Çfarë (s)bëri Sali Berisha?

rama-berisha-meta09Nga : Nebil ÇIKA

Lideri historik i PD-së, Sali Berisha, ka befasuar dje gjithë kundërshtarët e tij politikë dhe jo vetëm ata, si dhe ka prekur përkrahësit e tij me aktin më normal që mund të bëjë një figurë politike me përmasat e tij. Si një burrë shteti, ai morri përsipër gjithë përgjegjësinë për humbjen e forcës së tij politike në zgjedhjet e 23 qershorit dhe dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet e partisë, duke i hapur rrugë një formatimi të ri politik të PD-së e ndoshta të krejt së djathtës shqiptare. Dje mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, përcollën me lot në sy largimin nga lidershipi të Sali Berishës, një vlerësim ky që do ta kishte zili çdo politikan dhe besoj se z. Berisha e meriton një respekt të tillë. Në fjalën e dorëheqjes nga lidershipi z. Berisha përmendi disa nga arritjet politike të PD-së dhe vendit nën drejtimin e tij, por sigurisht la shumë pa thënë për shkak të momentit dhe të mundësisë së reduktuar që të jep një fjalim në pak minuta.

Çfarë bëri Berisha?

Në këtë profil të paautorizuar të z. Berisha do të mundohem të kujtoj ato që ai ka bërë dhe nuk ka bërë si politikan, nga të cilat do të vlerësohet sot dhe nesër roli dhe kontributi i tij në historinë e këtij vendi. Sali Berisha ka qenë dhe mbetet politikani më i formuar dhe më i spikatur i politikës shqiptare që kur ai hyri aktivisht në të në vitin 1990. Me një shkallë të lartë inteligjence, kulturë të gjerë e karakter të fortë, ai ka qenë dhe vazhdon të jetë ende i pakonkurrueshëm si politikan në planin personal. Udhëhoqi opozitën e parë antikomuniste pas pesë dekadave diktaturë të egër dhe dominoi tranzicionin politik për 23 vjet. Spikati si politikan për pamundësinë e konkurrencës nga kundërshtarët dhe rivalët e tij, por edhe për shkak të kontrastit me përdhesin e tij të diskretituar komunist Ramiz Alia (midis cilësive intelektuale, kulturore e morale të të dyve as që mund të bëhet krahasim).Si kryetar i parë i shtetit demokratik shqiptar, por dhe si kryeministër më vonë, ai ka meritën e një sërë politikash, ligjesh e reformash, që transformuan Shqipërinë nga vendi më i izoluar dhe i shtypur në botë në anëtarë të NATO-s dhe në prag të BE-së. Pothuaj të gjitha hapat e rrugëtimit për “kthimin në shtëpi” të Shqipërisë janë arritur apo firmosur deri tani vetëm prej tij. Anëtarësimi në Këshillin e Europës, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave dhe lëvizja e lirë në zonën “Shegen”, plotësimi i kushteve për statusin e vendit kandidat në BE etj. janë akte marrëveshje që kanë para së gjithash firmën e Sali Berishës.Në aspektin ekonomik e social punët dhe reformat e z. Berisha janë të shumta e të njohura për publikun shqiptar, por unë do të përmend një prej tyre, që besoj se e ka futur më shumë se gjithçka në histori atë: infrastrukturën. Nuk ka qytetet, zonë apo katund të vendit që të mos ketë një rrugë, shkollë apo vepër tjetër publike të mos jetë ndërtuar gjatë qeverisjes së Berishës. Piketa këto të hyrjes dhe mbetjes në histori të tij. Rruga e Kombit, por edhe tuneli i Kërrabës janë vetëm dy nga veprat e mëdha, por shumë të rëndësishme për vendin dhe kombin, ndërtuesin politik, të cilat mjaftojnë që shumica e shqiptarëve ta kujtojë me respekt.Berisha është gjithashtu një politikan nacionalist. Ai e mori drejtimin e shtetit amë në një situatë me shumë probleme për shqiptarët në të gjitha hapësirat etnike. Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë dhe ata të Malit të Zi ishin nën represionin shovinist sllav dhe ishin lënë në mëshirë të fatit nga shteti komunist shqiptar i Hoxhës dhe Alisë, ndërkohë që çështja çame ishte pothuaj një tabu. Të gjitha këto probleme u zgjidhen apo u vunë në lëvizje edhe nga vizioni e kontributi politik i Berishës. Slogani i tij njohur “një komb, një qëndrim” u bë lajtmotivi që çoi në çlirimin e Kosovës dhe rritjes së të drejtave etnike të shqiptarëve në Maqedoni. Çështja çame u ngrit për herë të parë në bisedime me shtetin grek, u përfshi në traktatin e miqësisë midis dy vendeve gjatë qeverisjes së z. Berisha, ndërkohë që rezoluta për Çamërinë u bë e mundur nga votat e deputetëve të PD-së, atëherë në opozitë. Artikulimi i tij për bashkimin kombëtar në kremtimet e 100-vjetorit të pavarësisë në Shkup e Vlorë, ku theksoi koordinatat “nga Presheva në Prevezë” si dhe sipërfaqen 67 mijë km katrorë, janë piketa që do të orientojnë politikën atdhetare dhe projektin e bashkimit kombëtar, një aspiratë mbarëkombëtare. Jo pak herë kjo politikë nacionaliste i ka kushtuar politikisht Berishës, sidomos në raport me faktorët antishqiptarë brenda dhe jashtë vendit, megjithatë ai nuk ka ngurruar ta shprehë politikisht këtë aspekt të vetëdijes e politikës së tij.

