Kukësi heroik, bën mrekullinë në Bosnje

25kukesi-300x199Nga : Jorgis  MEMO

Historike, Kukësi bën mrekullinë në Bosnjë dhe kualifikohet në turin e tretë të Ligës së Europës.  Skuadra e rekordeve në kampionatin shqiptar arriti dje në mbrëmje një barazim pa gola në Sarajevë. Kaq i mjaftoi për të qenë në turin tjetër, pasi ndeshja e parë në “Qemal Stafa” kishte përfunduar me fitoren 3-2 të veriorëve. Të besuarit e trajnerit Armando Cungu bënë një paraqitje heroike në një stadium të tejmbushur. Portieri Argent Halili ishte heroi i ndeshjes, teksa në minutën e 68-të priti një penallti, e cila vendosi shumë për fatet e sfidës. Sikur të mos mjaftonte hyrja në Superiore dhe vendi i dytë në kampionat si debutues në elitën e futbollit shqiptar, Kukësi tashmë i habit të gjithë, pasi arrin të kapë Flamurtarin e rekordeve në kupat e Europës. Atë që nuk bënë për 25 vite klubet legjendë të futbollit shqiptar, i bëri dje Kukësi, duke thyer tersin dhe kaluar dy ture. Të mirëvendosur në fushë, me një mbrojtje të hekurt dhe një gjendje fizike për t’u admiruar, kuksianët treguan në Sarajevë se e meritonin plotësisht kalimin e këtij turi. Pasi likuiduan estonezët e Flora Talin, dje radhën e kishin boshnjakët, por ëndrra e qytetit të vogël verior vazhdon: në turin e tretë Kukësi do të përballet me klubin të njohur ukrainas, Metalurg Donjeck.
Pjesa e parë
Ndeshja nis me një surprizë në formacionin e Kukësit. Trajneri Cungu kishte lënë në stol serbin Popoviç dhe në majën e sulmit i kishte besuar Malindit. Që në minutat e para boshnjakët tregohen agresivë, por nga ana tjetër ekipi i Cungut nuk e humb qetësinë, duke lënë pak hapësira. Me kalimin e minutave Sarajevo shton presionin, mirëpo rastet e pastra mungojnë. Disa goditje nga jashtë zone nuk përbëjnë problem për portierin Halili. Dyshja e qendrës, Brahja-Malakarne është në një ditë të mirë, në një kohë që arrin të neutralizojë çdo lëvizje të sulmuesit Suljiç. Ky i fundit spikati në ndeshjen e parë, por dje, falë markimit që iu bë në fushë, ishte hije e vetvetes. Kukësi tregohet shumë i kujdesshëm dhe kërkon që të kap në befasi boshnjakët. Progni dhe Hoxha mundohen të shtyjnë përpara skuadrën me daljet e shpejta, por kjo nuk mjafton. Veriorët kanë edhe fatin me vete në dy raste, kur Sarajevo i afrohet golit me Todoroviçin dhe Tadejeviçin. Gjithsesi, ky fraksion mbyllet pa gola.
Pjesa e dytë
Skuadrat rifuten në fushë me të njëjtat formacione. Boshnjakët, të nxitur edhe nga mbështetja e madhe e tifozëve, marrin zemër dhe arrin të mbyllin në portën e tyre ekipin kuksian. Në një aksion nga krahët, pas krosimit në zonë, mbrojtësi Peqini për pak sa dënon skuadrën me një autogol. Topi prek shtyllën dhe rreziku më pas largohet, por te Kukësi shtohet ankthi. Veriorët mundohen të mbajnë sa më shumë topin, por e kanë të pamundur. Megjithatë, mbrojtja funksionon më së miri teksa sulmuesit boshnjak mbahen larg portës. Momenti më pikant i ndeshjes shënohet në minutën e 67-të, kur gjyqtari rus akordon 11-metërsh në favor të Sarajevos. Një kontakt i lehtë i Malakarnes me mesfushorin Sunjevariç mjafton për të dhënë penalltinë, e cila ishte disi e dyshimtë. Mirëpo, shifrat nuk ndryshojnë, pasi portieri Halili bën një grushtim spektakolar, duke shpëtuar Kukësin nga një gol i sigurt. Me presionin e golit, boshnjakët humbin toruan, madje lojtari që humbi penalltinë, Melunoviç, u zëvendësua menjëherë pas goditjes. Trajneri i Sarajevos bën dy ndryshime të shpejta, duke freskuar sulmin. Edhe Cungu i kundërpërgjigjet me aktivizimin e Popoviçit dhe Manukës. Minutat kalojnë dhe Kukësi është më i sigurt në fushë, por ankthi dhe tensioni shtohet kur gjyqtari akordon 5 minuta shtesë. Duke mos pasur çfarë të humbin, boshnjakët hidhen të gjithë në sulm, por më kot, pasi veriorët janë një mur i pakalueshëm. Gjyqtari rus e tepron në fund, madje bën që te pankina e Kukësit të ketë nervozizëm, nisur nga fakti që kishin kaluar 5 minuta dhe ndeshja nuk ishte mbyllur. Në minutën e 96-të vërshëllima e arbitrit çon në delir kuksianët. Disa prej lojtarëve nuk u besojnë syve, të tjerë janë në ekstazë. Kukësi shkruan historinë e futbollit shqiptar edhe në Europë…

Sarajevo – Kukësi        0-0
(Ndeshja e parë 2-3, kualifikohet Kukësi)
Sarajevo: Bandoviç, Tatomiroviç, Tadejeviç, Dupovac, Haurdiç, Todoroviç, Sunjevariç (Osmanagiç 74’), Xhakmiç, Cimirot, Suljiç (Huseinbashiç 75’), Melunoviç (Kariç 69’).
Trajner: Husref Musemiç

Kukësi: Halili, Peqini, Brahja, Malakarne, Hallaçi, Progni, Allmuça, Karabeci, Hoxha (Manuka 84’), Alikaj, Malindi (Popoviç 70’).
Trajner: Armando Cungu

Gjyqtarë:
Mikhail Vilkov, A.Vorontsov, V.Dançenko (Rusi)

Kartonë të verdhë:
Peqini 29’, Malindi 44’, Karabeci 90+3’

Shkruani nje pergjigje