstruar nga z. Rama që gjatë fushatës elektorale . Deklarimi i tij se do ta hiqte nga zyrat e shtetit portretin e Presidentit të Republikës ende pa abroguar nenin kushtetues që detyron administratën shtetërore përfshi edhe kryeministrin ta bëjë një gjë të tillë ka synuar hapur denigrimin e figurës se kreut të shtetit por dhe ka paralajmëruar siç po ndodh një pothuaj “gjendje lufte” me institucionin më të lartë të shtetit shqiptar. Por kur flasim për institucionin apo edhe personin e Presidentit të Republikës kuptohet që efekti shkon shume me shume se kaq.Në presion dhe përballe revanshit politik të qeverisë janë edhe dhjetëra institucione kushtetuese të varura apo kushtëzuara prej tij dhe vullnetit politik të tij. Presidenti i Republikës është komandat i përgjithshëm i forcave të armatosura , kryetar i KLD, kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare etje. Prej tij përcaktohen e dekretohen drejtimet e institucioneve të rëndësishme si Prokurori i Përgjithshëm, Kryetari i SHISH , ambasadoret e Shqipërisë etje . Me pak fjalë te kërcënuar nga revanshi i politik qeverisë se re ne këtë rast nuk duket se është vetëm presidenti por edhe shumë institucione të rëndësishme shtetërore që e kanë detyrë kushtetuese ta ndalojnë ketë revansh te mundshëm si kërcënim serioz për demokracinë dhe shtetin e pretenduar ligjor në Shqipëri.Sulmi politik ndaj Presidentit të Republikës duket i frikshëm edhe në këtë këndvështrim pasi nëse institucionet e drejtësisë dhe ato të sigurisë kombëtare qëndrojnë jashtë kontrollit politik apo ne rastin më të mirë, nuk e hanë presionin e qeverisë , revanshi politik apo të paktën efekti i tij në demokracinë shqiptare nuk besoj se do te jetë ai që synon e ndoshta edhe ka planifikuar qeveria. Institucionet e varura apo kushtëzuar nga institucioni i Presidentit i Republikës do të jenë mbrojtja më e mirë nga revanshi politik i qeverisë në se Presidenti i Republikës dhe krerët e tyre do të mund ta përballojnë dot presionin që qeveria k filluar pa hyre ende në zyrat e pushtetit të sajë. Nuk besoj se z. Nishani mund të bëhet pre e presionit politik por megjithatë shqiptaret kanë të drejtë të jenë të shqetësuar pasi historia politike e të majtës shqiptare është tejet negative sidomos në këtë aspekt .

Mision i pa mundur ?!

Edhe pse ende pa ikur nga zyrat e qeverisë opozita duket e dekurajuar disi nga sulmet dhe revanshi i shfaqur në horizont. Sali Berisha , kryeministri në detyrë po reagon shpesh herë ashpër por reagimi i tij duket i pa efektshëm në kushtet kur revanshi nuk ka kaluar në planin pragmatik.Instalimi në pushtet i qeverisë Rama-Meta pritet të zgjojë nga gjumi demokratët një pjesë e të cilëve ende nuk besojnë ende se e kanë humbur pushtetin . Lufta parlamentare pritet te jetë e ashpër në aspektin retorik e polemik por opozita nuk ka asnjë mundësi ta bllokojë pozitën me 83 vota parlamentare të cilat i bën 84 sa herë t’ia dojë puna për të ndryshuar edhe ligjet kushtetuese. E vetmja shpresë e opozitës është beteja në opinionin publik duke synuar zgjedhjet e tjera si e vemja mundësi e sajë për të rregulluar situatën . Besoj se me zhvillimet e reja largimin nga lidershipi i z. Berisha ardhja në krye të PD e z. Basha opozitës do t’i duhet goxha kohë për t’u riorganizuar gjithnjë , në se do këtë një zhvillim të tillë. Grupi parlamentar i PD përveç numrit të pamjaftueshëm të kartonëve parlamentar ka edhe një mungesë morali për të bërë opozitën pasi pjesa kryesore e tyre janë përgjegjës të drejtpërdrejtë të humbjes së zgjedhjeve gjë që i bën figura të pa besueshme në sytë e publikut përfshi edhe mbështetësit e opozitës. Lufta mediatike mbetet alternativa më e mirë në dispozicion të opozitës por edhe kjo ka problemet e sajë. Në 23 vjet te pluralizmit politik PD-ja por edhe krejt e djathta nuk arriti kurrë te krijojë apo stimulojë media të sigurta me politika editoriale afër sajë. Shumë nga mediat qe e kanë mbështetur atë në momente e periudha të caktuara e kanë braktisur sa herë ajo ka dalë në opozitë, ndërkohë që kundërshtare të egra te sajë ne opozitë i janë afruar me servilizëm sa here ajo ka ardhur në pushtet.Reaksioni në fjalë ka filluar të zhvillohet me shpejtësi dhe pas “dredhjes” se parashikuar të mbështetësve mediatikë spekulativë , PD po e sheh veten shumë shpejtë vetëm me RD-në dhe ndonjë fletërrufe tjetër, gjithashtu spekulative, që nuk i hyjnë në punë gjë që e vë në dyshim opozitën mediatike të sajë . Fakti që z. Basha është njëherazi kryetar i PD edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës , mund të sigurojë për një farë kohe një gjysmë aksesi ne mediat aktuale të tij dhe PD-së por që duket i pa mjaftueshëm të garantuar një opozitë te fortë mediatike. Gjithsesi pavarësisht mundësive të kufizuar mediatike lufta në opinionin publik me rezulton si mundësia më e madhe e PD-së dhe të tjerëve rreth sajë për të bërë opozitën e kësaj pozite agresive .Do të rekomandoja një qeveri hije të opozitës, sipas modeleve konservatore perëndimore ku kabinetet përkatëse të bënin opozitën në opinionin publik dhe institucionet ndërkombëtare pa llogaritur atë që grupi parlamentar do të bëjë në parlament. Besoj se edhe pamundësia për të bërë një opozitë parlamentare përballë një pozite absolute ,si pasojë e deformimit moral të politikës te duhet te përdoret nga opozita si mjet i luftës politike por edhe për t’ia treguar elektoratit por edhe vetes si gjera e zhvillime që nuk duhen lejuar më kurrë . Në se opozita arrin të koncentrohet politikisht , moralisht dhe profesionalisht si e djathtë normale e ka mundësinë të bëjë detyrën kushtetuese në parlament , media apo edhe në rrugë ne te kundërtën misioni i saj duket pothuaj i pa mundur. Në kushtet politike që rreshtuam më lartë misioni opozitar duket sa i vështirë aq edhe i pa mundur në se opozita nuk reagon me mënyrat dhe mjetet e duhura ndaj një revanshi politik , historinë e të cilit shqiptaret e njohin dhe shpresoj ta kujtojnë mirë.

Shkruani nje pergjigje