Çfarë nuk bëri Berisha?

Këto që thamë më lart janë një pjesë e atyre që besoj se bëri mirë Sali Berisha, të mjaftueshme për të përcaktuar punën dhe figurën e tij si politikan. Por besoj se është i pamjaftueshëm një profil ku nuk thuhen edhe ato që ai nuk bëri apo nuk i bëri mirë. Berisha mori përsipër të drejtonte një parti opozitare të ideuar, lindur e formuar në kushtet e diktaturës me aq sa lejonte ajo liri e detyruar, por dhe e kontrolluar nga Ramiz Alia. Ai ktheu në parti politike një lëvizje studentore kundër diktaturës, të paqartë ideologjikisht dhe të paorganizuar politikisht. Në kushtet e mungesës së hapësirave të nevojshme demokratike dhe terrenit të minuar organizativ nuk mund të thuhet se PD-ja e Berishës ishte një forcë politike e djathtë. Mungesa e përvojës politike e demokratike, por dhe lidhja e fortë me komunizmin e disa prej drejtuesve të saj të fillimit çuan në një devijim majtas të PD-së drejtuar nga Berisha. Në fillim frika mund të përdorej si justifikim i këtij majtizmi të PD-së, por linja e mbajtur më vonë, sidomos pas fitores së zgjedhjeve në vitin 1992, nuk justifikohet dot. Berisha duket se ka një problem që vazhdon ta demonstrojë edhe sot pas 23 vjetësh në politikë e që përbën edhe problemin e tij më të madh: diferencën midis retorikës dhe aksionit antikomunist. Kam bindjen se ai ka qasje të ndryshme për komunizmin si sistem e teori dhe komunistët si përçues e implementues të tyre. Mendoj se dekomunistizimi i vendit është dështimi dhe problemi më serioz politik i Berishës. Raporti i tij politik, personal e partiak me pronën dhe komunizmin përbejnë pa dyshim një handikap për një politikan antikomunist e për më tepër i djathtëm siç pretendon apo duhej të ishte Berisha. Miratimi i ligjit nr. 7501 ose ndarja me metoda komuniste e tokës, mosndëshkimi i autorëve të krimeve të komunizmit e në mënyrë të veçantë dështimi i një ligji për lustracionin janë elemente politike që nuk kanë ndonjë lidhje me filozofinë e djathtë politike apo me platforma e programe gjithashtu të tilla. Stacionimi në këtë pikë për 23 vjet na e bën të vështirë ta pranojmë djathtizmin e pretenduar te Berisha dhe krejt partia që ai krijoi e drejtoi nga 1990-a e deri tri ditë më parë. Kur them se Berisha ka qasje të ndryshme për komunizmin dhe komunistët kam parasysh edhe partinë e shumë prej tyre në PD dhe strukturat politike të saj. Besoja se revolucioni i armatosur i vitit 1997, që çoi në rrëzimin e dhunshëm të qeverisë se tij, do ta ndryshonte mendimin e z. Berisha për komunistët, por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Në retorikën politike z. Berisha flet shpesh për Bllokun komunist dhe këlyshët e tij, por disa syresh, përfshirë edhe ish-bashkëthemeluesin e PD-së, të ndjerin Gramoz Pashko, ishin apo janë të tillë. PD-ja dhe trupa e saj elektorale ka sot brenda saj konsiderueshëm ish-komunistë e bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, gjë që me informacionin dhe autoritetin që ka Berisha mund dhe