Lajmi Shqip » Blog Archive » Kisha dhe halera - Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

Kisha dhe halera

edison-ypiShkruan : Edison  YPI

Asnjëri nga këta që po dërdëllisin për Kishën dhe “Shtëpinë e Kulturës” së Përmetit s’po e ndan Kishën nga haleja, që ta quajë Kishën Kishë dhe halenë hale’. Ca me Kishën, ca me halenë, këta janë vënë të gjithë në garë, për ta quajtur halenë Kishë, dhe Kishën hale’. Unë jam dy herë bektashi. Nga nëna përmetare pacomitlleshë, dhe babai kolonjar starjelli. Jam bër’ dhe synat. Kujt nuk beson mund t’ja tregoj. Pra unë s’kam të bëj, as me Kishën as me halenë. Megjithatë mua më llahtaris qorrllëku dhe idiotllëku, hileja dhe masakarallëku i atyre që po llapin, dhe jam njësoj i tmerruar, si nga ata që e quajnë halenë Kishë, dhe me ata që e quajnë Kishën hale’.

Është e vërtetë ajo që ka thënë i moçmi; Kij Kisha sa të duash. Thuam sa hale’ ke, të të them se cili je. Po. Sepse historia e njerëzimit ashtu është, ndeshje kishash dhe halesh. Jo vetëm të Religjionit. Edhe të Politikës, Ekonomisë, etj. Në këtë ndeshje fitmtare janë gjithmonë kishat. Përndryshe njerzimi s’do kishte ardhur dot deri këtu.Nuk ka vend që të ketë vetëm Kisha, ose vetëm halera. I mbrothët është ai vend që ka më tepër Kisha se halera.Për të paduruarit që mezi presin ta marrin vesh si e mendoj unë sherrin e Përmetit me Kishë dhe “Shtëpi Kulture”; Një Kishë më tepër, një hale’ më pak.Kaq, dhe të nguturit mund ta ndalin këtu këtë lexim e të largohen nëpër punët e tyre të zakonshme, të shesin të blejnë, t’ja hedhin njëri-tjetrit. Të votojnë jo. Se votimin e ndritën para nja dy muajsh.Për më të ngeshmit,

Së pari, shyqyr që ky sherr nuk është mes ndonjë Xhamie dhe ndonjë Kishe, por mes nje Kishe dhe një haleje.

Çfarë është Kisha ?

Kisha është Kisha. Kisha është vendi ku mëkatarët kristianë, në rastin tonë ortodoksë, i luten Perëndisë tu falë mëkatet. Pra Kisha është vendi i Zotit, ku, për një mijë arësye, shqiptari duhet të shkojë sa më shpesh.

Po “Shtëpia e Kulturës” ? Çfarë është “Shtëpia e Kulturës” ?

“Shtëpia e Kulturës” është hale’.

“Shtëpi e Kulturës” është një hale’ që s’ka asnjë lidhje me Shqipërinë, shqiptarët, traditën e tyre. S’ka sesi të ketë lidhje. Haleja “Shtëpi e Kulturës” erdhi nga Azia, nga Rusia, nga Lenini, nga Stalini, me të cilët shqiptarët nuk i lidh asgjë. “Shtëpie Kulturës” është vendi i djallit.

Në diktaturë Shqipëria ishte pëllëmbë e; “Pallati i kulturës”, “Shtëpia e kulturës”, “Vatra e Kulturës”, “Këndi i Kulturës”, që domethënë të gjitha rrjesht njërapastjetrës, mooti, kaka, spirra, shurra, kuptohet, të gjitha të kulturës.

Kishte aq shumë nga këto halera kulturore, sa, të thuash ti, Shqipëria e diktaturës paska qënë vendi më i kulturuar i botës. Deri në ’90-ën. Se pas kacavjerrjeve nëpër anije, u muar vesh çfarë kishte qënë gjithë ajo kulturë.

“Shtëpitë e Kulturës”, apo murtajat e kulturës, ishin të shpërdara kudo; Nga qytetet, tek vendet ku medemek punohej, deri tek fshatrat më të humbura dhe repartet ushtarake më të fshehta.

E ashtuquajtura “Shtëpi e Kulturës”, sipas të gjitha gjasave edhe ajo e Përmetit, ishte plot me librat e kurvit. Ndonjë fizarmonikë e shkatërruar më ndonjë qoshe. Ca karrike të shpartalluara. Ca stola drrase. Një podium me cohë të kuqe. Portreti i kurvit mbi mur. Xhama të thyer. Pluhur dhe merimanga gjithandej. Banja që nuk laheshin kurrë. Ditë me shi. Në oborr ca pisanjosa dhe rreckamanë të “Grupit amator” me mustaqe dhe dhëmbë të rënë po hanë nga një byrek të qelbët para se të nisin “provat”.

