Lajmi Shqip » Blog Archive » PD, kryetar i ri, apo formatim i ri? - Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

PD, kryetar i ri, apo formatim i ri?

seli-pdNga : Agim  BAÇI

Dorëheqja e Berishës nga kreu i PD-së, pa dyshim që ka rihapur mjaft pikëpyetje lidhur me pasuesin. Kjo jo vetëm për faktin se modeli i tij 23-vjeçar është dominues në mbështetësit e PD-së por edhe për faktin se formatimi i opozitës përballë një maxhorance absolute PS-LSI është emergjent dhe i domosdoshëm jo vetëm për të ardhmen e PD-së, por edhe demokracinë në vend. Por, a do të kemi të bëjmë me një kryetar të ri, apo me një formatim të ri të PD-së?

Pikësëpari, ajo që duhet pranuar, është fakti se me dorëheqjen e PD-së ka rënë edhe version i parë i ndërtimit të PD-së, si një lëvizje popullore kundër diktaturës. Kjo do të thotë se ka rënë edhe modeli i zgjedhjeve të deritanishme në PD, që ishin konform frymës së tij, apo kooptimeve, pa shumë konkurrencë. Fundi i fundit, PD ishte ndërtuar mbi idetë e Berishës dhe ne demokratët, kemi qenë me të dhe zgjedhjet e tij. Madje, në bindjen e shumë mbështetësve është krijuar se një pjesë e PD-së që bënin gabime e korrupsion kanë qenë jashtë dijenisë dhe vullnetit të Berishës. Por kjo tezë është pjesë e dashurisë për liderin në variantin më të mirë, ose një mungesë kontrolli e pushtetit, në rastin më të keq.
Megjithatë, Berisha tregoi maturinë e tij prej shtetari duke pranuar përgjegjësitë e veta dhe duke u hapur rrugë ndryshimeve. Ndoshta këtë mesazh përgjegjësish duhet ta përcjellë dhe kuptojnë edhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët në shumicën e tyre janë aty jo për shkak të konkurrimit, por të dëshirës së kreut të PD-së. Pikërisht kjo e fundit e bën të domosdoshëm ndryshimin më së pari të modelimit të zgjedhjes së kreut të ri të PD-së, pasi duhet të pranojmë se kemi të bëjmë me një moment ku PD, nga një ish-lëvizje popullore, duhet të përqafojë modelin e djathtë.
Mjaft prej atyre që janë sot në poste drejtuese apo në forume të rëndësishme, ndoshta nuk e kanë kaluar kurrë analizën se janë të djathtë. Shumica prej tyre janë aty thjesht se nuk janë me PS-së, se nuk e kanë dashur PS-në, duke e identifikuar atë me trashëgimtaren e Partisë së Punës, domethënë me diktaturën. Mirëpo tashmë ky argument nuk është i mjaftueshëm për të thënë se jam i djathtë, sepse e djathta ka principe të tjera, të cilat sot shumë shqiptarë të shkolluar i kuptojnë dhe i vlerësojnë si të nevojshme edhe për shoqërinë shqiptare.
A do të jetë e lehtë të pranojmë këtë ndryshim?
Kushdo që do të hyjë në garë për të marrë kreun e PD-së, qoftë i përfoluri Basha, qoftë figura si Olldashi, Topalli apo Bode, apo edhe të tjerë, më së pari duhet të shpjegojnë në publik dhe përballë bazës së PD-së se përse duan t’i drejtojnë. Dhe po të marrim të mirëqenë një minimum prej 525 mijë zgjedhësish, siç u numëruan më 23 qershor, do të thotë se PD ka një bazë të mirë për të ndërtuar ndryshimin. Dhe për më tepër, një lider që do të kërkojë drejtimin e PD-së duhet të ndërtojë pikëpyetjen: si mund të riaktivizohen abstenuesit dhe ata që përqafuan parti aleate, e që dihen se janë elektorat i PD-së?
Por tashmë, për t’i kthyer sërish brenda vetes të larguarit dhe abstenuesit, duhet më së pari të tregosh arsyet, idetë që të bashkojnë. Dhe kjo kërkon pa dyshim formatin e një lideri.
Por, a mund të jetë një nga të ikurit e PD-së konkurrent? Askush nuk duhet të paragjykojë konkurrencën. Por, p.sh., përse mund të kërkojë Bamir Topi të konkurrojë për të marrë drejtimin e PD-së? Çfarë dha ai në kohën që ishte numri dy i PD-së për të djathtën? Unë besoj se ai i humbi shanset në momentin kur nuk pati guximin të firmoste ligjin kundër lustracionit, ose të jepte dorëheqje se përse nuk e firmosi dot, pasi besoj se qëndrimi ndaj diktaturës qartësohej nga ai me firmosjen ndaj atij ligji. Ose edhe më keq, Topi është larguar kur nuk ka pranuar të jetë votues i kandidatit të PD-së për Tiranën në zgjedhjet e fundit, fakt që e pranoi edhe vetë në intervistën e tij me Fevziun në Klan TV.
Ndaj, konkurrenca për liderin e ardhshëm duhet më së pari të kalojë nga nevoja për një formatim të së djathtës sipas parimeve të së djathtës, dhe jo thjesht kundërshtar i PS-së. Pasi boll kemi deri më tani nga të dyja palët anëtarë të rëndësishëm që nuk e dinë as pse quhen të djathtë e as pse quhen të majtë. Domethënë, kemi pragmatistë me shumicë dhe idealistë me pakicë.
Ndërkaq, është me shumë rëndësi që kreu i ri i PD-së të mos emërohet, pasi do të kemi të bëjmë me një efekt zinxhir emërimesh pa konkurrim. Kjo përgjegjësi, e largimit të hijes së tij mbi kreun e ardhshëm të PD-së, është në përgjegjësinë e Berishës, i cili duhet që qëndrimet e tij t’ua përçojë të gjithë drejtuesve të PD-së, qofshin këta në qendër apo bazë. Pasi tashmë është e domosdoshme që gjithçka të nisë nga bashkëbisedimi me elektoratin, me ata që e mbajnë PD-në në këmbë. Dhe dje ai dha sinjal të rëndësishëm për këtë proces gjatë takimit me Kryesinë, duke pranuar se nëse do të kërkonte pasuesin, do ta kish vendosur, por që e ka lënë zgjedhjen e tij në dorë të elektoratit përmes parimit “një anëtar, një votë”.
Nga ana tjetër, kjo lloj zgjedhje nuk do të thotë aspak që një lider bën atë që i thonë mbështetësit, por që i bën mbështetësit të besojnë se ajo që do të bëjë ai është në të mirë të tyre dhe të vendit.

Shkruani nje pergjigje