duhej ta kishte ndaluar, nëse vërtet donte të drejtonte një forcë politike të djathtë. Në konceptin tim në një krahasim të mundshëm me vendet e BE-së, PDja do ta kishte të pamundur të konsiderohej e djathtë dhe nuk arrij ta kuptoj dot motivin dhe tolerancën e PPE-së për ta pranuar si anëtare të saj.Përzgjedhja e burimeve njerëzore është një tjetër problem i Berishës. Postulati “Berisha gabon kur merr, jo kur heq”, që qarkullon në rrethe politike e mediatike, e shpjegon me së miri këtë dobësi politike të z. Berisha. Kështu, njerëz me karriera politike të mundësuara kryesisht prej tij, si Bamir Topi apo Spartak Ngjela etj., janë kthyer sot në armiq të tij, ndërkohë që ish-armiq deri me armë si Arben Imami apo Kastriot Islami, janë pjesë e rëndësishme e strukturave politike e elektorale të PD-së.Mosmirënjohja është pjesë e moralit politik, nëse ka një të tillë, por ajo që ka ndodhur me PD-në e drejtuar nga Berisha besoj se i kalon kufijtë. Njerëz në politikë apo medie, që e ndihmuan atë të vinte në pushtet në vitin 2005, u braktisën menjëherë pas marrjes së tij dhe u zëvendësuan me ish-kundërshtarë më shumë se politikë, servilë e sharlatanë të fiksuar pas pushtetit, që e kanë braktisur e kanë ndryshuar tenderim menjëherë pas humbjes së 23 qershorit. E kuptoj ëmbëlsinë e servilizmit, por mendoj se mosmirënjohja është një gjë e pafalshme për qeniet normale humane dhe shtimi i radhëve të viktimave të saj të çon në katastrofa politike si kjo e zgjedhjeve të fundit . Si përfundim dua të theksoj faktin se Berisha bëri shumë gjera, por la të paplotësuar misionin politik të pretenduar të PD-së: dekomunistizimin e vendit. Për të gjitha ato që thashë më lart ish-komunistët jo vetëm që nuk u përgjigjën për krimet e tyre, por u nderuan, u pasuruan dhe sot janë sërish në pushtet. Fakti që z. Berisha i ka akuzuar kundërshtarët e tij si këlyshë të Bllokut dhe mundësia që u dha atyre për të ardhur në pushtet tregon se me apo pa dashje jemi përballë një pune apo misioni të papërfunduar të tij. Të paktën unë kështu besoj. Nuk mund të pretendosh sukses të plotë politik kur pas 23 vjetësh jete e beteje politike e lë Shqipërinë në duart e atyre që pretenduam se ua morëm 21 vjet më parë. Sot Kolekat, Kapot, Kokëdhimat, Yllët, Ziçishtët, Çukot, Gërmenjët e të tjerë emra të njohur të kupolës së diktaturës komuniste janë në parlament dhe në qeveri, gjë që flet vetë për dështimin e përmbysjes apo zhdukjes së plotë të komunizmit, një prej gjërave më të rëndësishme, apo më mirë të themi misionit që z. Berisha, për arsye ende të pashpjeguara, nuk e mbaroi dot. Sigurisht që ky është vetëm një konstatim i shpejtë për ato që ka bërë dhe nuk ka bërë dot z. Berisha. Sigurisht që ka kohë për të llogaritur e analizuar punën dhe veprimtarinë e tij politike, pasi ky nuk është fundi i saj. Mbase ai vetë do të mundë të sqarojë e justifikojë ato që nuk bëri dot, ndërkohë që historia do ta ndriçojë edhe më qartë punën dhe figurën politike të tij.

Shkruani nje pergjigje