S’ka asnjë gjasë që “Shtëpia e Kulturës” në Përmet të jetë sot më e mirë se atëhere. E shumta mund të ketë ca kompjutera për të shetitur në Internet dhe ca snoba lokalë që lodhen të bindin përmetarët se Alpet e Italisë janë më të bukura se Trebeshinë-Dhëmbel-Nëmërçka, Vjosa s’është veçse një përrua para Misisipit, Përmeti s’shifet me sy para Amsterdamit.

“Shtëpi Kulture” mbi Kishë.

E pamundur. Kurrën e kurrës.

Poshtërim më të madh për një vend kulti as imagjinata më e çmendur nuk e rrok.

Kafene mbi Kishë, pijetore mbi Kishë, han mbi Kishë, magazinë mbi Kishë, zyrë mbi Kishë, thertore mbi Kishë, pazar mbi Kishë, morpo edhe bordello mbi Kishë, janë të gjitha mrekulli para “Shtëpi Kulture” mbi Kishë.

“Shtëpia e Kulturës” ishte vendii ku zbrazej truri, qorrohej syri, shurdhohej veshi, mpiheshin gjymtyrët, ndalej zemra, vritej dinjiteti, shkatërrohej personaliteti, shuheshin ndjenjat, thereshin fantazitë, digjeshin imagjinatat, dënoheshin me vdekje ëndërrat, pushkatoheshin shpresat.

Po kur thonë; “Shtëpia e Kulturës” e Përmetit e ka emrin Naim Frashëri.

Po a ka turp dhe maskarallëk më të madh se ta quash vendin e krimit me emrin e Rilindasit.

Se thonë edhe; Ai vend i përket “Shtëpisë së Kulturës” që është e madhe, sepse trualli i Kishës ishte pak, dhe vetë Kisha ishte i vogël.

Nuk ka pohim më rrënqethës. Po pikërisht pra. Pikërisht pse llahtaria ishte e stërmadhe dhe shenjtëria e vogël, duhet të zhduket “Shtëpia e Kulturës” së krimit dhe të mbetet e të rritet Kisha e besimit.

Na pengojnë të hyjmë në Europë po s’e kthyem “Shtëpinë e Kulturës” në Kishë, thonë ca të tjerë.

Po pse budallaqe është Europa që të preferojë “Shtëpinë e Kulturës” para Kishës.

Fshatin e nënës t’ime, Pacomitin, greku e ka masakruar dhe djegur dy herë.

Por masakrimin dhe djegjen që i ka bërë Përmetit “Shtëpia e Kulturës” s’ka të krahasuar. “Shtëpia e Kulturës” e përvëloi dhe e dogji Përmetin, jo dy herë sa greku, por 40 vjet në zjarr e në tmerr pa u ndalur asnjë çast.

Hidheni në erë “Shtëpinë e Kulturës” së krimit komunist dhe mbi të ndërtoni Kishën.

Nuk do jetë e lehtë. Se vendet e këqia si “Shtëpia e Kulturës”, ndotin, në thellësi dhe lartësi dhe rretheqark, vendin, ajrin, ujin, dherin. Prandaj, pasi të hidhni në erë “Shtëpinë e Kulturës” së turpit kombëtar, gërmojeni truallin 1 kilometër thellë. Dherin e ndotur me krim kurvisto-stalinist sakën se e hidhni aty rrotull, gjeni një mënyrë për ta flakur përtej sistemit diellor. Vendin digjeni me acid. Pastaj ndërtoni Kishën madhështore aty ku ishte “Shtëpia e Kulturës” së vllavrasjes.

Na duhen Kisha. Halera ka sa të duash Shqipëria.

Nje koment

  1. Fatos Ashiku says:

    Njerezit e kthejne instituticionin si te jete mendesia e tyre. Ideja se Shqiperia ka nevoje me teper se kisha se sa “halera” tej groteskut ngjan paksa e tepruar . per hire te monizmit nuk mundemi te kalojme ne etere idjotesie. Cdo treve ka nevoje per nje vend ku arti dhe kultura te shpalosin vlera edhe te krijojne hapewira pe interpretimine eposit dhe krjimtarise burimore popullore. Permetir edhe tere Shqiperia ka nevoje ne trajte nominale sa per okjekte klriokale aq edhe per objekte kulture.Mos ja ver emrin Shpi Kulture por qende e kijimtarise popullore apo si te gjindet por kurre te shkterohen se kjo ngjan me nje snobizem pa karakter.

Shkruani nje pergjigje